
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj gjashtë personave, mes të cilëve zv.drejtoresha Brikena Qirjazi, koordinatori Emiljano Leka, si mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), si dhe administratori i një kompanie farmaceutike. Ata akuzohen se dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private për trajtimet që duhet të bëheshin në spitalin shtetëror, si dhe sabotuan pajisjet e trajtimit të sëmurëve me tumor. Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, “Fshehja e të ardhurave” si dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Fillimisht çështja u referua në SPAK, pasi dyshimet e para kishin të bënin me veprën penale të korrupsionit, por më pas u transferua në Prokurorinë e Tiranës për kompetencë lëndore.

Gjatë hetimeve u arritën të dokumentohen raste ku pacientëve të ndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor, orientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUT.
Gjithashtu rezultoi se pranë Spitalit Onkologjik në QSUT ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale. Që të përdorej kjo aparaturë duhet të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose agjencia ndërkombëtare IAEA. Ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike, në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë, me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifike. Nga viti 2021, kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri, nuk është në shfrytëzim, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë provoi se shtetasi Emiljano Leka, në cilësinë e koordinatorit pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marrë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur ajo sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se i pandehuri Emiljano Leka ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Po kështu edhe e pandehura Alketa Pere, në cilësinë e administratores pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, u provua se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se e pandehura Alketa Pere ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Brikena Qirjazi, në cilësinë e zv.drejtoreshës në QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimit të rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit. Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi. Sa më sipër, rezulton e provuar se e pandehura Brikena Qirjazi ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe shtetasja Drilona Kishta, në cilësinë e specialistit pranë QSUT, ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre. Kjo shtetase hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë. Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur. Si pasojë e kësaj veprimtarie është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit. Sa më sipër, shtetasja Drilona Kishta rezulton se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Përsa i përket shtetasit Halil Gashi, rezultoi se ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë, duke përfshirë shërbime si skaner dhe mamografi, si dhe ka lejuar që mjekë të punojnë në mënyrë të paregjistruar. Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave. Sa më sipër rezultoi e provuar se i pandehuri Halil Gashi ka konsumuar veprën penale të “Fshehja e të ardhurave”.
Së fundmi, shtetasi Florian Marku, në cilësinë e administratorit të “Flori Farma”, ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte ose duhej të dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar). Si administrator i subjektit farmaceutik ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë, duke konsumuar veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Të pandehur:
* Emiljano Lela
* Alketa Pere
* Brikena Qirjazi
* Drilona Kishta
* Halil Gashi
* Florian Marku






















