Kronika 24 February 2026, 18:50 Nga VNA

Mjedisorët thirrje për mbrojtjen e lumit Shkumbin nga ndërhyrjet e pakontrolluara

Ndaje në Whatsapp

Mjedisorët thirrje për mbrojtjen e lumit Shkumbin nga ndërhyrjet

Dhjetëra organizata në mbrojtje të mjedisit në Shqipëri kanë kërkuar llogaridhënie dhe transparencë lidhur me punimet dhe ndërhyrjet që po kryhen në lumin Shkumbin në kuadër të projektit për rrugën nacionale Elbasan–Librazhd–Bushtricë.

Në një letër të përbashkët dërguar kryeministrit Rama dhe ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si edhe autoriteteve të tjera vendore përgjegjëse për mjedisin, 25 organizata mjedisore kanë kërkuar marrjen e masave urgjente për të parandaluar ndërhyrjet e dëmshme mjedisore në lumin Shkumbin dhe zonat përreth tij, që po kryhen në kuadër të punimeve për rrugën Elbasan–Librazhd–Bushtricë.

Në kushtet e rrëshqitjeve të fundit të dheut në aksin nacional Librazhd–Bushtricë dhe ndërprerjeve të qarkullimit në juglindje të vendit, shqetësimet e mjedisorëve lidhur me këto ndërhyrje në brigjet e lumit Shkumbin janë përforcuar edhe më shumë.
“Kjo ngjarje e fundit përforcon shqetësimin tonë të ngritur më parë lidhur me ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin”, shkruan deklarata e përbashkët e 25 organizatave vendase në mbrojtje të mjedisit.

“Punimet kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur dinamikën e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth”, vijon deklarata e aktivistëve mjedisorë.

Një nga kantieret më të rëndësishme të projektit të Korridorit VIII konsiston pikërisht në rrugën Elbasan–Librazhd, ku prej dy vitesh po punohet për ndërtimin e dy tuneleve me një gjatësi prej 1.1 km. Qeveria e ka konsideruar këtë projekt si një arterie të rëndësishme qarkullimi, e cila do të çlirojë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave.

Gjithsesi, mjedisorët kërkojnë të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të mjedisit dhe të lumit Shkumbin, që vjen si pasojë e punimeve të fundit në brigjet e lumit, duke kërkuar respektimin e kuadrit ligjor mjedisor dhe ujor, si edhe transparencë mbi procesin e sigurimit të lejes së ndërtimit dhe rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara në zonë.

“Kërkojmë verifikim të ligjshmërisë dhe masa konkrete lidhur me ndërhyrjet e konstatuara në lumin Shkumbin dhe brigjet e tij, veçanërisht në kontekstin e punimeve për ndërtimin e rrugës nacionale Elbasan–Librazhd–Bushtricë, si pjesë e Korridorit VIII”, shkruhet në letrën drejtuar institucioneve shtetërore.

“Punimet në zonë po shfrytëzojnë materiale inerte nga shtrati dhe brigjet e lumit, duke shkaktuar ndryshime të drejtpërdrejta në morfologjinë e tij”, vijon letra e mjedisorëve, e cila shton më tej se në shtratin e lumit po depozitohen dhera, gurë dhe materiale të tjera.

Sipas aktivistëve të mjedisit, këto veprime sjellin përkeqësim të cilësisë së ujit, por edhe të biodiversitetit dhe habitateve natyrore breglumore.
“Prej rritjes së turbullirës dhe ngarkesës së sedimenteve në trupin ujor, shtohet rreziku për erozion, shembje të brigjeve dhe përmbytje”, citojnë mjedisorët.

Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të kryejnë një inspektim urgjent në terren, të pasuar me një raport zyrtar me gjetje konkrete që do të krijonte transparencë mbi procesin e monitorimit, si edhe kërkuan një plan të mundshëm rehabilitimi të zonave të dëmtuara.

“U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë me veprime konkrete, afate të qarta dhe përgjegjësi të përcaktuara”, shprehen 25 organizatat mjedisore në letrën dërguar institucioneve përgjegjëse.

“Mbrojtja e lumit Shkumbin është një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore”, përfunduan ata./BIRN/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme