Kronika 31 August 2025, 13:02 Nga VNA

Hetuesit italianë: Fatos Cenaj u vra për hakmarrje, po hetojmë të kaluarën si ish-polic burgu

Ndaje në Whatsapp
Hetuesit italianë: Fatos Cenaj u vra për hakmarrje, po hetojmë

Nuk ishte një plumb i shkrepur rastësisht, e as një aksident tragjik. Fatos Cenaj, 58 vjeç, u vra me paramendim. Ka një person të dyshuar për vrasje me dashje dhe hetuesit tashmë i kanë përjashtuar të gjitha pistat e tjera. Po ndiqet rruga e hakmarrjes, e cila lidhet me të kaluarën e tij, në kohën kur jetonte ende në Shqipëri.

Kështu e nis shkrimin e saj e përditshmja italiane "Il Mattino di Padova", që i ka kushtuar një artikull ngjarjes së rëndë, duke rrëzuar pistat e deritanishme të hetimit dhe duke u përqëndruar te një e re. 

Këtë kthesë vendimtare në hetime e dhanë pamjet e kamerave të sigurisë së zonës dhe dëshmitë e atyre që e njihnin Fatosin. Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Padovës, të drejtuar nga prokurorja Maria d’Arpa, prej më shumë se dy muajsh po përpiqen të rindërtojnë ngjarjen e ndodhur më 8 qershor në rrugën Casoni Basse, në komunën e Fontanivas, ku Cenaj u gjet i plagosur rëndë dhe në agoni.

Atë mëngjes, 58-vjeçari, ish-oficer i burgjeve tashmë në pension, po bënte, si çdo ditë, rrugën nga shtëpia drejt manezhit mbi triciklin e tij, mjeti i vetëm që përdorte për të lëvizur. Pak minuta më vonë, një dëshmitar dëgjoi një të shtënë. Menjëherë pas kësaj, dy roje peshkimi e panë Fatosin të shtrirë në tokë. Fillimisht u mendua se ishte rrëzuar aksidentalisht. Por vetëm në spital mjekët zbuluan një plagë me armë zjarri në kokë. Pas tre ditësh lufte për jetën, ai ndërroi jetë.

Hetuesit, që në fillim, nisën të hetonin të kaluarën e Cenajt. Pas një karriere si oficer i burgjeve në Shqipëri, ai ishte zhvendosur në Itali për t’u ribashkuar me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Prej dy vitesh banonte në Fontaniva, në një shtëpi që sot ka mbetur bosh. «Pas asaj që ndodhi, zgjodhën të shpërngulen tek një i afërm», tregonte një fqinjë. «Kishin frikë të qëndronin më aty».

Megjithatë, në jetën e përditshme në Fontaniva, Fatos Cenaj nuk jepte përshtypjen e një njeriu me armiq. Pronaria e manezhit pranë shtëpisë, ku ai punonte, e ka përshkruar gjithnjë si një njeri të thjeshtë e të mirë, që kryente punë të vogla dhe kujdesej me dashuri për kuajt. Nuk kërkonte asgjë, i mjaftonte të ndjehej i dobishëm.

Edhe në manezh, karabinierët janë rikthyer disa herë, në kërkim të gjurmëve ose provave të mundshme. Por nuk ka dalë në pah asnjë konflikt, kërcënim apo llogari e hapur që të lidhej me jetën e tij në Itali. Për këtë arsye, vëmendja e hetuesve mbetet e përqendruar te periudha kur ai jetonte në Shqipëri. Autoritetet italiane po bashkëpunojnë ngushtë me ato shqiptare për të rindërtuar të kaluarën e tij. Deri më tani janë marrë në pyetje familjarë, të njohur dhe banorë të zonës.

Hetimet vazhdojnë, por për hetuesit është tashmë e sigurt: Fatos Cenaj ka qenë viktimë e një vrasjeje të qëllimshme, të planifikuar me kujdes, dhe me shumë gjasa të lidhur me një hesap të vjetër të pambyllur.

Video

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme