Kronika 12 Maj 2026, 09:24 Nga VNA

Kokaina dhe prostitucioni i luksit përmbysin provincën shqiptare

Ndaje në Whatsapp
Kokaina dhe prostitucioni i luksit përmbysin provincën shqiptare

Bajzë, Malësia e Madhe, Bulqizë, Grabjan, Lushnjë, Prrenjas, Patos. Dimal! Nëse po vrisni mendjen se çfarë kanë të përbashkët këto toponime të larmishme, është kjo: operacionet e policisë që kanë kapur sasi të ndryshme kokaine për shpërndarje te konsumatorët finalë. Policia e Shtetit ka njoftuar gjatë muajit prill 23 raste të operacioneve të arrestimit të personave të dyshuar për shpërndarje kokaine, ose për shpërndarje kokaine dhe canabisi në doza të vogla për konsumatorët shqiptarë.

Kokaina konsiderohet lënda narkotike më e shtrenjtë, me çmim që zakonisht nuk bie nën 100 euro për gramë, ndonëse, shitësit i japin blerësve mundësinë për të blerë sasi më të vogla se një gram. Por edhe në rastet kur doza e kokainës konsiston në vetëm 0.2 gramë, sërish, pagesa e kërkuar arrin në afërsisht çmimin që mund të fitohet nga një ditë punë e lodhshme. Kjo dukshëm sugjeron se, ndërsa, sipas statistikave të Bankës Botërore, pothuajse një në çdo katër shqiptarë jetojnë me më pak se 700 lekë në ditë, një numër i panjohur kanë mirëqenie të mjaftueshme për të konsumuar kokainë dhe këta konsumatorë, që deri më sot janë kufizuar në zonën  e njohur si ish-blloku në Tiranë, apo në  zonat turistike të shtrenjta si Dhërmiu, duket se janë shtrirë në shumë qytete të tjera, përfshirë edhe zonat rurale.

Shumica e kokainës së sekuestruar gjithsesi i përket Tiranës. Por në pjesën tjetër të vendit ka pasur numër më të lartë të arrestuarish. Më 28 mars, policia njoftoi se një operacion i gjatë solli arrestimin e njëmbëdhjetë personave të përfshirë në zonën e ish-Bllokut, kryesisht administratorë lokalesh që kishin biznes anësor shitjen e kokainës dhe gjatë këtij operacioni u sekuestruan në total 100 gramë kokainë. Ndërsa më 30 prill, policia gjeti një kilogram kokainë në një automjet të parkuar në Tiranë, (zona ku u gjet nuk u raportua.)

Gjithsej për periudhën mars-prill pati 30 informacione policore të rasteve të trafikut të kokainës më vete ose të kokainës dhe cannabisit bashkë, nga të cilat, gjashtë ishin raste të zbuluara në Tiranë dhe 24 të tjerat, në rrethe.

Në total, sasitë e raportuara nga policia gjatë periudhës mars prill flasin për mbi 3.6 kilogram kokainë të sekuestruar në të gjithë vendin për ato njoftime në të cilat është dhënë sasia konkrete. Në tetëmbëdhjetë njoftime, sasia e sekuestruar është raportuar në “disa doza” ose “sasi e vogël” ose “qindra doza” pa dhënë peshën specifike.

Sasi të tilla kokaine u kapën, më 26 mars, në një lokal në qytezën minerare të Bulqizës ndërsa më 14 prill, policia ndaloi dy qytetarë të dyshuar shpërndarës droge në fshatin Grabjan të Lushnjës. Më 19 prill, një shtetas suedez i dyshuar si shpërndarës u kap në qytetin ish-industrial të Patosit. Ndërsa në 6 maj, sasi kokaine u kap në Bajzë, qyteza dikur stacion treni në Shqipërinë e veriut.

Punëtoret e huaja të seksit

Krahas operacioneve për kapje kokaine, lajmi tjetër dominues i Policisë së Shtetit gjatë dy muajve të fundit ka të bëjë me trembëdhjetë operacione në të cilat janë evidentuar 30 qytetare të dyshuara për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit.

