Kronika 10 November 2025, 09:35 Nga VNA

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi akuzon “Top Channel” për publikim të rremë dhe cenim të figurës së magjistratëve

Ndaje në Whatsapp
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi akuzon “Top

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka reaguar ashpër pas publikimit të një materiali nga televizioni “Top Channel”, të cilin e cilëson si “tejkalim të kufijve të ushtrimit të përgjegjshëm të lirisë së medias”. Në deklaratën e tij zyrtare, KED thotë se raportimi përmban “akuza të pabazuara, pretendime të rënda, të pavërteta dhe të rrezikshme”, që sipas institucionit “cenojnë figurën e magjistratëve të përmendur dhe autoritetin e organeve kushtetuese”.

Sipas Këshillit, indikacionet paraprake tregojnë se publikimi i bërë nga media “mbështetet mbi të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, në kufijtë e shkeljeve penale”. Në reagim, theksohet se kjo përbën “një devijim serioz nga standardet ligjore dhe etike të informimit publik, ndërsa mbetet i paqartë qëllimi i vërtetë i lajmit”.

Institucioni sqaron se çdo veprim dhe vendimmarrje e tij është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe është formalizuar me vendime të publikuara rregullisht në faqen zyrtare të KED, në respekt të parimit të transparencës dhe llogaridhënies publike. “Një gjë e tillë nuk ka gjetur pasqyrim në raportimin mediatik të lartpërmendur”, thuhet në deklaratë.

Këshilli kujton se ligji përcakton qartë se të dhënat që prekin sigurinë kombëtare “administrohen në mënyrë të posaçme dhe nuk mund të bëhen publike”. KED thekson se ka verifikuar informacionin e përmendur në raportim dhe se “të dhënat e përcjella ishin të pabazuara dhe nuk kishin asnjë ndikim ligjor apo faktik në vlerësimin e kandidatit”.

Deklarata e Këshillit e cilëson publikimin “një akt të papërgjegjshëm që cenon rëndë integritetin e magjistratëve, autoritetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe të institucioneve të tjera kushtetuese”. Përhapja ose interpretimi i shtrembëruar i të dhënave të klasifikuara, sipas KED, përbën shkelje të ligjit dhe dëmton besimin e publikut te institucionet.

Këshilli i kërkon organeve kompetente të verifikojnë menjëherë mënyrën se si është siguruar dhe shpërndarë informacioni i pavërtetë që mund të përmbajë të dhëna të klasifikuara. “Duhet të vlerësohen përgjegjësitë ligjore që rrjedhin nga ky veprim për efekt të ndjekjes penale ose administrative”, nënvizon KED.

Në përfundim, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi siguron opinionin publik se mbetet “i përkushtuar që çdo proces të zhvillohet me paanësi, profesionalizëm dhe respekt të plotë për ligjin, i pandikuar nga asnjë formë presioni apo ndërhyrje të paligjshme”. Sipas deklaratës, vlerësimi i kandidaturave do të vijojë “vetëm mbi baza të dokumentuara, të verifikueshme dhe në përputhje me parimet kushtetuese”.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme