
Pas një hetimi 2-vjeçar SPAK zbuloi një skemë tjetërsimi pronash dhe goditi grupin kriminal të drejtuar nga Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur si Rrumi. Ndaj tij u firmos një urdhër arresti, por aksioni i policisë që u ndërmor mëngjesin e së enjtes për ta vënë në pranga, nuk dha rezultat. Rrumi, i cili i mbijetoi atentatit te mbikalimi i Shkozetit me 1 nëntor 2019, teksa udhëtonte në makinën e ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, konsiderohet si kreu i grupit kriminal që ka tjetërsuar sipërfaqe të mëdha pronash në bregdet, përmes falsifikimit të dokumentave. Në atentatin e 2019 mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i prokurorit, ndërsa Arjan Ndoj sot deputet në Kuvend dhe miku i tij Rrumi mbetën të plagosur.
Si anëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Rrumi, dyshohen të jenë vëllai i tij, Vullnet Muça, Agron Bejdolli dhe Vlash Brahja. Për ta është firmosur masa e arrestit në burg. Për Ermira Avdylin masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit, pasi dyshohet për falsifikim dokumentash.
Po cili ishte mekanizmi i tjetërsimit të pronave në zonat më të lakmuara në bregdetin e Durësit?
“Aleksandër Laho në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturual kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; Vullnet Muça, Agron Bejdolli dhe Vlash Brahja dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar”, thotë SPAK.
Nga hetimet reulton se të dyshuarit kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës.
“Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës, heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë””, theksohet në dosje.
Më pas përmes falsifikimit të dokumentave të falsifikuara të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, kalohej në fazën e trasferimit të pronësisë, përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj. ”Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive”, thekson SPAK.
Prokuroria e Posaçme thotë se hetimet zbuluan se më pas këto prona të përfituara përmes falsifikimit të dokumentave, shiteshin te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit).
Pronat që dyshohet se janë përfituar përmes dokumentave të falsifikuara janë vënë nën sekuestro. “Në zbatim të vendimit nr. 614 datë 1.10.2025, u bë sekuestrimi preventiv i 11 (njëmbëdhjetë) pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës”, deklaron SPAK.
Njoftimi i SPAK:
Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi, A.L., në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturual kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; V.M, (alias V.K); A.B, V.B dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.
Keta shtetas dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës, heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”, prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.
Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.
Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit).
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me anë të vendimit nr.97, më datë 1.10.2025, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj shtetasve shqiptarë:
A.L, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, me shume se nje here, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
2. V.M, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit”, dhe i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 312 të Kodit Penal.
3. A.B, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
4. V.B, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
5. E.A, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit E.B alias I. K në datën 24.01.2021 në qytetin e Durresit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal
6. A.B, alias A.A dhe A.S, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku) në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
7. A.D, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku) në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334, paragrafi i parë të Kodit Penal.
8. E.K, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku) në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334, paragrafi i parë të Kodit Penal.
si dhe masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për shtetasen E.A, e dyshuar për veprën penale:
a. “Fallsifikim i dokumenteve”, kryer nga personi që ka pë detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186 paragrafi i tretë i Kodit Penal.
Prokurorët e Posaçëm kanë nxjerrë urdhërat e ekzekutimit të masave të sigurimit më datë 1.10.2025.
Zbatimi i masave të sigurimit ndaj shtetasve V.M, E.K, V.B, A.B dhe E.A, është bërë i mundur nga hetuesit e BKH-së dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarit A.L, E.A, A.B dhe A.D.
Në zbatim të vendimit nr. 614 datë 1.10.2025, u bë sekuestrimi preventiv i 11 (njëmbëdhjetë) pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.
Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe BKH-në për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë në fazën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Falenderojmë veçanërisht Europol, Eurojust, autoritetet gjyqësore të Republikës së Francës dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e tyre, gjatë hetimeve të këtij procedimi penal si dhe në zbatimin e masave të sigurimit personal.