Vetëm një nga të dyshuarat është shqiptare ndërsa të 29 rastet e tjera japin një panoramë të larmishme origjine. Të dyshuarat për prostitucion kanë ardhur në Shqipëri nga Vietnami, Kina, Kolumbia, Brazili, Ukraina dhe Rumania. Ashtu si rastet e kokainës, edhe rastet e prostitucionit të luksit, për të cilat thuhet se shërbimi kushton rreth 250 euro, ose më shtrenjtë se sa pensioni mesatar mujor i vendit, janë gjetur në vende befasuese.

Krahas Durrësit e Tiranës, Elbasani, qyteza industriale veçanërisht e njohur për krim dhe varfëri, rezulton treg tërheqës për profesionin më të vjetër në botë. Një operacion policor arrestoi katër qytetare të huaja më 30 prill, në një qendër që ofronte, krahas këtij shërbimi, edhe kokainë e marijuanë sipas dëshirës. Po kështu, më 10 mars, në Fier u ndaluan dy qytetare rumune të dyshuara për ofrimin e këtij shërbimi në këtë qytet.

Shqipëria është njohur gjatë viteve të fundit si vendi i origjinës së grupeve të shumta të krimit të organizuar të angazhuar në trafikun ndërkombëtar me shumicë të kokainës nga Amerika Latine për në Evropë si dhe për shpërndarjen me pakicë në shumë vende të Evropës. Lajmet e fundit sugjerojnë se gjasat janë që Shqipëria po kthehet gjithashtu, jo vetëm si vendi ku përfundojnë shumë nga flukset monetare të fitimeve të realizuara nga trafiku ndërkombëtar i drogës, por edhe si një konsumator potencial i kokainës./BIRN

 

Video

Panik dhe alarm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa me 177 pasagjerë dhe 7 persona të ekuipazhit u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik. Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit, ndërsa rreth orës 18:35 piloti kërkoi kthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”. Ulja u realizua pa probleme, megjithatë menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert e avionit, aktivizuan rrëshqitëset fryrëse të emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina siç pasqyrohet edhe në një video që po bën xhirron e mediave greke. Sipas autoriteteve greke, si ekuipazhi ashtu edhe të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë evakuimit pati dy lëndime të lehta.

Një video e jashtëzakonshme e publikuar nga NASA tregon momentet kur astronautët e misionit Artemis II eksperimentojnë me një pikë uji brenda kapsulës Orion, duke shfrytëzuar kushtet e mikrogravitetit gjatë udhëtimit historik rreth Hënës. Në videon e publikuar, një pikë uji shihet duke formuar një sferë pothuajse perfekte që noton lirshëm në kabinë. Astronauti Jeremy Hansen, për herë të parë në hapësirë, shihet duke vëzhguar sferën transparente, ku reflektimi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës. Më pas ai e manipulon me kujdes sferën e ujit përmes një kashte, duke e lënë sërish të notojë në mikrogravitet. NASA shpjegon se ky fenomen ndodh për shkak të mungesës së gravitetit, ku forcat e tensionit sipërfaqësor bëjnë që uji të marrë formën më të qëndrueshme, atë të një sfere.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Gaziantep, ku një 31-vjeçar dhe një grua morën peng një shofer taksie nën kërcënimin e armës dhe tentuan të arratiseshin nga policia. Gjatë ndjekjes, autori hapi zjarr ndaj policisë nga brenda taksisë, ndërsa shoferi 58-vjeçar shfrytëzoi momentin për t’i marrë armën dhe për ta çarmatosur. Menjëherë më pas, policia ndërhyri dhe arrestoi dy autorët. Shoferi mbeti i plagosur lehtë në gisht, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Lamine Yamal ishte në qendër të festimeve të FC Barcelona pas fitimit të titullit në La Liga. Gjatë paradës me autobus të hapur, talenti 18-vjeçar valëviti një flamur palestinez, një gjest që mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Po ashtu, Yamal u shfaq me një bluzë me mbishkrimin “Falënderoj Zotin që nuk jam Madridista”, duke shtuar rivalitetin sportiv me Real Madrid CF pas triumfit të Barcelonës në El Clasico. Me këtë sukses, Yamal ka arritur të fitojë tre tituj kampionë në La Liga në moshën 18-vjeçare, një rekord në historinë e Barcelonës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme