Kronika 17 Janar 2026, 08:51 Nga VNA

Përmbytjet nxjerrin në pah keqmenaxhimin e territorit dhe infrastrukturës

Ndaje në Whatsapp

Përmbytjet nxjerrin në pah keqmenaxhimin e territorit dhe

Përmbytjet prekën disa qarqe të Shqipërisë në jabën e dytë të Janarit, duke shkaktuar bllokime rrugësh, dëme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të aktiviteteve në zona urbane dhe rurale, si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve të ujërave.

Sipas autoriteteve, moti i keq ka shkaktuar një të vdekur, përmbytjen e gati 1600 banesave dhe të 14 mijë hektarëve tokë bujqësore, në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Berat dhe Korçë. Për t’iu përgjigjur dëmeve, qeveria ka akorduar një fond prej 50 milionë euro për t’u ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara.

Vërshimet e ujërave e gjetën Shqipërinë të papërgatitur. Situata e krijuar, gjithashtu nxori në pah problemet e përsëritura me infrastrukturën e kullimit dhe kanalizimeve, argjinaturat e amortizuara dhe mungesën e masave parandaluese.

Nërsa vendi përllogarit dëmet e shkaktuara, ekspertët paralajmëruan se fenomene të tilla pritet të bëhen më të shpeshta dhe më të forta në kushtet e ndryshimeve klimatike.

“Fenomenet e motit kanë qenë dhe do të jenë të pranishme,” tha Kristi Bashmili, ekspert mjedisor me Organizatën Shqiptare të Ornitologjisë. “Fatkeqësisht reagimi ndaj këtyre fenomeneve, përballimi me sa më pak kosto i ngjarjeve të tilla apo fatkeqësive natyrore duket i dobët,” shtoi ai.

Sipas Bankës Botërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga zonat më të prekura të Europës nga ndryshimet klimatike. Ndryshimi i klimës po sjell fenomen ekstreme të motit dhe si pasojë përmbytjet, zjarret, thatësirën dhe dukuri të tjera negative. Shqipëria konsiderohet si një nga vendet e rrezikuara.

Gjatë viteve të fundit, thatësirat e zgjatura, të ndjekura nga reshje intensive, po shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe probleme serioze në bujqësi dhe infrastrukturë.

“Këtë herë fati nuk na ndihmoi, dhe ne pamë përmbytje masive të shkaktuara jo vetëm nga prurjet e lumenjve, por nga mosmirëmbajtja e argjinaturave dhe kanaleve të kullimit,” tha Besjana Guri, aktiviste mjedisore dhe drejtuese e qendrës mjedisore “LUMI”.

Sipas Gurit, një tjetër shkak për përmbytjet masive është edhe niveli i lartë i erozionit që ka Shqipëria.

“Një nga shkaktarët kryesorë të vërshimeve është erozioni i lartë dhe humbja e pyjeve në shpatet malore apo në zonat breglumore,” tha ajo. “Nga ana tjetër, gërryerja e shtratit të lumenjve dhe marrja e inerteve pa kriter vetëm sa e përkeqëson situatën dhe nxit edhe më tepër vërshimet,” shtoi Guri.

Sipas Kristi Bashmilit, edhe kanalet kulluese ishin të pakontrolluara dhe të papastruara, çka solli që vendi të përmbytej me reshje që mund të konsiderohen relativisht normale.

“Ngjarjet e fundit treguan që jemi të papërgatitur mirë dhe që nuk i kemi marrë aq seriozisht sa duhet fatkeqësitë natyrore,” tha ai.

“Dikush tha që kanalet janë të zëna nga mbetjet, diku u pa që ishin të zëna nga pllaka betoni, diku pamë ura mjaft të ulëta për të maksimizuar kalimin e ujit, pra në Shqipëri shikojmë që kemi mungesë të theksuar të kontrollit paraprak të strukturave kulluese,” shtoi eksperti i mjedisit.

Bashmili theksoi se shpyllëzimet dhe djegiet e kryera ndër vite në zonat kodrinore dhe malore po japin pasojat e tyre nëpërmjet fenomeneve të përmbytjeve në zonën e ultësirës.

“Përrenjtë malorë të padisiplinuar ne i shikojmë kudo dhe kujtohemi për to vetëm kur uji ka ardhur dhe është vështirë të menaxhohen sepse kanë fuqi të jashtëzakonshme kur dalin në zonë të banuar,” shpjegoi Bashmili për BIRN.

Keqmenaxhimi i territorit është një tjetër shkak parësor që ndikon në pasojat fatale të fatkeqësive natyrore. Sipas Besjana Gurit, ndërtimi pa kriter në zona pranë shtretërve të lumenjve ndikon seriozisht në rritjen e dëmeve sociale, mjedisore dhe ekonomike të fatkeqësive natyrore.

“Ndërtimi i bizneseve apo shtëpive që janë ngritur në shtretërit aktivë të lumenjve dhe janë të predispozuar të përmbyten sjell kosto të mëdha për komunitetin,” tha ajo.

Sipas ekspertëve të mjedisit, përmbytjet e janarit nuk janë vetëm fatkeqësi natyrore, siç është munduar t’i paraqesë qeveria, por tregues i qartë i mungesës së masave parandaluese.

“Institucionet qendrore duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe urgjentë për të minimizuar në maksimum katastrofa të tilla, duke e marrë seriozisht çështjen e ripyllëzimeve dhe masave të shpejta të parandalimit dhe monitorimit të situatës,” tha Guri.

Ajo shtoi se gjithashtu shteti shqiptar duhet të vendosë në prioritetet e tij ndërmarrjen e masave për parandalimin e përmbytjeve në zonat e riskut, duke ndërmarrë paralelisht masat e ripyllëzimit dhe mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit./BIRN/

Video

Kryeministri kanadez Mark Carney po përpiqet të rikalibrojë marrëdhëniet me Kinën, me këtë qëllim ai po zhvillon një vizitë katërditore në Pekin – vizita e parë e një kryeministri kanadez që nga viti 2017. Ai vlerësoi udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping dhe përparimin e marrëdhënieve, duke nxitur bashkëpunim në energji, bujqësi, lidhje njerëzore dhe siguri. Këto përpjekje janë nxitur gjithashtu nga shtysa për të diversifikuar tregjet e eksportit, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi tarifa mbi disa mallra nga Kanadaja vitin e kaluar dhe sugjeroi se aleati i hershëm i SHBA-së mund të bëhej shteti i 51-të i vendit të tij. Më herët Trump është shprehur se Marrëveshja Tregtare SHBA-Meksikë-Kanada, e cila është për rishikim këtë vit, nuk është relevante për SHBA-në. Në një kohë që historikisht, Kanadaja ka dërguar rreth tre të katërtat e eksporteve të saj në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kina është partneri i saj i dytë tregtar.

Presidenti Donald J. Trump deklaroi para gazetarëve, jashtë Shtëpisë së Bardhë, se kishte vendosur të mos ndërmerrte sulme ushtarake kundër Iranit. Gazetarët e pyetën nëse ishte ndikuar nga zyrtarë arabë apo izraelitë për të mos e sulmuar Iranin. Trump u përgjigj se vendimi kishte qenë plotësisht i tij. Ai tha se një ditë më parë ishin planifikuar mbi 800 ekzekutime me varje, por ato ishin anuluar dhe askush nuk ishte ekzekutuar, gjë që sipas tij pati një ndikim vendimtar në qëndrimin e tij. Videocredits: FoxNews

SPAK dhe BKH po kryejnë kontroll në një objekt në afërsi të rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë. Mësohet se veprimet po realizohen në kuadër të një hetimi që po zhvillohet në bashkëpunim me partnerë të huaj. https://www.vna.al/kronika/spak-dhe-bkh-kontrolle-ne-nje-pallat-ne-tirane-prane-myslym-shyrit-i18966

Momenti kur policia e Durrësit shoqëron ish-drejtorin burgut të këtij qyteti Indrit Cërrloj

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme