Kronika 22 Janar 2026, 14:09 Nga VNA

Procesi “Plumbi i Artë”: Dëshmia e Petrit Qolit për vrasjet e Fatmira dhe Ervis Dedës

Ndaje në Whatsapp
Procesi “Plumbi i Artë”: Dëshmia e Petrit Qolit për

Petrit Qoli, një prej të pandehurve në kuadër të procesit “Plumbi i Artë”, dëshmoi para Gjykatës së Posaçme.

Ai akuzohet për vrasjen e Fatmira Dedës, nënës së Ervis Dedës, e cila kërkonte drejtësi për të birin e vrarë dhe ishte kthyer në shqetësim për grupin kriminal.

Vrasja e gruas dhe djalit të saj, Ervis Deda, u zbuluan nga rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Qoli gjatë dëshmisë foli për të dyja krimet e rënda dhe implikoi vëllain e tij Festim Qoli, i cili ndodhet në arrati.

Dëshmia e plotë:

Petrit Qoli: Nga 2002 deri në 2013 kam patur anije peshkimi, kam punuar si kapiten anijeje. Jam marrë edhe me ndërtim.

SPAK: Idenë për ndërtimtari, nga e more?


Petrit Qoli: Kam kushëri M.L. Është ndërtues, duhet të jetë 80 vjeç. I thashë kam 300 mijë marka. Ndërtimin e parë e kam bërë te gropa arkeologjike, mbrapa Pallatit të Kulturës.

SPAK: Ku i gjete lekët?

Petrit Qoli: Nga peshkimi, kam patur gjithmonë anije të thashë. Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qoli.

SPAK: Ndërkohë që ju merreshit me peshkim vëllai me çfarë merrej?

Petrit Qoli: Kishte 5 biznese, bar kafe, palestër. Unë ia kisha ndërtuar. Festimi ka qenë mjeshtër për makinat e vjedhura. Gjithmonë është marrë me tregti makinash, të dubluara.

SPAK: Kush është Agroni?

Petrit Qoli: Agron Qoli është çuni xhajës tim. Është djalë model, pas meje, por nuk e kam shok. Merret me ndërtimtari. Unë kam bërë 8–9 pallate. Edhe xhaminë në Rrushbull. Me Festimin nuk kemi punuar, e kam vëlla, por është fatkeqësi për familjen tonë.

SPAK: A kishte të ardhura Festimi?

Petrit Qoli: Unë nuk jam ekonomisti i Festimit, por kishte lokal dasmash, normale që kishte para.

SPAK: Ke dalë jashtë shtetit?

Petrit Qoli: Po sigurisht, unë kisha anije. Unë di që Festimi ka një vajzë shumë të pasur bullgare. Di që ka edhe pasaportë angleze. Ajo është shumë e pasur, shet inerte ndërtimi.

Me Festimin shiheshim për iftare dhe për ditëlindje.

SPAK: Keni dijeni për probleme me drejtësinë që mund të ketë patur Festimi?

Petrit Qoli: Nuk merresha me problemet e tij. Festimi është përgojuar që ka gjuajtur Titin, e ca të tjerë. Atij i pëlqente të njihej për këto. Është akuzuar për Loshin, për djalin e Fatmira Dedës. Por nuk e ka bërë.

SPAK: Kush është ky Loshi, i biri i Fatmirës?

Petrit Qoli: Vinte te anija ime, merrte naftë qyl. Loshi është bërë për rahmet. Nuk më vjen keq fare. E dëgjova në televizor. Fatmirën e kam takuar 3 herë në jetën time. Njoh Besnik Dedën, vëllain e Fatmirës, legjendë e kapitenëve të anijeve. I shkova për qokë për kafe ngushëllimi. Tre herë e kam takuar gjithsej Fatmirën.

Një herë e takova te karburanti në Shkozet se merrja karburant aty. Festim Qoli e administronte këtë karburant me Fatmirën. E kishte blerë Festimi nga kush nuk e di.

Më pas këta u ftohën, me Ervis Dedën (Loshin) për dy vajza. Ata bënin jetë të shthurur.

Loshi i kërkoi lekët që kishte marrë borxh Festimi, ky i tha kur t’i gjej do t’i jap. Më tha Loshi mua që duhet të më japë lekët e karburantit. Nuk e di sa ishte shuma e lekëve. Nuk doja t’ia dija fare. Festimi nuk ma ka thënë, nuk kisha marrëdhënie të tilla me Festimin. Nuk e di kush e ka vrarë. Vetëm llafe njerëzish. Loshi ka vjedhur drogë thonë. Ca të tjerë që kishte florinj në makinë a drogë. Historia e drogës filloi të flitet para se të vritej Mond Çekiçi.

SPAK: Si e mësuat vrasjen e E. Dedës?

Petrit Qoli: 14 vjet duhet të ketë që është vrarë. E pashë te titrat e televizorit. E kishin nxjerrë foton. Kisha hallin e vëllait tim. Shkova te karburanti, nuk e gjeta në karburant. Gjeta punëtorët. E kam takuar vëllain pas 3 javësh. Shkova për ngushëllim pas të shtatave. Nuk e di ku ka qenë. Nuk ka qenë te prindërit. Nuk u interesova ku ishte. Nuk ka shokë të ngushtë në Durrës. Festimi i ka çuar tapi Fatmirës, si bashkëpronare, për arsye se Fatmira kishte deklaruar në polici që Festimi kishte vrarë Ervisin. Ma tha më pas Festimi këtë.

Kur vajtëm për ngushëllim me babain, Fatmira i tha më fal se kam akuzuar Festimin nga tronditja. Isha unë, Agroni, babai, mamaja. Festimi ishte në kërkim policor. Babai i tha Fatmirës, nuk ka gjë mjafton të gjendet kush e ka vrarë.

E mora vesh që e kishte thënë në polici, e di sa miq policë kam unë o prokuror?

SPAK: E pyete Festimin për të ka akuzuar Fatmira?

Petrit Qoli: Më tha dyshon se mos ngaqë jemi ftohur. Pasi Festimi i ka dërguar kontratën, tha që Fatmira u qetësua.

SPAK: Si është vrarë Ervisi, si e zbulove?

Petrit Qoli: Ma thanë njerëzit.

SPAK: Cilët njerëz? Sa njerëz?

Petrit Qoli: Vëllai ma ka thënë, Festimi.

SPAK: Kush e vrau Fatmira Habilajn?

Petrit Qoli: Nuk kam shkuar në varrim. Nuk kam shkuar nga turpi i kapitenit, Besniku, vëllai i saj.

Di që vrasësi ka hyrë dhe ka marrë sende me vlerë. E kam dëgjuar në media. Është vrarë te garazhi ku kishte shtëpinë. Makina ishte e zezë, nuk e dalloj markën, e kishte të re akull, ia kishte blerë i biri.

Te pallati ku u vra, kam zyrat. Unë qenë me familjarët e mi. Isha në timon në Përrenjas, isha duke ikur në Pogradec. Më tha kushëriri im në telefon kanë vrarë nënën e Ervisit, kërkon policia Festimin. I thashë ç’më duhet mua me Festimin.

Festimin e kam takuar më pas. Nuk e mbaj mend sa kohë më pas. Pas vdekjes së të birit, Fatmira shkonte herë pas here te karburanti për ato llogaritë.

SPAK: Talo Çela ka qenë emër i dëgjuar për ju në vitet 2012–2013?

Petrit Qoli: Nuk e njoh, nuk kam folur kurrë në telefon. Nuk njoh asnjë nga hasmit e Nuredin Dumanit.

Video

Monika Kryemadhi është paraqitur në ambientet e GJKKO në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje.

Edi Rama i skërmitet opozitës ndërsa pritet të bashkojnë votat për Bordin e Paqes…

PS dhe PD bashkë për planin e Donald Trump….

Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike paraqitet në SPAK. Jonaid Myzyri është i pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Bëhet fjalë për tenderin me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor rreth 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)–Shpal, Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme