
Autoriteti i Konkurrencës ka shtuar në ditët e fundit monitorimet në disa tregje të ndjeshme për konsumatorët, duke reaguar ndaj raportimeve për rritje çmimesh. Pas nisjes së monitorimit për çmimet e karburanteve, institucioni ka ndërmarrë një tjetër hap duke hapur një verifikim në tregun e bukës në qytetin e Korçës, ku është raportuar për një rritje të menjëhershme dhe të njëkohshme të çmimit të bukës nga 120 në 150 lekë.
Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti i Konkurrencës ngriti menjëherë një grup pune për monitorimin e tregut, me qëllim verifikimin nëse ndërmarrjet e prodhimit dhe shitjes së bukës kanë koordinuar këtë rritje çmimi, çka do të përbënte një shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Ky ligj ndalon marrëveshjet mes ndërmarrjeve që synojnë ose kanë si pasojë kufizimin e konkurrencës në treg, veçanërisht ato që lidhen me caktimin e çmimeve të shitjes. Në rast se provohet një marrëveshje e tillë, ndërmarrjet mund të përballen me gjoba deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Megjithatë, ndërsa Autoriteti reagon shpejt ndaj zhvillimeve të fundit në treg, mbetet një pyetje e hapur mbi efektivitetin dhe konsistencën e veprimeve të tij në disa raste të tjera të rëndësishme.
Një nga këto është procedura e hetimit paraprak ndaj Spitalit Amerikan, e nisur në prill të vitit 2025 për dyshime mbi abuzimin me pozitën dominuese në treg. Në vendimin e datës 9 prill 2025, Autoriteti i Konkurrencës i kishte dhënë Komisionit të Konkurrencës një afat tre mujor për të përgatitur raportin e monitorimit. Megjithatë, ndërsa tashmë po afrohet një vit nga nisja e kësaj procedure, nuk ka ende as raport dhe as vendim përfundimtar, të paktën publik.
Kjo vonesë krijon një kontrast të dukshëm mes reagimeve të shpejta ndaj çështjeve të reja dhe zvarritjes së disa hetimeve të rëndësishme, duke ngritur pikëpyetje mbi prioritetet dhe kapacitetin e institucionit për të adresuar në kohë çështje komplekse të konkurrencës në tregje strategjike.
Zhvillimet e fundit vijnë edhe në një moment institucional me rëndësi për Autoritetin e Konkurrencës. Sipas informacioneve të Ekofin, javën e ardhshme pritet të zhvillohen në komisionet parlamentare seancat dëgjimore me kandidatët për postin e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës. Kreu aktual, Denar Biba, është në garë për një mandat të dytë, ndërsa në këtë proces janë vetëofruar edhe kandidatët Pajtim Melani, Eldian Balla dhe Ivis Nocka.
Sipas burimeve, gjasat janë që Biba të shkojë drejt rizgjedhjes për një mandat të dytë, në një kohë kur Autoriteti i Konkurrencës po përballet me pritshmëri të shtuara për një rol më aktiv në monitorimin e tregjeve dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe kjo jo vetëm për njoftime për nisje monitorimesh ose hetimesh paraprake, por për veprime dhe vendime konkrete./ekofin.al/






















