Kreshnik Mujeci u vra sot në mes të ditës në qytetin e Lezhës, në një atentat me armë zjarri, ndërsa ndodhej brenda një automjeti së bashku me bashkëshorten e tij. Nga të shtënat të dy mbetën të vdekur në vend, ndërsa autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe janë ende në kërkim.
Ndërkohë, pas atentatit është rikthyer në vëmendje edhe e kaluara e Mujecit, i cili vite më parë ishte përfshirë në një proces gjyqësor për një vrasje të ndodhur në Shkodër, por në fund u shpall i pafajshëm nga gjykata.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Prokuroria e Shkodrës kishte dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të Jozef Mujecit, i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Në të njëjtën çështje ishte marrë i pandehur edhe Kreshnik Mujeci, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Si ndodhi vrasja në 2016
Ngjarja për të cilën ata u hetuan lidhej me vrasjen e shtetasit Genc Mhillaj. Sipas dosjes hetimore, më 6 tetor 2016, rreth orës 11:00, salla operative pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër u njoftua për një person të qëlluar me armë zjarri në aksin Rranxa–Bushat drejt Malit të Jushit.
Viktima Genc Mhillaj u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Një dëshmitar deklaroi se kishte parë dy persona të armatosur, njëri me armë automatike dhe tjetri me një shkop, të cilët pas të shtënave hipën në një automjet tip Audi me ngjyrë të errët dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
Provat e paraqitura nga Prokuroria
Nga hetimet paraprake rezultoi se viktima kishte pasur një konflikt disa ditë para ngjarjes me Jozef Mujecin, çka u konsiderua nga Prokuroria si një motiv i mundshëm për krimin.
Në kuadër të hetimeve u kryen edhe kontrolle në banesën e Pjetër Mujecit, babai i Jozef Mujecit. Në hyrje të oborrit të banesës u gjet i parkuar një automjet tip Audi A3, ngjyrë gri e errët, me kofanon dhe marmitën ende të nxehta.
Ndërkohë, rreth 2–3 kilometra larg vendit të krimit, përballë restorantit “Molla”, u gjet i parkuar një furgon Mercedes-Benz me dokumente në emër të Kreshnik Mujecit, element që sipas Prokurorisë e lidhte atë me ngjarjen.
Në vendngjarje u sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë tip TT, model 54, e kalibrit 7.62 mm, me një krehër me tetë fishekë.
Gjatë hetimeve u kryen gjithashtu përgjime ambientale mes Pjetër Mujecit dhe Jozef Mujecit, nga të cilat sipas prokurorisë u përftuan të dhëna që konsideroheshin të rëndësishme për hetimin.
Një tjetër dëshmitar, Bardhok Marku, deklaroi se rreth një orë para mbërritjes së policisë kishte parë që një makinë pranë banesës së Pjetër Mujecit ishte lëvizur, por nuk mundi të identifikojë personin që e drejtonte.
Pse u shpallën të pafajshëm
Gjatë gjykimit, gjykata arriti në përfundimin se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Ekspertiza rezultoi se në automjetin Audi nuk u gjetën gjurmë gishtash të Jozef Mujecit, ndërsa dëshmitari që kishte përmendur emrin e tij gjatë hetimeve më pas deklaroi në gjykatë se nuk kishte identifikuar autorët e vrasjes.
Po ashtu, gjatë procesit u paraqitën prova që tregonin se në momentin e krimit Jozef Mujeci ndodhej në zonën e Koplikut, ndërsa tabulatet telefonike mbështesnin këtë version.
Për këto arsye, gjykata vendosi të shpallë të pafajshëm Jozef dhe Kreshnik Mujecin për akuzën e vrasjes me paramendim.
Atentati i sotëm në Lezhë
Vrasja e sotme e Kreshnik Mujecit në Lezhë, ku ai humbi jetën bashkë me bashkëshorten e tij brenda automjetit, ka rikthyer në vëmendje këtë dosje të vjetër penale.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit dhe identifikimin e autorëve, ndërsa po verifikohet nëse ngjarja lidhet me konflikte të mëparshme apo me rrethana të tjera kriminale.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë, në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, që udhëtonte sëbashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.






















