Kronika 27 Janar 2026, 19:55 Nga VNA

Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit: dosja hetimore zbulon shkelje zinxhir, neglizhencë institucionale dhe dështim serioz të sigurisë

Ndaje në Whatsapp
Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit: dosja hetimore zbulon

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore për Altin Ndocin, i cili u arratis në mënyrë spektakolare më 13 janar nga Spitali Rajonal i Durrësit.

Sipas dosjes hetimore, të siguruara nga emisioni “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën, evidentohen një sërë shkeljesh të kryera nga Institucioni i Paraburgimit në Durrës ndaj këtij të burgosuri, duke nisur nga daljet e tij që nuk janë pasqyruar në asnjë komunikatë të aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Po ashtu, në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve për këto dalje.

Sipas dosjes, më datë 13 janar 2026, rreth orës 08:30, infermieri Aulon Çuku i ka kërkuar përgjegjëses së Sektorit Shëndetësor në IEVP Durrës, mjekes Ylfete Sema, që të hartonte një rekomandim për katër të burgosur, me qëllim kryerjen e ekzaminimeve të specializuara në Spitalin Rajonal Durrës.

Megjithatë, mjekja nuk e ka vizituar Altin Ndocin për shqetësimet e tij shëndetësore, por është mjaftuar me informacionin e dhënë nga infermieri, i cili kishte raportuar se i burgosuri kishte dhimbje veshkash dhe ishte planifikuar për vizitë me kirurgun në spital.

Altin Ndoci, 38 vjeç, ndodhej në paraburgim që prej 20 majit 2020, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme për disa vrasje të kryera në rrethana cilësuese dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas të dhënave hetimore, mjekja Ylfete Sema është mjaftuar vetëm me plotësimin e protokollit shëndetësor, duke anashkaluar vizitën paraprake të pacientëve, përfshirë edhe Altin Ndocin. Kjo konsiderohet shkelja e parë që i ka hapur rrugë realizimit të planit të arratisjes.

“Mjekja Ylfete Sema, pasi ka plotësuar kërkesën për vizitë mjekësore me të dhënat e të burgosurve, ia ka dhënë atë kryeinfermierit Aulon Çuku, ku i paraburgosuri Altin Ndoci është rekomanduar për konsultë me mjekun kirurg. Ky urdhër i është dërguar Shefit të komanduar të Policisë, Destemon Pazaj. Por para dorëzimit të urdhrit, kryeinfermieri ia ka dërguar këtë kërkesë drejtorit të burgut, i cili pasi e ka miratuar, ka ngarkuar si grup shoqërimi punonjësit e policisë Destemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferrollari, Preg Marvataj dhe Fatjon Baci, me shofer Idajet Çalama”, thuhet në dosjen hetimore.

Edhe pse procedurat formalisht duken në rregull, grupi hetues ka konstatuar shkelje dhe tolerime që i kanë dhënë shkas përgatitjes së skenarit të arratisjes. Ndër to, fakti që Altin Ndoci është vlerësuar me risk standard arratisjeje, pa u reflektuar rrezikshmëria e tij shoqërore, çka ka ulur parametrat e sigurisë gjatë shoqërimit drejt Spitalit të Durrësit.

Në dosje figuron edhe lista e kontrollit të treguesve të riskut më 4 dhjetor 2025, ku Altin Ndoci është vlerësuar me risk standard nga komisioni i përbërë nga shefi i policisë, punonjësi social, juristi, mjeku dhe drejtori i burgut Indrit Cerloj.

Lëvizja drejt spitalit u planifikua të bëhej me autoambulancë, duke ndjekur të njëjtin itinerar në vajtje dhe kthim. Në mënyrë të paqartë, një nga efektivët kryesorë të shoqërimit, Destemon Pazaj, u zëvendësua në momentin e fundit.

Altin Ndoci ishte i pari që u transportua drejt Spitalit Rajonal Durrës, duke shfaqur probleme të pretenduara shëndetësore në veshka. Ai u dërgua në pavijonin e Infektivit dhe gjatë transportit ka vijuar të ankohet për dhimbje.

Por, sipas konstatimeve të grupit hetues, me të zbritur nga autoambulanca, grupi shoqërues i ka hequr prangat Altin Ndocit, duke e shoqëruar pa pranga drejt ambienteve të brendshme të spitalit. Nuk dihet kush ka dhënë këtë urdhër dhe pse është marrë ky vendim në atë moment.

Më tej, Ndoci është lënë vetëm në shoqërinë e dy punonjësve të sigurisë, nga pesë që ishin planifikuar fillimisht. Ai është shoqëruar drejt dhomës së izolimit nr. 7 në katin e tretë, e përshtatur me zgarë hekuri për të burgosurit.

Në një moment, një prej efektivëve, Dorian Saraçi, është larguar, duke e lënë Altin Ndocin vetëm me Sali Ferrollarin dhe Fatjon Bacin. Pikërisht në këtë fazë, sipas hetimit, Ndoci vendos të vërë në zbatim planin e arratisjes.

Duke u shtirur për dhimbje të vazhdueshme në veshka dhe duke kërkuar vazhdimisht të shkojë në tualet — kërkesë që iu aprovua katër herë — ai përfitoi nga momenti kur u hap zgarë e hekurt dhe goditi me grusht në kraharor efektivin Fatjon Baci, duke e rrëzuar atë bashkë me kolegun tjetër.

Pas kësaj, Ndoci u largua me vrap nëpër korridoret e spitalit. Dy efektivët tentuan ndjekjen, ndërsa njëri prej tyre qëlloi një herë në tokë me armë për ta trembur, por pa sukses. Sipas dëshmive, Altin Ndoci u drejtua nga kodrat, ku dyshohet se e priste një automjet i zi me targë AA 700 RS.

Një nga efektivët deklaroi se tentoi të telefonojë numrin e emergjencës 129, por nuk mori përgjigje, ndërsa tjetri kontaktoi me specialisten e informacionit në IEVP Durrës, Violeta Uka.

Në dosje përfshihet edhe deklarata e Destemon Pazajt, i cili tha se kishte mbi 21 vite eksperiencë në sistemin e burgjeve dhe se Altin Ndoci ishte shoqëruar edhe më herët për vizita mjekësore sipas të njëjtës procedurë.

Dosja hetimore përshkruan një zinxhir shkeljesh, tolerimesh dhe dështimesh të sigurisë që, sipas hetuesve, krijuan kushtet për realizimin e arratisjes së një të paraburgosuri me rrezikshmëri të lartë.

Video

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Një 89-vjeçar ka hapur zjarr këtë të martë në qendër të Athinës, duke plagosur disa persona në dy sulme të njëpasnjëshme. Autori qëlloi fillimisht në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe më pas brenda një godine gjykate. Policia ka gjetur armën e krimit, një pushkë gjahu, dhe ka nisur një operacion masiv për kapjen e autorit. Ndërsa të plagosurit ndodhen në spital.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme