Kronika 23 April 2026, 22:01 Nga VNA

Deputeti Arjan Ndoja dëshmon për atentatin ku mbeti i vrarë shoferi i tij

Ndaje në Whatsapp
Deputeti Arjan Ndoja dëshmon për atentatin ku mbeti i vrarë

Ish-prokurori Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike dëshmoi të enjten mbi atentatin e 1 nëntorit 2019 ndaj tij, shoferit të ndjerë, Andi Maloku dhe Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar i shpallur në kërkim dhe i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”. Prokuroria e Posaçame akuzon Plaurent Dervishajn e bandës së Durrësit për atentatin, në bashkëpunim me Julian Meçajn, Bledar Polovinën, Amar Shkëmbin (alias Dritan), Ramazan Rrajën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Bashkim Haxhijan dhe Julian Pjetrin.

Ndoja dëshmoi në Gjykatën e Posaçme në cilësinë e viktimës dhe u pyet nga prokurori Adnan Xholi. Ai shpjegoi se gjatë vitit 2019 ushtronte profesionin e prokurorit në Durrës dhe nuk kishte pasur konflikt me asnjë person.

Ndoja tha se mëngjesin e atentatit kishte dalë nga shtëpia rreth orës 07:30 i shoqëruar nga shoferi i tij, Andi Maloku dhe kishte shkuar në punë. Në mesditë, ai kishte shkuar në restorantin “Koral” për të drekuar me Pëllumb Muharremin alias Aleksandër Lahon, Enver Shalën dhe një shok të këtij të fundit. Sipas Ndojës, duhet të kenë qëndruar aty deri rreth orës 16:00 dhe më pas janë larguar me dy automjete, duke shkuar në drejtim të vendit të quajtur Ura e Dajlanit.

“Mjetin e drejtonte Andi Maloku, pasi unë nuk ndjehesha mirë. Në vendin e parë isha ulur vetë, ndërsa mbrapa Aleksandër Laho,” tha ai para gjykatës.

Ai shpjegoi se ishin futur në autostradë dhe po ecnin në korsinë e shpjetësisë, nga ana e trafikndarësit, kur tek mbikalimi kishin dëgjuar të shtënat me armë zjarri. Sipas deputetit Ndoja, plumbat kishin ardhur nga ana e djathtë e tyre dhe se ishin të shumtë.

Ai pohoi se kishte dëgjuar se kishte dy zhurma të ndryshme krismash, që tregonin se po përdoreshin dy armë që nuk shtinin me breshëri, por nga një herë e dy herë. Kur shoferi i ndjerë ishte plagosur, kishte devijuar dhe kishte dalë nga rruga duke u përplasur me një prej trafikndarësve.

Ndoja tha se në momentet e para më i vetëdijshëm ishte i ndjeri Andi Maloku, por sipas tij, asnjë nuk e kishte kuptuar se po ndiqeshin dhe as nuk dinin arsyen përse u ishte bërë atentati.

Ai theksoi se askush nuk i kishte sqaruar për ngjarjen përveç Prokurorisë.

“Nga të pandehurit për atentatin njoh vetëm Plaurent Dervishajn për shkak të një procedimi ndaj tij,” deklaroi ai.

Xholi e pyeti se ku qëndronte më shpesh në Gjirin e Lalëzit, por Ndoja tha se nuk kishte ndonjë pikë specifike. Ai mohoi të kishte ndonjë interes pasuror në Gjirin e Lalzit.

Ai tha gjithashtu se me Lahon kishte pasur takime të rastësishme, pasi i njihte vëllain. Ai këmbënguli se Laho nuk kishte hipur kurrë në makinën e tij me përjashtim të ditës së atentatit.

Ai tregoi më tej se deputeti Halit Valteri i kishte dhënë një CD ku shfaqeshin autorët dhe se këtë gjë e kishte ngritur dhe në parlament. Ndoja shpjegoi se njihej me të atin e të pandehurit Julian Meçe, por askush nga të pandehurit apo të afërmit e tyre nuk ishte interesuar për të.

“Unë jam i qetë dhe sot e kësaj dite se nuk i kam borxh njeriu,” tha ai.

Pas deputetit Ndoja, në bankën e të akuzuarit u ngjit si dëshmitar Erion Alibej- i pandehur për vrasje dhe bashkëpunëtor i drejtësisë në një çështje paralele.

Në përgjigje të pyetjeve të prokurorit Andan Xholi, Alibej deklaroi se kishte pasur njohje me Plaurent Dervishajn me të cilin shkëmbente informacione.

Ai tha se për t’u njohur me Dervishajn e kishte ndihmuar daja i bashkëshortes, që e kishte prezantuar me një person që quhej Ilir, i cili në atë kohë kishte një fabrikë të prodhimit të cigareve në Librazhd. Sipas Alibejt, Plaurenti kishte shkuar në takim me një tjetër person, që më vonë kishte mësuar se e thërrisnin me nofkën “Mond Çekiçi”.

Si Alibej ashtu edhe Dervishaj përdornin aplikacionet e inkriptuara, Sky ECC dhe Encrochat.

Alibej deklaroi se kur Plaurent Dervishajt i ishte bërë atentat, kishte mbledhur informacione se kush mund ta kishte realizuar dhe ia dërgonte. Nga ana tjetër, edhe Dervishaj e ndihmonte me informacionet që ai kërkonte.

Sipas dëshmitarit, Dervishaj kërkonte vetëm eleminimin e ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe të Aleksandër Lahos, jo të ndonjë personi tjetër të afërt me ta. Ai tha se Dervishaj kishte neveri për Lahon dhe se thoshte që nuk e llogariste fare.

Alibej deklaroi se pas atentatit ishte vetëofruar të ndihmonte për ekzekutimin e Ndojës, por se i pandehuri Dervishaj i kishte thënë se nuk ishte nevoja, pasi i kishte kapacitetet./reporter.al

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme