Kronika 9 Janar 2026, 16:38 Nga VNA

Debati mes avokatit dhe prokurorit, ILD - KLP: Ceka shkeli etikën

Ndaje në Whatsapp
Debati mes avokatit dhe prokurorit, ILD - KLP: Ceka shkeli etikën

Pas debatit të ashpër në gjykatën e Elbasanit midis avokatit Ulian Barjami dhe prokurorit Gjergj Ceka, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimet lidhur me rastin. ILD i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë masë për shkelje etike për prokurorin.

Avokati Barjami u ndalua për disa orë pas debatit.

Më poshtë raporti i ILD:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar verifikimin e nisur kryesisht, të informacionit të bërë publik në media, ku ngrihen pretendime për shkelje etike, parashikuar nga neni 102, pika 2, gërma “dh” e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga ana e prokurorit z. Gjergj Ceka dhe nga ana e gjyqtares znj. Megi Strakosha, me avokatin z. Ulian Barjami, gjatë debatit të zhvilluar në seancën e datës 17.10.2025 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit M. L. (S.), që përfundoi me arrestimin e avokatit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson paraprakisht se faktet (veprimet apo mosveprimet e magjistratit), të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore, sipas kërkesave të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, nuk janë vetëm ato që parashtrohen në bazë të një informacioni publik, por janë ato që analizohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo vlerësohen në bazë të një procesi verifikimi apo hetimi disiplinor. Në bazë të një informacioni publik mund të paraqiten një tërësi faktesh, të cilat pretendohet se kanë ndodhur dhe që përbëjnë shkelje disiplinore, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të bëjë një cilësim të saktë apo të ndryshëm të fakteve dhe veprimeve, që lidhen me shkeljen disiplinore, pa u lidhur me përcaktimin që mund të pretendohet në këtë informacion publik.

Në kuadër të verifikimit të këtij rasti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka administruar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kopje të procesverbalit të seancës gjyqësore, ku kanë qenë të pranishëm 14 persona, për të cilët do të vlerësohej ligjshmëria e arrestimit në flagrancë dhe do të caktohej masa e sigurimit personal. Debati ndërmjet avokatit dhe prokurorit me pyetje, përgjigje dhe ndërhyrje të shpeshta të ndërsjellta ndërmjet tyre ka nisur pas pyetjes së personit nën hetim M. L. (S.), i cili mbrohej nga avokat Ulian Barjami. Debati ndërmjet avokatit dhe prokurorit, i shoqëruar herë pas here edhe me ndërhyrjen e personit nën hetim M. S., ka pasur si fokus “shprehjet/fjalët e thëna nga personi nën hetim shtetasi M. S., ndaj punonjësve të policisë në momentin e kapjes në flagrancë”, që përfshinin edhe shprehje kërcënuese me jetë. Debati (pyetje, përgjigje, ndërhyrje) është zhvilluar edhe ndërmjet avokatit dhe gjyqtares së çështjes, për të sqaruar kontekstin e përdorimit të këtyre shprehjeve/fjalëve ndaj policisë nga ana e personit nën hetim të mbrojtur prej tij në momentin e kapjes në flagrancë. Debati përmbante qëndrime nga avokati se do të merrej personalisht me prokurorin e të gjithë oficerët e policisë dhe kundërpërgjigjen e prokurorit se avokati do arrestohej për këto deklarime. Rezulton që gjyqtarja t’i ketë tërhequr vëmendjen avokatit dhe prokurorit lidhur me etikën në sjellje ndaj njëri-tjetrit e për t’u fokusuar tek faktet, duke nënvizuar se janë ato që bindin gjykatën.

Në analizë të veprimit e mosveprimit të magjistratit në raport me standardet etike dhe rregullat e sjelljes, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se dispozitat e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të cilat parashikojnë shkeljet disiplinore, nuk mund të interpretohen në mënyrë të kufizuar, por duhet të interpretohen dhe zbatohen në mënyrë të zgjeruar. Kjo për faktin se nuk është e lehtë të precizohet përmbajtja e saktë e veprimeve/mosveprimeve (sjelljeve) dhe as nuk ekziston një përkufizim shterues, përveçse ekzistencës së një numri shembujsh të përcaktuar në Standardet e Etikës dhe Rregullave të Sjelljes së Prokurorit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se sjellja e magjistratëve mbetet shumë e rëndësishme, pasi magjistrati duhet të ketë besim të plotë, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se funksioni dhe roli i tij nuk mund të jetë thjesht një profesion, por është një model sjellje apo mënyrë jetese, që mbart vlera, të cilat jo vetëm duhet të transmetohen, por edhe të shfaqen në publik gjatë gjithë kohës. Për këtë arsye, magjistratët duhet të sillen dhe veprojnë në çdo kohë në përputhje me vlerat etike dhe morale.

Nga verifikimi i rastit:

Rezulton që prokurori të mos jetë vetëpërmbajtur dhe të ketë shkelur rregullat e solemnitetit dhe etikës në komunikim. Marrja e fjalës disa herë në seancë pa lejen e gjykatës, pavarësisht se është formë reagimi e nxitur nga thëniet dhe shprehjet e avokatit, nuk ka qenë në nivelin më të lartë të standardeve etike. Standardet etike nuk zbatohen vetëm gjatë përmbushjes së detyrave e respektimit të ligjit si çdo person tjetër, por edhe duke u sjellë me integritet, ndershmëri, vetëpërmbajtje dhe diskrecion, si gjatë dhe jashtë ushtrimit të detyrës. Personaliteti i magjistratëve si dhe respektimi në mënyrë strikte i standardeve etike në punë e jashtë saj kanë rëndësi të jashtëzakonshme për besueshmërinë ndaj individëve, pjesëmarrësve në procese gjyqësore, sistemit të drejtësisë në tërësi si dhe vetë autoritetin e institucioneve shtetërore në veçanti.

Mbahet në konsideratë fakti se shkaku i nisjes së debatit dhe fokusi i tij kanë qenë shprehjet e përdorura ndaj policisë nga personi nën hetim në momentin e kapjes në flagrancë, fakti se nga ana e mbrojtësit në debatin me prokurorin janë ngritur ndaj tij akuza të drejtpërdrejta në lidhje me një prej provave e pretenduar si e falsifikuar (debat gjatë të cilit një shprehje e avokatit është cilësuar nga gjyqtarja si “kërcënim në sallën e gjyqit”), si dhe fakti se situata në vend në këtë periudhë ndaj zyrtarëve të drejtësisë ka qenë e rëndë, për shkak të vrasjes së gjyqtarit A. K.

Rezulton se si pasojë e komunikimit jo në nivelin më të lartë të standardeve etike nga ana e magjistratit, nuk ka ardhur ndonjë pasojë konkrete në lidhje me ushtrimin e funksionit të prokurorit, si dhe rolit të tij si magjistrat, si dhe sjellja e prokurorit ka pasur karakter të izoluar dhe ka ndodhur vetëm një herë, si dhe nuk ka krijuar terren për sjellje të papërshtatshme edhe në rastet të tjera të ngjashme. Në të njëjtën kohë, rezulton se prokurori ka një vjetërsi në detyrë prej 5 vitesh, një periudhë kjo relativisht e shkurtër e përvojës së tij si magjistrat prokuror.

Ndërkohë, lidhur me sjelljen e gjyqtares znj. Megi Strakosha, gjatë drejtimit të seancës së datës 17.10.2025, nga verifikimi i rastit vlerësohet se nga ana e gjyqtares znj. Megi Strakosha nuk konstatohet të jenë shkelur rregullat e solemnitetit, rregullat e sjelljes në marrëdhënie me palët apo rregullat e etikës.

Rezulton që gjyqtarja t’u ketë tërhequr vëmendjen si prokurorit ashtu edhe avokatit të palës, rezulton të ketë kërkuar sqarim të situatës si nga avokati edhe nga prokurori, si dhe rezulton të ketë vepruar në përputhje me parashikimet e nenit 341 të K. Pr. Penale, pasi detyrë e saj ka qenë garantimi i respektimit të autoritetit të gjykatës, solemnitetit të gjykimit dhe sigurisë në sallë, si dhe shmangia e çdo fyerjeje, kërcënimi në gjykim dhe kur ajo ka konstatuar veprime që cenojnë solemnitetin e gjykimit, ka paralajmëruar për pasoja, si largimin nga salla të avokatit dhe caktimin e një avokat tjetër kryesisht, nëse avokati do të vijonte me të njëjtin komunikim.

Nga analiza e të dhënave të grumbulluara nga verifikimi, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë, të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratit prokuror z. Gjergj Ceka, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe ndaj magjistrates gjyqtare znj. Megi Strakosha me detyrë gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në kohën e kryerjes së shkeljes së pretenduar. Për këtë shkak, informacioni i bërë publik në media lidhur me pretendimet e ngritura për shkelje etike duhet të arkivohet bazuar në nenin 122/4 të këtij ligji.

Lidhur me shkeljen e rregullave të etikës nga magjistrati z. Gjergj Ceka, rasti do t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u marrë në konsideratë në vlerësimin etik-profesional për këtë magjistrat, sipas kërkesave të nenit 77 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Video

Më shumë se 50 protestues, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i protestave antiqeveritare në Iran më 28 dhjetor, sipas organizatës joqeveritare Iran Human Rights me seli në Norvegji. Qindra të tjerë janë plagosur gjatë 13 ditëve të para të demonstratave që po zhvillohen në qytete të ndryshme të vendit. Autoritetet iraniane kanë vendosur një mbyllje të plotë të internetit në të gjithë vendin, duke reduktuar lidhjen në vetëm 1% të nivelit normal, sipas grupit të monitorimit të sigurisë kibernetike Netblocks. Kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të kufizuar informacionin dhe për të kontrolluar valën e pakënaqësisë qytetare. https://www.vna.al/bota/protestat-ne-iran-me-shume-se-50-te-vrare-mbyllet-interneti-i18711

Ky është momenti kur shembet masivi i dheut në aksin Matogjin-Bashaj, në bashkinë Selenicë, duke izoluar dhjetëra familje Sipas informacioneve paraprake, mali është shkëputur në dy pika të ndryshme brenda një harku kohor prej rreth dy orësh, duke rritur rrezikun për banorët dhe vështirësuar qarkullimin në zonë. Banorët kanë bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, duke theksuar se situata paraqitet problematike dhe kërcënon sigurinë e tyre. https://www.vna.al/kronika/shembet-masivi-i-dheut-ne-aksin-matogjin-bashaj-ne-selenice-izolohen-dhj-i18713

Protesta në Durrësit është tensionuar pasi qytetarët kanë tentuar të futen në ambientet e bashkisë. Ata kërkojnë veprime konkrete për përballimin e gjendjes së rënduar pas përmbytjeve.

Qytetarët protestuan sërish këtë të premte para Bashkisë së Durrësit, në reagim ndaj përmbytjeve të rënda që prekën qytetin. Ata shprehën pakënaqësinë për mungesën e mbështetjes dhe reagimit nga institucionet shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar. Gjatë protestës ka patur dhe përplasje me forcat e rendit pranë Bashkisë së Durrësit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme