Kronika 8 October 2025, 12:32 Nga VNA

Erion Bani: Pa gjykata të sigurta, nuk mund të jepet drejtësi

Ndaje në Whatsapp
Erion Bani: Pa gjykata të sigurta, nuk mund të jepet drejtësi

Kryetari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Erion Bani, pasi bëri homazhet në nder të kolegut të tij, Astrit Kalaja, i vrarë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, deklaroi se një gjyqtar nuk mundet të japë drejtësi nëse nuk i garantohet jeta.


“99 përqind e gjykatave (me përjashtim të Gjykatës së Posaçme) nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë. Pasi të gjitha gjykatat duhet të ndërtohen nga e para, që të plotësojnë kushtet. Duhet të kuptojmë pa siguri të gjykatave nuk mund të ketë pavarësi të gjyqtarit në dhënien e vendimit. Nëse një gjyqtar nuk është i qetë në dhënien e vendimit, nuk mund të jepet drejtësi. Duhet të kuptojmë dhe diçka tjetër, se kur flitet për sigurinë e gjykatave nuk flitet vetëm për sigurinë e gjyqtarit. Ju e kuptoni që gjyqtari është ai që merr vendimin, por aktorët janë prokurori, avokati, të pandehurit, janë gazetarët që qëndrojnë në sallën e gjykimit, janë palët e tjera dhe çdo person tjetër i interesuar. Ky duhet të jetë një moment reflektimi, për të gjithë që nëse nuk ekziston siguria në gjykatë, edhe qytetari më i thjeshtë, ndjehet i rrezikuar për jetën e tij.”

 


Ai bëri thirrje politikës, që të financojë ndërtimin e gjykatave të reja, pasi siç theksoi kërkesat e vazhdueshme të gjyqtarëve kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Gjykatat duhen ndërtuar nga e para. Në dijeninë time kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për të pasur godina të reja dhe ata që kanë përgjegjësinë për të siguruar financimit, ky është një moment reflektimi që gjykatat nuk mund të lihen në këtë situatë.”

 


Bani deklaroi se nesër në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve do të diskutohet për sigurinë në gjykata, rreziqet që iu kanosen gjyqtarëve dhe problematikat do të adresohen tek organet kompetente.

“Kjo kërkon një analizë të thellë. Pas një analize të thellë, që do të bëhet nesër, pasi do të ketë një mbledhje të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë do të diskutohet dhe do të adresohen të gjitha problematikat në organet kompetente. Do të shihet se kush organ kompetent nuk e ka përmbushur detyrën dhe do të merren masat e mëtejshme, me qëllim që secili prej aktorëve të përmbushë detyrimet. Duhet të fillojë që nga gjykata, edhe këshillat e gjykatave do të përmbushin detyrën e vet dhe pasi të përmbushin detyrën, do të kërkojnë llogari nga të gjitha institucionet që s’i kanë përmbushur detyrimet”, tha Bani.


Lidhur me mungesën e forcave të rendit në sallat e gjyqit, Bani tha se ligji kërkon që punonjësit e policisë të garantojnë mbarëvajtjen e proceseve, por arsyet pse nuk janë zbatuar aktet nënligjore janë të paqarta.

“KLGJ ka kompetencën dhe përcakton politikat e përgjithshme. Ato që i zbatojnë politikat janë organet e rendit. Sipas kuadrit ligjor në fuqi, besoj jeni në dijeni që të gjitha sallat e gjykimit, që nga 2010 aktet nënligjore thonë se duhet të kenë praninë e forcave të policisë që të garantojnë sigurinë. Ky është një fakt. Arsyeja se pse nuk janë caktuar do të diskutohet dhe adresohet tek institucionet që kanë kompetencë për mbikëqyrjen e sigurisë në gjykata”, tha Bani.

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme