Kronika 14 May 2026, 16:24 Nga VNA

Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë, AKU bllokon kompaninë “SORI-AL” të bashkëshortes së Nikolin Jakës

Ndaje në Whatsapp

Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë, AKU bllokon

AKU ka reaguar këtë të enjte lidhur me helmimin e 56 studentëve të Akademinë së Sigurisë në Sauk, duke bërë me dije se analizat laboratorike kanë nxjerrë një produkt jokonform me normat e sigurisë ushqimore.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, janë kampionuar nëntë mostra, përfshirë lëndë të para dhe produkte të gatshme. Nga analizat e kryera në laboratorin e Referencës ISUV, tetë prej mostrave kanë rezultuar brenda normave të lejuara, ndërsa një mostër makarona, produkt i gatshëm, ka rezultuar me ngarkesë mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulazë pozitive.

Mostra problematike është marrë në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë në Sauk.

Pas këtyre gjetjeve, AKU ka marrë masën e ndërprerjes së aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.

Ndërkohë, gjatë hetimit të gjurmueshmërisë, inspektimet janë shtrirë edhe në Garnizonin “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku prodhoheshin produktet ushqimore. Sipas konstatimeve të institucioneve shëndetësore dhe raportit përfundimtar të hetimit epidemiologjik, janë evidentuar tregues jokonformë të higjienës si në kampionët në ruajtje, ashtu edhe në disa pajisje pune.

Për këtë arsye, AKU ka urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit edhe për subjektin “SORI-AL” në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”.

Gjithashtu, ndaj subjektit është vendosur një masë administrative me gjobë në vlerën 1 milion e 500 mijë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.

AKU bëri me dije se subjektit i është lënë detyrë edhe kryerja e procedurave për asgjësimin e produktit të bllokuar, i cili rezultoi jokonform me standardet e sigurisë ushqimore.

Kontrata 2.7 miliardë lekë për furnizimin e Akademisë së Sigurisë

Kompania “Sori-al” që është në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, e fitoi tenderin në shkurt 2025 për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Akademinë e Sigurisë. Kontrata, me vlerë 2.7 miliardë lekë dhe afat deri në vitin 2027, parashikon furnizimin me tre vakte ushqimore në ditë për studentët dhe kursantët e Policisë së Shtetit.

Sipas të dhënave, kompania “Sori-al” vijon të ushtrojë aktivitet edhe në disa institucione të tjera publike me ndjeshmëri të lartë, përfshirë Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, Spitalin Rajonal të Beratit, Repartin Ushtarak nr. 5004 në Zall-Herr dhe Repartin Ushtarak nr. 5001 në Tiranë.

Kjo shtrirje në sektorë kritikë si shëndetësia dhe mbrojtja ngre nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe kontrolle të rrepta, me qëllim garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe shmangien e çdo rreziku të përsëritjes së situatave të ngjashme.

Prokurimet publike dhe kontratat e fituara

"Sori-al" është kthyer në një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike për ushqimin. Një analizë e procedurave tregon se në shumë raste, kompania është shpallur fituese ose në mungesë të plotë të garës, ose përmes skualifikimit të konkurrentëve të tjerë. Vetëm në dy vitet e fundit, ajo ka marrë 6 tendera nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, kontrata të cilat janë aktualisht aktive:

Gusht 2024: Fituese e tenderit 1.1 miliardë lekë për Spitalin Rajonal të Beratit.

Tetor 2024: Fituese e Lotit 1 për Repartin Ushtarak nr. 5001 (Tiranë) me vlerë 4 miliardë lekë – fituar pa asnjë konkurrent në garë.

Nëntor 2024: Siguron "Minikontratën 1" për të njëjtin repart (5001), me vlerë 3.4 miliardë lekë, sërish në mungesë të konkurrencës.

Nëntor 2024: Fiton Lotin 2 për Repartin nr. 5004 në Zall-Herr, me vlerë 708 milionë lekë, si operatori i vetëm pjesëmarrës.

Nëntor 2024: Shpallet fituese në Spitalin Psikiatrik të Vlorës me vlerë 3.1 miliardë lekë. Në këtë procedurë, "Sori-al" fitoi pasi u skualifikua konkurrenti tjetër që kishte paraqitur një ofertë më të arsyeshme ekonomike.

Ngjarja në Akademinë e Sigurisë ekspozon një dështim të rëndë kontrolli. Ndërsa qeveria organizon takime ku shpall sigurinë ushqimore si prioritet dhe kërkon standarde europiane nga sektori privat, institucionet në varësi të saj furnizohen nga operatorë që duket se i "qerasin" me tendera miliardësh pa monitoruar cilësinë e shërbimit.

Në fund të këtij zinxhiri, ai që paguan koston është qytetari, të cilët paguajnë taksa dhe si shërbim marrin helmim nga keqmenaxhimi i tyre.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme