Kronika 6 Shkurt 2026, 09:27 Nga VNA

Banorët e Rrjollit kundërtshtojnë resortin ‘strategjik’ të Gener 2

Ndaje në Whatsapp

Banorët e Rrjollit kundërtshtojnë resortin

Zhvillimi i një resorti turistik në zonën e Baks-Rrjollit, me një leje ndërtimi që pretendohet se është siguruar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, pas heqjes së sipërfaqes nga zonat e mbrojtura, cilësohet nga banorët si grabitje, ndërsa ekspertët mjedisorë e shohin si një akt shkatërrimi të vlerave natyrore.

Nën thirrjet “Drejtësi, drejtësi”, dhjetëra banorë të Rrjollit në Velipojë protestuan të enjten paradite përpara dyerve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke pretenduar se ndërtimi i një resorti turistik në fshatin e tyre po realizohet me leje të bazuar në dokumente të falsifikuara të pronarëve fiktivë.

Mes tyre ishte edhe Mara Paplekaj, banore e fshatit Rrjoll, e cila tha se, megjithë negociatat e realizuara me firmën zhvilluese Gener 2 – e cila ka marrë statusin e investitorit strategjik për zhvillimin e projektit – nuk kanë arritur një pikë dakordësie.

“Ne kemi 175 dynym tokë tonën, kemi tokë edhe në mal edhe në fushë, por po na e grabisin me dokumente të falsifikuara”, tha ajo.

“Bashkim Ulaj na ka thirrur, por nuk kemi rënë dakord me fjalët e tij dhe jemi në proces gjyqësor, sepse na ka premtuar gjëra qesharake që nuk janë për ne”, shtoi Paplekaj, duke iu referuar aksionerit kryesor të kompanisë Gener 2. “Por ata prapë kanë ardhur dhe kanë filluar punimet”, theksoi ajo.

Sipas Paplekajt, banorët janë tejet të revoltuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë për të ulur gjakrat.

Nëpërmjet një reagimi publik Gener 2 pretendoi se ka ndjekur të gjitha hallkat ligjore dhe institucionale për marrjen e lejes së ndërtimit.

“Të gjitha institucionet kompetente janë shprehur pozitivisht mbi projektin, ndërsa çdo hap është shoqëruar me dokumentacion të plotë teknik, ligjor dhe mjedisor, duke përfshirë këtu edhe dëgjesat publike me banorët e zonës”, shkruan kompani.

Kërcënim për ekosistemin

Projekti “Blue Borgo”, që tashmë ka filluar punimet, konsiston në një resort turistik me 33 struktura akomodimi me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë.

Ky resort është planifikuar të ndërtohet brenda një harku kohor prej 60 muajsh nga kompania Gener2, me statusin e investitorit strategjik në zonën Baks-Rrjoll, e cila dikur ishte pjesa zonave peizazheve të mbrojtura.

Imeld Sokoli, ekspert i zhvillimit të territorit, i tha BIRN se një projekt i tillë në një prej zonave të mbrojtura më të rëndësishme të vendit përbën kosto jo vetëm për komunitetin, por mbi të gjitha për natyrën dhe ekosistemin.

“Nga pikëpamja territoriale, fshati Baks-Rrjoll bën pjesë në Peizazhin e Mbrojtur Velipojë-Bunë, që ndodhet mes dy habitateve mjedisore, Lagunës së Vilunit dhe Monumentit Natyror të Ranës së Hedhun”, shpjegoi Sokoli.

“Si ekspert i territorit mund të them që ajo çfarë ndodh në këtë territor vjen si pasojë e ndryshimeve ligjore për planifikimin dhe zhvillimin e territorit në shtator të vitit 2024, ku Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujërave (KKTU) merr kompetencën për të dhënë leje ndërtimi edhe në zona të mbrojtura”, shpjegoi urbanisti.

Sipas tij, zhvillime të tilla përbëjnë një ndryshim të pakthyeshëm në territor dhe sjellin shkatërrim të vlerave natyrore dhe, si rrjedhojë, cenojnë çdo parim të mbrojtjes së mjedisit.

“Kjo zonë paraqet një hapësirë ligatinore ranore, e cila mbart rëndësi të veçantë për specie të ndryshme, kryesisht shpendësh”, i tha BIRN Imeld Sokoli, duke nënkuptuar se me miratimin e këtij projekti do të zhdukeshin edhe këto specie.

Edhe sipas banorëve të zonës, ndryshimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura në shkurt të vitit 2024 u bë me qëllim dhënien e dritës jeshile për investime strategjike në zona që deri atëherë konsideroheshin të paprekshme.

“Rrjolli ka qenë Zonë e Mbrojtur që nga viti 2016 e deri më sot dhe vetëm pjesa takuese është hequr”, i tha BIRN Prek Molla, banor i Rrjollit.

Pronarë fiktivë?

Banorët pretendojnë se biznesmeni Ulaj, pronar i kompanisë Gener2, ka arritur të negociojë me një pronar fiktiv në mënyrë që të arrijë një marrëveshje të shpejtë dhe të marrë lejen e ndërtimit në këtë zonë, pavarësisht kundërshtimeve të vendasve.

“Çdo lloj dokumenti që ka Fatmir Shpellzaj është i falsifikuar,” tha Prek Molla, ndërsa shtoi se “dëgjesa publike është bërë, por jo në fshatin tonë; nuk e di se ku.”  “Për këtë unë kam bërë kallëzim në SPAK”,  shtoi ai.

Banorët kanë ngritur më tej padi në Gjykatë dhe kërkojnë që punimet të ndërpriten deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës së Apelit, ku seanca e radhës pritet të zhvillohet më datë 16 shkurt.

Kompania Gener 2 i kundërshton këto pretendime si spekulative, dezinformuese dhe shprehet e vendosur për të vijuar ndërtimin e resortit.

Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë, i tha BIRN se problematika të tilla, ku investimet strategjike prekin jo pak komunitete të zonave të ndryshme bregdetare, janë të përhapura në vend.

Sipas tij, të drejtat e pronësisë së banorëve mbahen qëllimisht peng nga qeveria për të favorizuar investitorët strategjikë në Shqipëri.

“Qëllimisht mbahen peng të drejtat e pronësisë dhe leja zhvillimore e pronës së banorëve të thjeshtë”, tha deputeti i Lëvizjes Bashkë për BIRN.

“Kjo për arsye që sa herë të shfaqet qoftë një investitor strategjik, qoftë një oligark i radhës, letrat të bëhen shpejt e shpejt, duke lënë mënjanë ose duke mos u dhënë atë që u takon banorëve që janë pronarët legjitimë të këtyre pronave”, përfundoi Muçi./BIRN/

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme