Kronika 13 Tetor 2025, 17:25 Nga VNA

Përshkallëzohet protesta e minatorëve në Spaç, policia shoqëron dy protestues

Ndaje në Whatsapp
Përshkallëzohet protesta e minatorëve në Spaç,

Punonjësit e minierës së bakrit në Spaç e përshkallëzuan protestën të hënën, duke bllokuar hyrjen e kompanisë koncesionare turke “Tete Albania” dhe duke bojkotuar punën për të pestën ditë radhazi. Rreth 70 minatorë u grumbulluan në orët e para të mëngjesit në rrugë dhe më pas u përplasën me policinë, e cila shoqëroi dy nga minatorët protestues.

Minatorët kërkojnë njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte paga të drejta dhe kushte të sigurta pune. “Më kanë zhgënjyer me rrogën dhe me kushtet. Brenda ligjit dhe kushtetutës, ne duam kushte për punë”, tha Përparim Simoni, minator protestues. Simoni tha se ata kërkonin drejtësi në vendin e punës. “Unë punoj nëntokë prej shumë vitesh dhe nuk mund të rrezikoj jetën për 20–30 mijë lek të vjetra në ditë. Kemi krijuar sindikatën që prej muajit gusht dhe këta nuk na njohin dhe nuk pranojnë fare të ulen në bisedime”, thotë ai.

Minatorët thonë se ata nuk do të tërhiqen nga kërkesat që i janë bërë kompanisë. “Pagat janë të ulëta, është turp me e ndi kush. Nuk ka shans të tërhiqemi deri në plotësimin e të drejtave tona, të cilat i kemi paraqitur me shkrim”, u shpreh minatori Fran Nikolli, duke paralajmëruar vijim të protestave.

Në mbështetje të punëtorëve doli Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Kryetari Kol Nikollaj e quajti sjelljen e kompanisë “tallje” me punonjësit, duke theksuar se e drejta për organizim kolektiv dhe grevë është e mbrojtur nga ligji dhe konventat ndërkombëtare. “Minatorë, forca juaj është bashkimi. Ju jeni bijtë e tokës, ata që nxirrni pasuritë nga nëntoka, por që shpesh trajtoheni padrejtësisht në dritën e diellit. Sot nuk po flisni vetëm për veten tuaj, por për çdo punëtor të këtij vendi,” tha Nikollaj.

Nga ana tjetër, kompania “Tete Albania”, përmes Drejtorit të Përgjithshëm Cem Koray Vagci, deklaroi se nuk është kundër dialogut, por nuk e njeh si përfaqësues Kol Nikollajn dhe se sindikata me të cilën minatorët po aderojnë “nuk plotëson kriteret ligjore”.
“Ne jemi të hapur për bisedime me minatorët dhe këtë ua kemi bërë të ditur, por sindikata me të cilën ata po aderojnë nuk plotëson kriteret ligjore. I kemi kërkuar të plotësojë dokumentet, por nuk i kanë sjellë dhe në këto kushte nuk mund të bëjmë bisedime. Pezullimi i punës që prej datës 8 tetor po na sjell dëm ekonomik dhe do të ndjekim hapat ligjorë për këtë çështje. Nuk është aspak e vërtetë që pagat dhe kushtet e punës janë ashtu siç ata pretendojnë”, tha në një bisedë në zyrën e tij drejtori i përgjithshëm Cem Koray Vagci.

Në mesditë policia ndërhyri kundër protestuesve, duke kërkuar të lirohej rruga e bllokuar, çka solli tensione dhe konfrontime mes palëve. Dy minatorë u shoqëruan në komisariat.

Minatorët thanë se do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat të merren në konsideratë dhe të nisin bisedimet formale për kontratën kolektive. Kompania, ndërkohë, këmbëngul në respektimin e procedurave ligjore për njohjen e sindikatës përpara çdo negociate./BIRN/

 

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme