Kronika 4 February 2026, 21:13 Nga VNA

Dy shqiptarë dënohen me nga 4 vjet e 8 muaj burg në Angli për seri grabitjesh banesash

Ndaje në Whatsapp
Dy shqiptarë dënohen me nga 4 vjet e 8 muaj burg në Angli

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 4 vjet e 8 muaj burg secili nga drejtësia britanike, pasi u shpallën fajtorë për një seri grabitjesh të organizuara në disa zona të Anglisë, përfshirë edhe një tentativë për të vjedhur banesën e ish-futbollistit të Aston Villa dhe Birmingham City, Scott Hogan.

Sipas mediave britanike, Denis Puka, 28 vjeç, dhe Erisjan Laska, 29 vjeç, së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar, kryen shtatë grabitje dhe tentativa grabitjeje gjatë tre netëve radhazi në muajin qershor të vitit të kaluar.

Gjykata e Kurorës në Chester bëri të ditur se veprimtaria kriminale ishte e mirëorganizuar. Të pandehurit kishin marrë me qira një banesë përmes platformës Airbnb në Warrington, të cilën e përdornin si bazë operimi, ndërsa për lëvizje shfrytëzonin një automjet tip Seat Leon, i pajisur me tre targa të falsifikuara, të cilat i ndërronin për të shmangur identifikimin nga policia.

Gjyqtari Steven Everett e cilësoi skemën e tyre si “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë”, duke theksuar se të pandehurit ishin të pajisur me maska, mjete për thyerje dhe radio dore, çka tregonte një nivel të lartë përgatitjeje për kryerjen e grabitjeve të përsëritura.

Mes pronave të vëna në shënjestër ishte edhe shtëpia e futbollistit Scott Hogan, aktualisht pjesë e klubit Milton Keynes Dons. Prokurorja Nardeen Nemat deklaroi në gjykatë se, në momentin e tentativës për grabitje, në banesë ndodheshin bashkëshortja e tij shtatzënë dhe vajza e tyre e vogël.

Sipas prokurorisë, autorët hynë në oborr duke kapërcyer gardhin, ndërsa njëri prej tyre u ngjit mbi shpatullat e tjetrit për të arritur dritaren e dhomës së gjumit. Hogan u zgjua pasi pa dritën e një elektrik dore brenda dhomës dhe dalloi tre persona jashtë banesës. Ai tentoi t’i ndiqte, por grabitësit u larguan me shpejtësi.

Në një deklaratë personale të lexuar në gjykatë, futbollisti theksoi se ngjarja kishte pasur një ndikim të rëndë psikologjik tek ai dhe familja e tij, duke shkaktuar net pa gjumë, stres dhe ankth të vazhdueshëm.

Gjatë të njëjtës periudhë, dy të pandehurit sulmuan edhe prona të tjera në zonat Blackpool, Grappenhall, Knutsford dhe Northwich. Në një rast, ata arritën të hynin në një banesë dhe të kontrollonin çdo dhomë, ndërsa pronarët flinin, pa marrë sende me vlerë.

Ndërkohë, në një vilë luksoze në Northwich, autorët grabitën një orë Breitling dhe një Rolex, me vlerë totale rreth 9 mijë paund, ndërsa pronarët ndodheshin jashtë vendit për pushime.

Dy shqiptarët u arrestuan rreth një javë më vonë, pasi automjeti i përdorur për grabitjet u gjet në një kompleks banimi. Gjatë kontrollit të makinës, policia sekuestroi telefona celularë, veshje të përdorura gjatë grabitjeve, mjete pune si dhe targat e falsifikuara.

Të pandehurit pranuan fajësinë për shtatë akuza për komplot për grabitje banesash dhe do ta vuajnë dënimin në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme