Kronika 22 December 2025, 18:46 Nga VNA

“Do fusim çunat”: nga mesazhet për Damian Gjiknurin te rrëmbimi i Gerond Meçes, zbardhja e plotë e dosjes së presionit dhe pengmarrjes

Ndaje në Whatsapp

“Do fusim çunat”: nga mesazhet për Damian Gjiknurin te

Në vitin 2019, në një komunikim mes disa personave të përfshirë në interesa private, përmendet emri i Damian Gjiknurit si një pengesë për një situatë konkrete që lidhej me përfitime të caktuara. Mesazhet flasin për vështirësi në realizimin e një qëllimi dhe për nevojën që kjo pengesë të kapërcehej. Vite më vonë, një tjetër episod del në dritë: rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe, i cili nëpërmjet ankimimeve institucionale kishte krijuar bllokime në procedura publike. Dosja që zbardhet më poshtë përmbledh deklarime, komunikime dhe prova të administruara nga organet e hetimit, duke ndjekur në vijë kohore këto ngjarje dhe lidhjet mes tyre.

Pjesë nga dosja hetimore:

Nga deklarimet e shtetasit Gerond Meçe, organet hetimore janë vënë në dijeni për faktin se shtetasi Erjon Ismaili, me detyrë zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i ka kërkuar atij që të “rrinte larg AKSHI”. Ky fakt përputhet edhe me rezultatet e këqyrjes së pamjeve filmike të sekuestruara në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, nga të cilat rezulton se ndërmjet këtyre shtetasve ekzistojnë lidhje shoqërore dhe interesa të përbashkëta. Nga këqyrja e pamjeve filmike evidentohet se janë regjistruar takime të shumta mes shtetasit Ergys Agasi dhe shtetasit Erjon Ismaili, duke përforcuar dyshimet mbi një raport të qëndrueshëm komunikimi dhe bashkëpunimi.

Për të ilustruar modus operandi të kësaj veprimtarie, nga hetimet rezulton gjithashtu se shtetasi Ergys Agasi, në një komunikim të datës 06.03.2019 me shtetasin Alqi Bllako, ka diskutuar për një “situatë” në të cilën dyshohet se shtetasi Damian Gjiknuri ishte bërë pengesë për përfitime të paligjshme. Nga përmbajtja e kësaj bisede evidentohet se personi i përmendur me pseudonimin “labi” është shtetasi Elgerti Bixha, të cilin shtetasi Ergys Agasi synonte ta emëronte administrator në një shoqëri private që kishte fituar një koncesion nga ministria e drejtuar në atë kohë nga ish-ministri Damian Gjiknuri. Ky i fundit pretendohet se ishte bërë pengesë për realizimin e këtyre përfitimeve të paligjshme nga ana e shtetasve Ergys Agasi, Elgerti Bixha dhe Alqi Bllako.

Në këtë komunikim, konkretisht në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, shtetasi Ergys Agasi shprehet: “Do ja qi robt, do fusim çunat pastaj”, çka nënkupton përdorimin e lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të “hequr” pengesat e krijuara.

Kjo rrethanë lidhet drejtpërdrejt edhe me pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, pasi edhe ai, ashtu si në rastin e shtetasit Damian Gjiknuri, kishte krijuar “pengesë” për interesat e këtij grupi përmes ankimimeve të shumta pranë KPP-së, lidhur me procedurat e prokurimit të zhvilluara pranë AKSHI. Kjo përforcon dyshimin se modus operandi i këtij grupi kriminal është i njëjtë: identifikimi i një pengese, presioni përmes kanaleve informale dhe, në rast refuzimi, përdorimi i formave të rënda të intimidimit.

“Do fusim çunat”: nga mesazhet për Damian Gjiknurin te

Në vijim të këtij arsyetimi, dyshimi i arsyeshëm në ngarkim të shtetasit Ergys Agasi, si organizator dhe pjesëmarrës në pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, përforcohet edhe nga fakti se automjeti i përdorur për kryerjen e pengmarrjes rezulton të jetë në pronësi të subjektit “Merkaj 3” sh.p.k, me NIPT L31722005D, në pronësi të shtetasit Endri Merkaj.

Nga burime të hapura është verifikuar se shtetasi Endri Merkaj, së bashku me vëllain e tij Klajdi Merkaj, kanë lidhje interesi me shtetasit Arjan Ormenaj dhe Arben Lamçe, pjesë e grupit kriminal të njohur si “Çopja”.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ergys Agasi janë gjetur dokumente me interes për hetimin, konkretisht “Kontratë shitje pasurie të paluajtshme me rezervë kalimi pronësie”, me nr. 1370/798 rep/kol, datë 07.03.2024, e mbajtur dhe e legalizuar pranë zyrës noteriale Fatmir Koseni, midis shtetases Drita Hoxha në cilësinë e palës shitëse, shtetasve Mira Hoxha, Irfan Hoxha dhe Nikolin Jaka në cilësinë e palës dhënëse të pëlqimit dhe shoqërisë “Elba Beton”, me NIPT K12608201B, e përfaqësuar nga shtetasi Arjan Ormenaj.

Këto të dhëna, të marra në tërësi, përbëjnë zbardhjen e plotë të dosjes që lidh presionin, kërcënimet, pengmarrjen dhe ndërhyrjet kriminale me interesat e tenderëve publikë dhe me një model të përsëritur veprimi.

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme