Kronika 17 February 2026, 21:19 Nga VNA

Në Shënjestër zbardh pasuritë e krimit që janë nën menaxhim shtetëror: 51 milionë euro asete mes sfidave dhe rikthimit në shërbim të publikut

Ndaje në Whatsapp
Në Shënjestër zbardh pasuritë e krimit që janë

Emisioni investigativ Në Shënjestër ka sjellë në vëmendje dritëhijet e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri, një proces që përfshin aktualisht një portofol prej rreth 5 miliardë lekësh, ose mbi 51 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara administron rreth 1700 prona të sekuestruara dhe 550 pasuri të konfiskuara deri në fund të vitit 2025. Bëhet fjalë për apartamente, vila, toka bujqësore, resorte turistike, njësi tregtare, automjete luksoze dhe llogari bankare, të ardhurat e të cilave vetëm gjatë vitit të fundit kanë gjeneruar rreth 1.3 milionë euro.

Një pjesë e këtyre aseteve janë vënë në funksion social. Disa prona të konfiskuara nga trafiku i narkotikëve apo korrupsioni i nivelit të lartë janë shndërruar në strehë për viktimat e trafikimit dhe dhunës, punishte artizanale për gra në nevojë, si dhe qendra sociale për të rinjtë në qytete të ndryshme të vendit.

Megjithatë, administrimi i këtyre pasurive përballet me sfida të shumta. Ekspertët theksojnë hezitimin e qytetarëve dhe bizneseve për të blerë ose marrë me qira prona me origjinë kriminale, për shkak të frikës nga reagimi i ish-pronarëve apo grupeve kriminale. Po ashtu, janë evidentuar raste kur pasuritë e konfiskuara kanë përfunduar sërish, përmes personave të tretë, në duart e të njëjtëve individë që i zotëronin më parë.

Një tjetër problem lidhet me degradimin e pronave gjatë administrimit shtetëror, sidomos në rastet e objekteve të papërfunduara apo bizneseve që kërkojnë menaxhim profesional. Për këtë arsye, procesi i ankandeve për disa kategori pasurish është pezulluar, në pritje të përmirësimeve ligjore dhe mekanizmave më të fortë kontrolli.

Ekspertët ligjorë nënvizojnë nevojën për rritje të transparencës, forcim të hetimit financiar që në fazën e sekuestrimit dhe ngritjen efektive të strukturave të posaçme për mbikëqyrjen e procesit, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Administrimi i pasurive të krimit konsiderohet një nga armët më të forta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por suksesi i këtij procesi, theksojnë ekspertët, varet nga forcimi i shtetit ligjor, transparenca institucionale dhe garantimi që këto asete të rikthehen realisht në shërbim të publikut.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme