Kronika 30 Shtator 2025, 16:58 Nga VNA

Letra e BE: Shqetësimet e banorëve të Kurdarisë, pjesë e dialogut me qeverinë

Ndaje në Whatsapp
Letra e BE: Shqetësimet e banorëve të Kurdarisë, pjesë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u ka premtuar banorëve të fshatit Kurdari në Klos se do të ngrejë në diskutimet me qeverinë shqiptare shqetësimin e tyre për lejen për ndërtimin e një hidrocentrali në lumin e fshatit, sipas një korrespondence që disponohet nga BIRN.

Në përgjigje të një letre nga banorët e zonës, Delegacioni i BE në Shqipëri thotë se ndërsa “nuk ka mandat ligjor të ndërhyjë në çështje specifike, do ta ndjekë këtë rast në dialogun që zhvillon me institucionet e qeverisë shqiptare gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit.”

Ndërsa kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës, banorët i janë drejtuar institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, mes tyre edhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke denoncuar mungesën e konsultimit publik, pasojat mjedisore dhe presionet e kompanisë “Global Interprise Group”. Ata thonë se projekti rrezikon ujin e pijshëm, tokat bujqësore dhe jetesën e qindra familjeve, ndërsa u kanë kërkuar institucioneve evropiane ndërhyrje për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Në letrën e tyre, banorët i referohen standardeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e komuniteteve në vendimmarrje, duke theksuar se injorimi i shqetësimeve të tyre bie ndesh me obligimet që Shqipëria ka si vend kandidat. Ata kujtojnë se Konventat e Aarhus dhe Espoo, të cilat kërkojnë transparencë dhe pjesëmarrje qytetare, janë pjesë e detyrimeve që vendi duhet të përmbushë në procesin e integrimit.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i është përgjigjur zyrtarisht ankesës së banorëve, duke konfirmuar se ka shqyrtuar pretendimet dhe dokumentet e tyre. “Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të madhe të drejtave të qytetarëve, të drejtave pronësore dhe respektimit e mbrojtjes së mjedisit. Këto parime janë prioritete kyçe të vendosura nga BE për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë,” thuhet në përgjigje.

Megjithatë, Delegacioni ka sqaruar se nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në çështje të tilla, por se do i ngrejë ato në bisedimet me qeverinë.

Shqetësimet rreth moskonsultimit të palëve dhe konfliktit në terren po ndikojnë drejtpërdrejt në progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, një shqetësim i adresuar vazhdimisht në raportet e BE-së.

Eksperti i mjedisit dhe klimës, Rodion Gjoka shpjegon se pengesa kryesore nuk është legjislacioni, por veprimi në praktikë.

“Ligjet janë afruar me ato të BE-së, por ajo që mungon është zbatimi,” tha Gjoka.  “Për të ecur përpara në procesin e integrimit, vendi duhet të fokuset te forcimi i mekanizmave zbatues: Ne nuk kemi as njerëz, as burime teknike, as institucionet të kualifikuara për të siguruar që ligjet të zbatohen,” shtoi Gjoka, ndërsa shpreson se zgjidhja e këtij konflikti të vijë jo vetëm “për hir të integrimit, por për hir të zhvillimit të interesave vendase”.

Konflikti midis komuniteteve lokale dhe zhvilluesve privatë në Shqipëri, sipas Gjokës, është një problem i përsëritur dhe jo një rast i izoluar. “Ky konflikt i vazhdueshëm është i shkaktuar qëllimisht nga amendimi i ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, i cili hoqi dëgjesat publike. Kjo ka lënë komunitetet pa zë,” tha ai, duke shtuar se “shfrytëzimi i resurseve natyrore bëhet vetëm për interes privat”.

Çështja për ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës ka kaluar tashmë në betejë gjyqësore. Banorët kërkojnë pavlefshmërinë absolute të vendimeve të Këshillit Bashkiak, kontratave të lidhura me kompaninë si dhe të lejeve të dhëna për shfrytëzimin e ujit dhe ndërtimin e hidrocentralit. Në ditët në vijim, banorët kanë paralajmëruar se do ta zhvendosin protestën e tyre edhe në Tiranë, përpara Kuvendit dhe ministrive të linjës. Kjo me synimin për ndalimin përfundimtar të projektit.

Në Dibër, si dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë, banorët kanë shprehur shqetësime të ngjashme lidhur me projektet e hidrocentraleve, duke kërkuar mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave të tyre.

Në një linjë të ngjashme, edhe Parlamenti Europian në korrik 2025 i kërkoi autoriteteve shqiptare të tërhiqen nga projekti i Skavicës, duke vënë theksin tek detyrimi për respektimin e standardeve të BE-së dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje./BIRN

 

 

Video

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Një 89-vjeçar ka hapur zjarr këtë të martë në qendër të Athinës, duke plagosur disa persona në dy sulme të njëpasnjëshme. Autori qëlloi fillimisht në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe më pas brenda një godine gjykate. Policia ka gjetur armën e krimit, një pushkë gjahu, dhe ka nisur një operacion masiv për kapjen e autorit. Ndërsa të plagosurit ndodhen në spital.

Kur e pyet Sali Berishën se ç’mendon për debatet Spiropali-Rama…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme