Kronika 15 May 2026, 14:46 Nga VNA

Ish-ministri Lefter Koka gjendet jashtë vendit, vendimi i Apelit mbetet pezull

Ndaje në Whatsapp

Ish-ministri Lefter Koka gjendet jashtë vendit, vendimi i Apelit mbetet

Megjithëse Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të enjten rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka lidhur me aferën e incineratorit të Tiranës, kjo vendimarrje mbetet e paekzekutuar, pasi ai gjendet jashtë shtetit prej afro katër muajsh e gjysmë.

Ish-ministri Koka u dënua më 16 prill 2025 nga Shkalla e Parë me 2 vjet burgim për shpërdorim detyre në bashkëpunim në procedurat e aferës së incineratorit të Tiranës. Gjykata urdhëroi gjithashtu shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e tij për këtë çështje me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë paraburgimit, por dy vendime të tjera për kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit e penguan lirimin e tij.

Koka u lirua në dhjetor me vendim të Gjykatës së Durrësit, pasi u vlerësua se i kishte kryer dënimet e dhëna ndaj tij. Gjatë gjykimit në Apel, prokurori i çështjes, Dritan Prençi kërkoi që të përsëritej pjesërisht gjykimi për Kokën, duke kërkuar rillogaritjen e masës së dënimit.

Sipas prokurorit Prençi, pas vendimarrjes së Gjykatës së Durrësit për lirimin me kusht të të pandehurit Lefter Koka në muajin dhjetor të vitit të kaluar, nuk mund të ishte e zbatueshme shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg”. Prençi pretendoi se masa e arrestit për këtë çështje ka qenë e pezulluar, pasi ishin duke u konsumuar masat për aferat e dy incineratorëve të tjerë, atij të Fierit dhe Elbasanit.

Gjykata e Posaçme e Apelit e pranoi kërkesën e prokurorit dhe vendosi të enjten të prishë pjesën e vendimarrjes së Shkallës së Parë, lidhur me shuarjen e masës së sigurisë, prej nga duhet që Koka të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

Avokati i Kokës, Maksim Sota e cilëson të pabazuar këtë vendimarrje të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe në tejkalim të kompetencave.

Sota i tha BIRN të premten gjatë një bisede telefonike se, Gjykata e Posaçme e Apelit në këtë rast doli nga kompetencat e saj, duke marrë kompetencat e gjykatës së ezkekutimit, pasi ka kryer përllogaritjen e masës së mbetur të dënimit. Sipas tij, për të shkuar në vendimarrjen për prishjen e pjesës së shuarjes së masës së sigurimit, me patjetër Apeli ka kryer përllogaritje të kohës së dënimit të konsumuar, ç’ka këmbëngul se nuk është kompetencë e kësaj gjykate. Ai shpjegon se në këtë rast, është gjykata pranë vendit ku vuihet dënimi, që përllogarit kohën e mbetur të dënimit.

Lidhur me faktin se Koka gjendet jashtë shtetit, avokati Sota shpjegoi se  i mbrojturi prej tij ka shfaqur probleme shëndetësore që kur gjendej në burg dhe pasi u lirua në muajin dhjetor, ka shkuar jashtë vendit për të marrë trajtim dhe mjekim më të specializuar.

Sota tha se vendimi i Apelit të Posaçëm i është njoftuar Kokës dhe se ai do të kthehet sapo të përfundojë kurimin.

Nëse ekzekutimi i vendimit të Apelit të Posaçëm nuk do të arrihet të kryhet për një periudhë 5-vjeçare, atëherë masa e dënimit parashkruhet dhe nuk kryhet. Lirime Çukaj, pedagoge e së drejtës penale në Universitetin e Tiranës, shpjegoi për BIRN, se bazuar në gërmën “c” të nenit 68 të Kodit Penal, vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta. “Në një rast të tillë, parashkruhet dhe nuk ekzekutohet masa e dënimit”, pohoi Çukaj.

Lidhur me mënyrën e ekzekutimit të vendimarrjes së Apelit, SPAK i tha BIRN se do të vijojë veprimet procedurale të ekzekutimit të vendimit gjyqësor, sipas procedurës të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale dhe nga ligji “Për ekzekutimin e vendimeve penale”.

Incineratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për trajtimin e mbetjeve urbane, por incineratori nuk u ndërtua asnjëherë, ndërsa dhjetra milionë euro të taksapaguesve u zhdukën pa asnjë gjurmë.

Kompania koncesionare e incineratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV u sekuestrua në gusht të vitit 2023 nga Prokuroria e Posaçme, pasi u zbulua se pronarët fundorë të saj ishin dy biznesmenët famëkeqë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Prokuroria e Posaçme arriti në konkluzionin se kompania koncesionare ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura dhe se u ndihmua nga zyrtarët publikë në përgatitjen e dokumentacionit dhe paraqitjen e ofertës që e shpalli atë fituese./BIRN/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme