Kronika 16 Tetor 2025, 21:18 Nga VNA

Gjykata e Athinës: Burgim i përjetshëm për ‘burrin xheloz’ që vrau Enkelejdën me 14 goditje thike

Ndaje në Whatsapp
Gjykata e Athinës: Burgim i përjetshëm për ‘burrin

Gjykata e Athinës shpalli sot vendimin përfundimtar ndaj shtetasit shqiptar Eduard Danaj, 52 vjeç, i cili u shpall fajtor për vrasjen me paramendim të bashkëshortes së tij, Enkelejda Danaj, 40 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 16 maj 2024 në Menidi të Athinës. Sipas vendimit të trupit gjykues, Danaj u dënua me burgim të përjetshëm, si dhe me pesë vjet burg shtesë dhe një gjobë prej 5,000 eurosh për posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës së krimit. Gjykata e cilësoi aktin si një vrasje të qëllimshme, me mizori të veçantë dhe të kryer nën ndikimin e xhelozisë dhe ndjenjës së pronësisë ndaj bashkëshortes.

Pas kryerjes së krimit, i pandehuri u largua nga vendngjarja dhe qëndroi në një hotel në Athinë, ku u arrestua disa orë më pas. Gjatë arrestimit, ai i tha policit që e shoqëroi: “Ia bëra mirë asaj.”

“Një akt dhune dhe mizorie të veçantë”

Gjatë shpalljes së vendimit, kryetari i trupit gjykues theksoi se: “Akti i vrasjes është një akt dhune dhe mizorie i veçantë. Kemi një thikë të ngulur në stomakun e viktimës. I pandehuri është një njeri i dhunshëm dhe apatik; ai nuk mbante mend as datat e lindjes së fëmijëve të tij, gjë që është e pakonceptueshme. Ai veproi me paramendim dhe qetësi të plotë.”

Gjykata hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes se Danaj kishte qenë nën ndikimin e alkoolit gjatë aktit të vrasjes, duke sqaruar se ai kishte konsumuar pije pas krimit dhe jo para tij.

Ngjarja tragjike

Sipas dosjes gjyqësore, mëngjesin e 16 majit 2024, ndërtuesi 52-vjeçar kishte shkuar në banesën e Enkelejdës, e cila ishte nisur për në punë. Ai e kishte sulmuar me thikë, duke e goditur më shumë se 14 herë, ndërsa gruaja vdiq në vend nga plagët e marra.

Dëshmia tronditëse e vajzës

Në sallën e gjyqit, vajza 22-vjeçare e çiftit, e cila pas vrasjes ka marrë përsipër rritjen e vëllait të vogël, dëshmoi e tronditur, pa e parë asnjëherë në sy babain e saj. “Kam folur vetëm një herë me të. Ai më kërkoi falje, por pastaj filloi ta mallkonte nënën. Ai nuk është penduar kurrë për atë që ka bërë,” tha ajo.

Ajo rrëfeu se dhuna në familje kishte qenë e përsëritur ndër vite, duke treguar se e ëma shpesh vinte në shkollë me gërvishtje dhe plagë në trup.

“Ai e rrihte gjatë gjithë kohës. Ishte xheloz dhe e kontrollonte çdo hap të saj. I thoshte: ‘Do të të vras, do të jemi bashkë në jetë a në vdekje.’”

Vajza kujtoi se prindërit e saj ishin divorcuar kur ajo ishte 14 vjeç, por më pas nëna e saj e kishte pranuar sërish në shtëpi pas trajtimeve që ai kishte bërë për alkoolizmin.

"Unë nuk doja që ai të kthehej. Kisha frikë se do të ndodhte e njëjta gjë. Dhe ndodhi.”

Në dëshminë e saj, ajo shtoi se i ati i kishte përndjekur dhe kërcënuar edhe pas ndarjes, duke i telefonuar dhe ndjekur lëvizjet e tyre.

Në gjyq dëshmoi edhe vëllai i Enkelejdës, i cili përshkroi një tablo të gjatë të dhunës së ushtruar nga Danaj.

“E konsideronte motrën time pronë të tij. Gjithmonë kishte grindje. Njëherë ia futi kokën në gëlqere. Jetonim pranë për ta mbrojtur. Fëmijët shpesh i gjenim të fshehur pas divaneve.” Sipas tij, Enkeleda kishte vendosur të ribashkohej me të për hir të fëmijëve, por dhuna kishte rifilluar menjëherë.

“Ky burrë ishte i keq gjithë jetën e tij. Ai nuk donte ta shihte askënd të ecte përpara. Nuk ishte pirja faji, por natyra e tij. I kishte thënë motrës shumë herë: ‘Nëse divorcohemi, do të të vras.’”

 

Mbrojtja e pandehurit

Gjatë fjalës së tij në gjyq, Eduard Danaj deklaroi se e kishte dashur shumë gruan dhe se nuk mbante mend asgjë nga dita e krimit, duke pretenduar se kishte qenë i dehur.

“E doja shumë. Nuk e kuptoj si ndodhi. Pas dy ditësh thashë ‘çfarë kam bërë?’. Nuk e di si e vrava gruan time,” tha ai me qetësi.

Ai pranoi se kishte pasur grindje të shpeshta me bashkëshorten, por mohoi se e kishte goditur ndonjëherë më parë. Gjykata dhe prokuroria nuk e pranuan këtë pretendim, duke kujtuar se në vitin 2013 ai e kishte kërcënuar Enkelejdën me thikë dhe ishte denoncuar për dhunë në familje.

Fjalët e fundit të prokurores

Në fjalën e saj, prokurorja e çështjes theksoi se i pandehuri kishte vepruar me vetëdije të plotë dhe me qëllim për të vrarë bashkëshorten e tij.

“Motivi i tij ishte xhelozia dhe ndjenja e pronësisë. Ai nuk mund ta pranonte që ajo kishte filluar një jetë të re. Vrasja ishte e paramenduar dhe e kryer me qetësi, jo në gjendje të turbullt mendore apo nën efektin e alkoolit,” deklaroi prokurorja, duke kërkuar dënimin maksimal.

Gjykata pranoi plotësisht kërkesën e saj, duke shpallur fajtor Eduard Danajn për vrasje me paramendim, posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës, dhe duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Ky vendim mbyll një nga rastet më tronditëse të dhunës në familje të regjistruara në Greqi vitet e fundit — një krim që shkatërroi një familje dhe la pas dy fëmijë pa nënë.

 

 

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme