Durim Bami, i konsideruar si i forti i Niklës është ekstraduar nga Dubai, teksa sot pritet të mbërrijë në vendin tonë ne 19:00 të mbrëmjes.
Nën masa të rrepta sigurie, ai u vendos në një paraburgim të sigurisë së lartë në vend, teksa do të presë përballjen me drejtësinë shqiptare. Bami ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, ku njëherazi dyshohet edhe si autor, por edhe si viktimë e veprës penale.
Muaj pas shpalljes në kërkim, ai u arrestua në Dubai, ku strehohej dhe pas një beteje të gjatë me autoritetet atje, ku pretendoi se nëse kthehet në Shqipëri i rrezikohet jeta, pasi ka qenë disa herë shënjestër e atentateve, ai u dëbua nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në momentin që është nxjerrë nga territori, agjentët e Interpol e sollën Bamin në Shqipëri.
Durim Bami është në mesin e 27 të pandehurve për të cilët SPAK ka përfunduar hetimet dhe dorëzuar për gjykim dosjen penale ndaj tij.
Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-deputeti i PS-së Arben Ndoka, me të cilin Bami ishte në përplasje që pas vrasjes së Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-ligjvënësit, apo edhe me Ervis Martinajn, bosin e bixhozit të zhdukur pa gjurmë.
Durim Bami akuzohet nga SPAK se krijoi kushtet për vrasjen e ish-deputetit Ndoka. “I pandehuri Durim Bami, në rolin e krijuesit, organizuesit dhe drejtuesit të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me të pandehurin Endrit Dokle, të pandehur të tjerë të dërguar më parë për gjykim në kuadër të procedimit penal nr. 59/1, të vitit 2022, si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar gjatë muajit janar 2021 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Arben Ndoka”, thekson SPAK.
Më tej në aktakuzë thuhet se: “I pandehuri Durim Bami, në rolin e krijuesit, organizuesit dhe drejtuesit të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me të pandehurit Endrit Dokle dhe Marklen Haka (alias Marklen Aliu), si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar gjatë muajit shkurt 2021 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka) dhe Erigers Mihasi”.
I forti i Niklës akuzohet edhe për kultivim hashashi në bashkëpunim me ish-specialin e RENEA-s Altin Morina. “I pandehuri Durim Bami ka organizuar, drejtuar dhe financuar një grup të strukturuar kriminal, të destinuar në kultivimin e bimëve narkotike kanabis sativa, në fshatin Nikël, Fushë-Krujë gjatë periudhës kohore dhjetor 2019-korrik 2020, si dhe në zonën e Njësisë Administrative Bubq, të Bashkisë Krujë, si para ashtu edhe gjatë muajit shtator 2020, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Ai ndihmohej në veprimet e tij të kundërligjshme nga punonjës të policisë së shtetit, si i pandehuri Altin Morina dhe shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët jepnin informacione, apo ndihmonin në shmangien e kontrolleve të parcelave të mbjella me bimë narkotike”, thekson Prokuroria e Posaçme.
Durim Bami njëherazi ka qenë edhe në shënjestër për t’u vrarë nga grupet kriminale. Një prej këtyre grupeve që synonte eliminimin fizik të Bamit drejtohej nga ish-deputeti Arben Ndoka.
“Të pandehurit Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në rolin e krijuesve, organizuesve dhe drejtuesve të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi, të pandehurit Ervis Martinaj, Samuel Ndoka, Jozi Kraja, Aldo Avdyli (alias Elidon Avdyli), Marklen Haka (alias Marklen Aliu), gjatë vitit 2020 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami”, thuhet në dosje.
Edhe Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë prej 2022, ka financuar në një rast për ekzekutimin e Bamit.
“Një grup i strukturuar kriminal i krijuar, drejtuar dhe organizuar nga i pandehuri Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka), i financuar nga i pandehuri Ervis Martinaj, në përbërje të të cilit ishin edhe të pandehurit Florenc Kelmendi (alias Florenc Toçi) dhe Marklen Haka (alias Marklen Aliu), si dhe të pandehur të tjerë të dërguar më parë për gjykim në kuadër të procedimit penal nr. 59/2, të vitit 2022, janë organizuar prej qershorit 2020 për vrasjen e shtetasit Durim Bami, për shkak të konflikteve që Ervis Martinaj dhe Tori Xhecuka kishin me këtë shtetas. Më datë 4.11.2020, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë tentuar të vrasin me armë zjarri pa leje shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra në vendin e quajtur Ura e Tapizës, Fushë-Krujë. Ata po udhëtonin me një autoveturë Range Rover, ngjyrë e zezë me targa italiane, ndërsa pasagjer ka qenë djali i hallës së tij, Ervin Kodra”, theksohet më tej.
Durim Bami është një personazh kontrovers i botës së krimit. Ai është një ndër njerëzit e fundit që takoi Enver Stafukën përpara se ky i fundit të rrëmbehej dhe të zhdukej.
Më 3 mars 2015 ai u arrestua nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte urdhëruar Bamin ta vriste kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Tri vite më vonë, në korrik të 2018, ai u lirua nga burgu.
AKUZAT QË RËNDOJNË MBI DURIM BAMIN:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Arben Ndoka, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Tori Xhecuka dhe Erigers Mihasi, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të Kodit Penal;
“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, drejtimit apo organizimit, në lidhje me veprat penale kundër jetës;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
“Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formë organizimi, drejtimi apo financimi të kësaj veprimtarie, si dhe në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, drejtimit apo organizimit, në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.






















