Kronika 21 August 2025, 09:15 Nga VNA

Daniel Shima dhe enigma e 10 orëve të zhdukjes së tij. Çfarë ndodhi dhe cilat janë pistat

Ndaje në Whatsapp
Daniel Shima dhe enigma e 10 orëve të zhdukjes së tij.

Nga Desada Metaj

Më parë se policia të publikonte njoftimin për humbjen e kontaktit të ish-zv. drejtorit të AKSHI, gazetarët kishin marrë njoftime të ndryshme për zhdukjen e tij. E para që dha alarmin ishte e dashura e Shimës, njëkohësisht edhe avokate e tij në çështjen që po hetohet nga SPAK. Në telefonin e saj kishte mbërritur një mesazh “po më arrestojnë” dhe më pas çdo kontakt me Daniel Shimën ishte shuar si me magji, ndërsa mamaja e tij nga ana tjetër rendi drejt policisë për të marrë informacion për djalin.

Kur vetë Danieli u shfaq pas 10 orësh, burime brenda policisë, por jo ai vetë, përhapën lajmin se “zhdukja” kishte të bënte me një konflikt personal mes tij dhe të dashurës. A thua se bëhet fjalë për një adoleshent që befas ka zbuluar se dramat e dashurisë mund t’i shndërrojë në “giallo” për të tërhequr vëmendjen e publikut. Sido të jetë e vërteta, Daniel Shima nuk ka pasur nevojë për këtë vëmendje të madhe për zhdukjen e tij disa orëshe. Hyrje-daljet e tij në SPAK janë të regjistruara me saktësi, ndërsa ka mjaftuar vetëm hera e parë që hapi derën e Prokurorisë së Posaçme për të mos hyrë më në derën e AKSHI-t. Institucionit të përfolur për dhjetëra tendera dhe miliona të shpërdoruara për mbrojtjen kibernetike dhe ndërtimin e sistemeve elektronike që, në rastin më të mirë, nuk kanë funksionuar kurrë saktësisht.

Përtej kësaj, Daniel Shima është në dijeni të shumë transaksioneve të bëra nga AKSHI dhe shumë të dhënave sensitive për sigurinë kibernetike. Një njeri me kaq kapacitete dhe detyrë të rëndësishme, që ka pasur në dorë sigurinë e vendit, nuk mund të jetë viktimë e një drame xhelozie me të dashurën. Vetëm në rast se kjo e fundit është e përfshirë në ndonjë dramë më të rrezikshme se ajo e dashurisë në çift. Ndaj jo më kot, këqyrja e telefonit të saj është ende një proces i pazbardhur, ndërsa bisedat e fundit me të dashurin janë të vetmet që policia ka arritur të lexojë. Ku ishte Daniel Shima 10 orët e alarmit për zhdukjen e tij? Ndoshta dikush kishte nevojë t’i bënte një paralajmërim të qartë dhe të fortë për të heshtur? Me kë udhëtoi ai një ditë më parë se të “humbte” në Borsh? Ka qenë udhëtimi i tij direkt apo është dashur të furnizohej me ushqim dhe karburant në Shijak? Të gjitha këto pikëpyetje kanë nevojë për përgjigje dhe hetimi duhet të nxjerrë të vërtetat për një ish-zyrtar që ruhet nga Garda e Republikës dhe befas ndihet i kërcënuar nga dashuria dhe zhduket pa lënë gjurmë. Kush beson se drama personale me një vajzë ka zhdukur pa lënë gjurmë për 10 orë njeriun që ka pasur sekretet kibernetike të Shqipërisë në dorë, është thjesht një shikues i rregullt i telenovelave. Përndryshe, në çdo vend të botës kjo ngjarje do ngrinte një alarm të madh për sigurinë jo vetëm të një ish-zyrtari, por edhe të vetë Shqipërisë. Ndoshta do bëheshin edhe filma, por do ishin filma me mafia dhe mafiozë.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme