Kronika 10 August 2025, 09:51 Nga VNA

Kriminelët e huaj do të dëbohen menjëherë pas shpalljes së dënimit

Ndaje në Whatsapp
Kriminelët e huaj do të dëbohen menjëherë pas shpalljes

Qeveria britanike planifikon të ndryshojë ligjin që t’i lejojë ministrat të dëbojnë çdo të dënuar të huaj që në momentin e shpalljes së dënimit me burg, si pjesë e masave për të adresuar krizën e mbipopullimit në burgje dhe shqetësimet e votuesve për emigracionin masiv.

Shabana Mahmood, sekretarja e drejtësisë, njoftoi se projektligji i ri për dënimet do të parashikojë dëbim të menjëhershëm për çdo të huaj të dënuar me burg, me përjashtim të atyre të shpallur fajtorë për vrasje, terrorizëm ose të dënuar me burgim të përjetshëm. Qeveria parashikon se rreth 3,000 të huaj do të dëbohen më herët nga sa lejon ligji aktual. Aktualisht, të huajt mund të dëbohen pas vuajtjes së gjysmës së dënimit – përqindje që nga shtatori pritet të bjerë në 30%.

Sipas ndryshimeve, të dënuarit e dëbuar nuk do të kenë të drejtë të rikthehen më në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse në vendet e tyre shumica do të lirohen. Mahmood e konsideron “internimin si formë dënimi” dhe anketimet e brendshme të qeverisë tregojnë se 80% e publikut mbështet këtë politikë.

Vendimi vjen mes shqetësimeve pas një sërë arrestimesh të azilkërkuesve dhe migrantëve të akuzuar për vepra seksuale e rrëmbime. Ndërkohë, opozita konservatore e quan masën të pamjaftueshme, duke kërkuar dëbimin e gjithë popullsisë së të burgosurve të huaj dhe kërcënimin me pezullim vizash për vendet që refuzojnë t’i pranojnë.

Në qershor, në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ndodheshin 10,772 të huaj, ose 12% e të gjithë të burgosurve, prej të cilëve 1,731 për vepra seksuale dhe 3,250 për dhunë – shifra më e lartë që nga fillimi i regjistrimeve. Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh (1,193), të ndjekur nga polakët dhe rumunët.

Kostoja vjetore për mbajtjen e një të burgosuri është rreth 54 mijë paund, çka i kushton taksapaguesve mbi gjysmë miliard paund në vit. Mahmood ka nisur edhe lirime të parakohshme për të shmangur mbipopullimin, ndërsa me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, masa do të aplikohet edhe për të dënuarit aktualë.

“Mesazhi ynë është i qartë: nëse abuzoni me mikpritjen tonë dhe shkelni ligjin, do t’ju dërgojmë në shtëpi,” tha Mahmood.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme