
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, njëherazi kallëzues në çështjen e njohur si dosja “Partizani”, është paraqitur këtë të enjte në GJKKO, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me kallëzimin e depozituar në SPAK.
Në deklarimet para gjykatës, Balla theksoi se kallëzimi është bërë në cilësinë e qytetarit, duke shtuar se që prej vitit 2012 kishte ngritur dyshime mbi mënyrën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas tij, ky proces nuk është zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore, por është shoqëruar me përdorim ndikimi dhe lidhjesh për përfitime të paligjshme.
Balla nënvizoi gjithashtu se privatizimi është realizuar në një periudhë shumë të shkurtër dhe me vlera që, sipas tij, nuk pasqyronin vlerën reale të pronës. Ai përmendi edhe dyshime për fshehje pasurie dhe ndërmjetësim të paligjshëm.
Gjatë seancës, Jamarbër Malltezi e pyeti Ballën mbi funksionin që mbante në kohën e kallëzimit. Në përgjigje, ai deklaroi se ushtronte detyra politike në PS dhe në Kuvend, përfshirë edhe drejtimin e grupit parlamentar.
Në përfundim, Balla u shpreh se informacionet mbi të cilat është bazuar kallëzimi janë siguruar nga institucione shtetërore dhe denoncime qytetarësh, duke theksuar se të gjitha materialet janë dorëzuar zyrtarisht pranë SPAK.
Dëshmia e Ballës:
Taulant Balla: “Prej vitit 2012 e në vijim kam paraqitur dyshimet e mia për mënyrën se si është proceduar nga organet përgjegjëse për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Në vlerësimin tim, ky proces privatizimi nuk është zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore. Persona të ndryshëm kanë shfrytëzuar koncesionet e tyre dhe lidhjet familjare në lidhje me këtë proces. Nga një numër shumë i madh provash, bie në sy se si në një mënyrë kaq të shpejtë është kryer vetëm një privatizim i tillë. Në Shqipëri, gjatë gjithë këtyre viteve, ish-pronarët vuajnë për njohjen dhe kthimin e pronës së tyre, ndërkohë që brenda një periudhe 6-mujore është kryer procedura e njohjes dhe kthimit të godinës në këtë rast. Ajo që u vu re në atë kohë ishte se si një kompleks si “Partizani” ishte hequr nga plani i ushtrisë. Në një dokument rezultonte se ishte në plan përhapjeje, ndërsa në një tjetër jo. Për këtë arsye i kërkova prokurorisë të hetonte. Në vlerësimin tim, dy godina të mëdha me sipërfaqe të konsiderueshme nuk mund të vlerësoheshin me 10 milionë lekë të reja. Ishte e dyshimtë se si, brenda një kohe 6-mujore, u realizua i gjithë ky proces. Kjo përbënte dalje nga normat kohore mesatare që ndiqen për prona të tilla. Në kallëzimin tim kemi hedhur edhe dyshimin se kemi të bëjmë me një formë të fshehjes së pasurisë apo të ndërmjetësimit të paligjshëm. U krijua një kompani, me pronar një nga të akuzuarit, dhe rezultoi se ky pronar ia kaloi përqindjen e aksioneve dy personave të tjerë që ishin të përfshirë në këtë proces. Sali Berisha, për shkak të pozicionit si kryeministër, përfitonte nga këto lidhje përmes dhëndrit të tij. Është shfrytëzuar lidhja shkak-pasojë për të përmbyllur procedurën e njohjes dhe privatizimit me një vlerë qesharake, ndërkohë që në një kohë shumë të shkurtër janë marrë të gjitha lejet për ndërtimin e 17 godinave aty ku ka qenë një klub sportiv”, tha Balla.
Më pas Ballës iu bënë një sërë pyetjesh nga i pandehuri Jamarbër Malltezi.
Pyetje – Përgjigje në seancë:
Jamarbër Malltezi: Ku punoni?
Taulant Balla: Deputet i Partisë Socialiste.
Malltezi: Sa vite keni në këtë detyrë?
Balla: Që nga 9 shtatori 2005.
Malltezi: Çfarë pozicioni keni pasur kur keni bërë kallëzimin?
Balla: Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Balla: Kallëzimin e kam firmosur si qytetar.
Malltezi: Në kallëzim, ku i keni gjetur të dhënat personale, si numrat e identitetit, etj.?
Balla: I kemi marrë zyrtarisht dhe nga denoncimet e qytetarëve.
Malltezi: Na sqaroni pozicionin tuaj aktual.
Balla: Anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.
Malltezi: Keni funksion tjetër?
Balla: Kam funksione politike në Partinë Socialiste.
Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin në SPAK?
Balla: Kam qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kryetar i grupit parlamentar.
Malltezi: Pra nuk keni firmosur si shtetasi Taulant Balla, por si sekretar dhe kryetar grupi?
Balla: E kam paraqitur kallëzimin si dëshmitar.
Malltezi: Deklarimi i pavërtetë është i dënueshëm. Në kallëzim rezulton ndryshe. A ka qenë iniciativë e grupit parlamentar të PS apo e juaja personale?
Balla: Kam kryer detyrën si përfaqësues i Kuvendit. Kur vihesh në dijeni të një vepre penale, moskallëzimi përbën vepër penale. Deputeti duhet të përfaqësojë interesin kombëtar. Ka qenë një veprimtari e ndërthurur, por iniciativa ka qenë personale, jo vendim i grupit.
Malltezi: A janë dorëzuar të gjitha provat bashkëngjitur kallëzimit?
Balla: Ka qenë një punë hetimore shumëvjeçare. Duke shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit, kam marrë informacion nga institucione të ndryshme dhe ia kam bashkëngjitur kallëzimit.
Malltezi: Si jua kanë dhënë të dhënat personale?
Balla: Jam drejtuar institucioneve dhe çdo gjë që më është vënë në dispozicion ia kam dorëzuar prokurorisë. Një pjesë janë marrë zyrtarisht dhe një pjesë nga denoncimet e qytetarëve.
Jamarbër Malltezi: A ju kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e të dhënave private?
Taulant Balla: I jam përgjigjur çdo pyetjeje që ka pasur prokurorja.
Malltezi: Këtë pyetje nuk jua ka bërë.
Balla: Nuk e mbaj mend.
Malltezi: A bazoheni në prova apo në supozime?
Balla: Kallëzimi ngrihet mbi dyshime. Këto dyshime shoqërohen me disa dokumente, të cilat mund t’i quajmë prova, që i janë bashkëngjitur kallëzimit.
Malltezi: Cilat prova konkrete paraqisni dhe në çfarë aspekti korruptiv?
Balla: Nuk ka një vepër më të qartë se kjo; është një aferë e pastër…
Ulliri: Qëndrojini pyetjes.
Balla: Bëhet fjalë për mënyrën se si merret një pronë shtetërore, privatizohet në mënyrë të paligjshme dhe kthehet në përfitim të paligjshëm.
Malltezi: Ju thatë se i keni marrë vetë provat dhe se procedurat janë kryer për 6 muaj, duke qenë se një nga provat ishte dokumenti i kthimit të pronës. Kjo procedurë është zhvilluar nga viti 1996 deri në vitin 2007. A mendoni se ky afat është 6 muaj? Dokumenti është dorëzuar nga dëshmitari me dorën e tij.
Balla: Kemi të bëjmë me një rast kur, në vitin 2007, prona ishte brenda planit të përhapjes. Nga momenti i heqjes nga plani deri në privatizim, procesi është kryer brenda 6 muajve.
Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?
Balla: Nga mediat jam informuar mbi deklaratat e ish-funksionarëve të ushtrisë, të cilët kanë qenë kundër heqjes nga plani i përhapjes.
Malltezi: A e dini çfarë është plani i përhapjes?
Balla: Plani i ushtrisë është plani mbi pronat që i nevojiten ushtrisë.
Malltezi: Pra, e keni marrë vesh nga media dhe nga deklaratat e një gjenerali. Për vërtetësinë, bazoheni te faktet apo te deklaratat? Cila ka peshë më të madhe: dekreti i Presidentit apo deklarata e një gjenerali në media?
(Gjykata): Pyetja nuk pranohet.
Malltezi: Si ka dalë plani i përhapjes, kur është dokument sekret?
Balla: Përderisa është kryer privatizimi, kjo është bërë e njohur. Nuk është hetuar vetëm nga unë, por edhe nga media, e cila ka ngritur dyshime për abuzim në procedurë.
Malltezi: A e keni parë planin e përhapjes?
Balla: Jo.
Malltezi: Ku e bazoni që privatizimi ka filluar në vitin 2008?
Balla: Mbi deklarime publike.
Malltezi: Ku konkretisht e bazoni?
Balla: Nuk kam koment tjetër.
Malltezi: A jeni në dijeni që Pandeli Majko dhe Fatos Klosi janë shprehur për privatizimin e klubit në vitin 2006?
Balla: Jo, nuk kam dijeni.
Malltezi: A jeni në dijeni për shprehjen e interesit në vitin 2006?
Balla: Po.
Malltezi: Atëherë, pse thoni se nuk keni dijeni përpara vitit 2008, kur pranoni se kishit dijeni?
Jamarbër Malltezi: Pyetje për dëshmitarin lidhur me shtetasin M.B.
Taulant Balla: Ç’lidhje ka kjo me çështjen?
(Gjykata): I tërhiqet vëmendja palës pyetëse.
Malltezi: Cilin ligj keni parasysh kur thoni se prona është kthyer në mënyrë të paligjshme?
Balla: Mendoj se prona duhej t’i mbetej ushtrisë. Është shkelur interesi publik dhe, kur ka shkelje të interesit publik, ka edhe shkelje të ligjit.
Malltezi: Cilave akte ligjore i jeni referuar kur keni bërë kallëzimin?
Balla: Kodit Penal dhe legjislacionit në fuqi.
Malltezi: Cilës provë konkrete i referoheni?
Balla: Nuk ka provë më të qartë se akti i vlerësimit të pronës. Dy godina të mëdha në qendër të Tiranës janë vlerësuar rreth 100 mijë euro.
Malltezi: Pse i quani “të vetëquajtur ish-pronarë”?
Balla: Rezulton se shteti italian i ka kompensuar ish-pronarët dhe, në këto kushte, ata nuk janë më pronarë.
Malltezi: Ju thatë se disa familje janë shpronësuar. Nëse rezulton se është shpronësuar një person, p.sh. A.Xh, a është kjo provë që janë shpronësuar edhe të tjerët?
Balla: I takon prokurorisë ta hetojë dhe ta verifikojë këtë rast.
Malltezi: Po fakti që prona i është kthyer M.B brenda një viti?
Balla: Nuk ka lidhje me këtë çështje, zonja gjyqtare.
(Gjykata): Pyetja nuk pranohet.
Jamarbër Malltezi: A jeni i kënaqur me punën që ka bërë SPAK për këto 10 vite?
(Gjykata): Pyetja nuk lejohet.
Taulant Balla: Përgjigjen do ta jap jashtë kësaj salle.
Elsa Ulliri: Në fakt, ju e dhatë më herët përgjigjen, por tani nuk lejohet.
Malltezi: Keni deklaruar në Kuvend: “Nuk na tret dheu po nuk e pamë Sali Berishën në burg”. A është ky rasti?
(Gjykata): Pyetja nuk lejohet.
Avokati Klodian Skënderaj: Thatë se kallëzimin e keni bërë si deputet dhe si shtetas. Në dijeninë tuaj, kallëzimin që keni nënshkruar e keni bazuar në dokumentacion mbështetës? Keni bashkëngjitur dokumente?
Taulant Balla: Çfarë kam pasur në dispozicion, e kam bashkëngjitur.
Skënderaj: Si i keni siguruar këto dokumente?
Balla: Një pjesë në rrugë zyrtare, një pjesë nga qytetarët. Janë tre burime: media, qytetarët dhe linja e posaçme e deputetit përmes shkresave.
Skënderaj: A ju ka ardhur ndonjë shkresë nga Ministria e Mbrojtjes që ia keni bashkëngjitur kallëzimit? Është kjo shkresa?
Balla: Nuk më kujtohet, është para 6 vitesh. Ndoshta po.
Skënderaj: Si u depozitua kallëzimi në prokurori?
Balla: Me sa mbaj mend, është depozituar dorazi.
Skënderaj: Pra, me shkresë përcjellëse nga institucioni i Kuvendit, ku Sekretari i Përgjithshëm ia ka depozituar si kallëzim Prokurorisë së Posaçme?
Balla: Marrëdhënia e deputetëve me institucionet e drejtësisë kalon nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Besoj se është dorëzuar nga stafi administrativ.
Skënderaj: Pretendimet tuaja për falsifikim, i keni depozituar me dokument konkret?
Balla: Nga faktet e njohura botërisht rezulton se personat e kallëzuar kanë përfituar nga funksionet e tyre.
Skënderaj: Mbani mend që jeni shprehur se pronarët janë kompensuar nga Italia fashiste dhe se kjo tokë është blerë nga Shefqet Vërlaci dhe Jako Mane?
Balla: I qëndroj asaj që kam thënë në kallëzim.
Balla: Vazhdoni.
Elsa Ulliri: Ndaloni komentet. Gjykata vendos kur vazhdohet ose jo.
Balla: Tregohuni e drejtë; edhe pala tjetër ka bërë komente gjatë gjithë kohës.
Skënderaj: Sa herë keni dhënë shpjegime në prokurori?
Balla: Dy herë.
Skënderaj: Mbani mend nëse u keni bashkëngjitur deklarimeve dokumentacion?
Balla: Nuk më kujtohet.
Skënderaj: Ekziston një procesverbal i paraqitjes suaj në prokurori. Kur keni ngritur pretendime për shpronësimin e familjeve, a keni pasur dokumente konkrete?
Balla: Është një fakt publik; ekziston një dokument i vitit 1995 që tregon se ata janë shpronësuar.
Skënderaj: Pak më parë thatë se nuk keni depozituar dokumente, ndërsa tani po thoni se keni. Në këtë shkresë drejtuar arkivave, a keni parë ndonjë element që provon shpronësimin e familjes Begeja?
Balla: A mund ta shoh shkresën? Bazuar në një shkresë të bërë publike nga unë dhe të siguruar prej meje, i referohemi aeroportit të Tiranës dhe vendimit të shpronësimit. Por ky nuk është dokumenti për të cilin po flas; është një dokument tjetër.
Skënderaj: Kam një procesverbal të nënshkruar nga SPAK dhe dëshmitari. Nëse dokumenti nuk është i saktë, nuk di çfarë të them.
Balla: Nuk më kujtohet. Në vlerësimin tim, nuk është kjo shkresa.
Skënderaj: A e dini çfarë është shpronësimi?
Balla: Si çdo qytetar tjetër, kur një pronë private merret për interes shtetëror.
Skënderaj: A e dini çfarë ndodh me pronën kur aplikohet shpronësim i përkohshëm?
Balla: Nuk kam dijeni.
Skënderaj: Çfarë fakulteti keni përfunduar?
Balla: Shkenca Politike.
Avokati Sokol Mëngjesi: Ku e bazoni kundërligjshmërinë?
Taulant Balla: E kam bërë sqarimin tim; është në prokurori dhe në kallëzimin tim.
Mëngjesi: Na referoni disa fakte që i keni hetuar vetë apo i keni parë në dokumentacion.
Balla: Nuk kemi të bëjmë me një rast tipik korrupsioni dhe fshehjeje pasurie. Bëhet fjalë për një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes që privatizohet, kthehet prona, krijohet kompani dhe ndërtohet. Faktet lidhen me nenet e Kodit Penal mbi të cilat mbështetet arsyetimi im.
Mëngjesi: Një fakt apo dokument konkret, ku e bazoni korrupsionin?
Balla: E mendoj kështu.
Elsa Ulliri: Pa menduar.
Balla: Pa menduar nuk mund ta them. Jemi para një rasti ku një person i lidhur me një person me pushtet publik krijon kompani, lidh marrëveshje, krijon pasuri dhe përfitimi i shkon personit me pushtet. Kam përmendur fakte se si një personi të lidhur me pushtetin i është kthyer prona brenda një kohe shumë të shkurtër.
Mëngjesi: Kush e privatizon? Nëse ka qenë pronë e ushtrisë dhe ndodhet mbi tokë private, ndërsa strukturat shtetërore e nxjerrin në privatizim, kush e privatizon?
Balla: Shtëpia Qendrore e Ushtrisë sot ndodhet në pronë private. Pse ajo nuk i kthehet pronarit të truallit, ndërkohë që kompleksi “Partizani” i kthehet? Mendoj se ka favorizim. Personat e kallëzuar prej meje, si Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë, e kanë mundësuar këtë privatizim.
Mëngjesi: Çfarë veprimi konkret kanë kryer Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi?
Balla: Të dhënat që kam pasur i kam paraqitur në kallëzim.
Mëngjesi: Unë nuk kam dijeni për kallëzimin. A mund ta sqaroni këtu?
(Gjykata): Pyetja refuzohet.
Jamarbër Malltezi: Po ky po gënjen përsëri, zonja gjyqtare.
Mëngjesi: Çfarë dokumentesh false kanë përdorur ish-pronarët pranë AKKP?
Balla: Nga sa është bërë publike dhe nga arsyetimi mbi bazën e fakteve, rezulton se ajo pronë është shpronësuar…
Elsa Ulliri: Keni dijeni konkrete për këtë pyetje?
Mëngjesi: A ka një afat që agjencia të marrë vendim?
Balla: Ka një afat, por nuk kam dijeni se sa është.
Mëngjesi: Pse pretendoni për Malltezin se e ka marrë pronën shumë shpejt? Ku bazoheni që këta e kanë marrë më shpejt se të tjerët?
(Gjykata): Pyetja nuk lejohet; është dhënë përgjigje më parë.
Balla: Unë jam kallëzues. Nëse do të kisha mundësi t’i mblidhja të gjitha faktet, nuk do t’ia paraqisja prokurorisë. Në kallëzim kam ngritur edhe disa pyetje që kërkoja nga SPAK t’i verifikonte.
Mëngjesi: Çfarë ndikimi ka ushtruar Jamarbër Malltezi?
Balla: Është përfitues, i lidhur dhe i ekspozuar publikisht për shkak se është dhëndri i kryeministrit të kohës. Kur bashkohen këto elemente, krijohet dyshimi se ka përfituar.
Elsa Ulliri: Ju u pyetët konkretisht për ndikimin.
Balla: Përmes lidhjes familjare ka ndikuar tek institucionet për të marrë këto vendime. Kam dyshime, bazuar në nenet përkatëse.
Mëngjesi: A ka komunikuar konkretisht Jamarbër Malltezi me ndonjë person apo institucion?
Balla: Nuk kam dijeni.






















