Kronika 23 October 2025, 20:38 Nga VNA

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nuk ka paqe mes Stojanit dhe Bogdanit

Ndaje në Whatsapp
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nuk ka paqe mes

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk gjen paqe. Në mbledhjen e zhvilluar të enjten, procedura për plotësimin e vendit vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës u kthye në objekt debati mes anëtarit të Këshillit, Sokol Stojani dhe kryetares Mirela Bogdani.

Në rendin e ditës ishte rikthyer për diskutim çështja e plotësimit të vendit vakant, edhe pse Komisioni i Karrierës ku bëjnë pjesë Stojani në rolin e relatorit, Bogdani dhe Ledina Riza kishin nënshkruar tre relacione të ndryshme për t’ia paraqitur Këshillit për shqyrtim dhe votim.

Stojani e akuzoi Bogdanin se me vendosjen e kësaj pike në rendin e ditës kishte tejkaluar kompetencat e saj, pasi projekt-aktet dërgohen në Këshill nga komisionet dhe relatorët.

“Ju duhet të mbani përgjegjësi para Këshillit se keni shkelur ligjin,” tha Stojani, duke sjellë në vëmendje edhe raste të tjera kur Bogani ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Ai shtoi se kryetarja e Këshillit ka vetëm rol koordinues dhe për sigurimin e korumit të nevojshëm për të zhvilluar mbledhjen.

Regjistrimi audio i mbledhjes u ndërpre disa herë, ndërkohë që Stojani kërkoi që të mos ndëpritej regjistrimi.

I kontaktuar nga BIRN, Stojani sqaroi se Prokuroritë e Sarandës dhe Kukësit ishin pa drejtues dhe se ishte emergjente që të caktohej dikush.

“Komisioni ka vendosur ta sjellë në Këshill me tre versione të ndryshme. Nuk mund të them se do fitojë alternativa ime, por ta avancojmë. Nuk mund ta mbajmë pafund,” tha ai.

Në diskutime gjatë mbledhjes u përfshinë edhe anëtarët Zeqir Hoda dhe Ledina Riza. Stojani i kujtoi Rizës se ajo kishte nënshkruar vetë relacionin për t’u sjellë për shqyrtim dhe votim.

Hoda i kërkoi Stojanit që të paraqiste në këshill një propozim konkret. “Për refleksione nuk është momenti. Kushdo që ka qëndrim të bëjë propozim,” tha ai.

Stojani kërkoi që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës, ndërsa prokurori Hoda e propozoi të vijohej.

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani i tha BIRN përmes një bisede telefonike se kishte vlerësuar që t’i linte vend diskutimeve mes anëtarëve prokurorë, duke qenë se ata janë direkt të përfshirë në avancimet në karrierë të magjistratëve. “Pas tyre diskutojmë ne që jemi anëtarë joprokurorë dhe kryetari flet në fund të të gjithëve”, tha ajo.

Bogdani sqaroi gjithashtu se duke pasur qëndrime të ndryshme në Komision, ajo kishte vlerësuar që  çështja të merrte gjykimin e Këshillit në mënyrë që “të shterojmë diskutimet dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.

Kryetarja e Këshillit tha se bazuar në ligj dhe në praktikën e mëparshme, drejtuesi nuk mund të caktohet pa qenë më parë në atë zyrë, siç ajo e përshkroi alternativën e propozuar nga Stojani.

“Në ketë kontekst vlerësoj se procedura e propozuar nga z.Stojani bie në kundërshtim me ligjin dhe praktikën e KLP-së”, tha Bogdani.

Por sipas Stojanit, prokurorët e Prokurorisë së Sarandës dhe Kukësit kanë pak vite eksperiencë dhe për rrjedhojë nuk mund të caktohen drejtues, pasi nuk i plotësojnë kushtet ligjore. Ai sqaroi më tej se është e vështirë që prokurorët që shërbejnë pranë prokurorive të mëdha, të pranojnë të transferohen fillimisht si prokurorë të thjeshtë pranë prokurorive të vogla e të largëta. Po ashtu, Stojani solli në vëmendje se ka pasur raste të ngjashme, kur Këshilli ka vendosur të caktojë përkohësisht si drejtues prokurorë jashtë prokurorive përkatëse, pasi ka qenë nevojë emergjente.

Ai nënvizoi se problemi që ngriti të enjten kishte të bënte me procedurën e ndjekur, të kalimit për diskutim të një çështje që duhej të kalonte për votim, duke sjellë zvarritje.

Pas diskutimeve dhe debateve mes anëtarëve prokurorë, nuk u arrit një vendimarrje konkrete për këtë pikë të rendit të ditës në mbledhjen e të enjtes.

Ndërkohë, Këshilli miratoi ndër të tjera caktimet e përkohshme të drejtuesve të prokurorive Durrës dhe Vlorë, si dhe rregulloren “Për caktimin e prokurorëve si magjistratë udhëheqës në programin e praktikës profesionale dhe për vlerësimin etik dhe profesional cilësor të kandidatëve për magjistratë”./Reporter.al

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme