Kronika 20 September 2025, 17:31 Nga VNA

Akuzohen për rrëmbim dhe vrasje të 23-vjeçarit Renis Dobra, Gjykata lë në burg dy vëllezërit Bushgjoka

Ndaje në Whatsapp
Akuzohen për rrëmbim dhe vrasje të 23-vjeçarit Renis

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025.

Të dy u arrestuan një ditë më parë gjatë një operacioni të koduar “Operacionalja 68”, të zhvilluar në Tiranë nga Forcat Speciale RENEA dhe Forca Operacionale e Policisë së Shtetit.

Burime nga gjykata bëjnë me dije se seanca gjyqësore është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes të akuzuarve dhe trupit gjykues. Debatet nisën sapo prokuroria kërkoi masën e sigurisë më të rëndë, ndërsa vëllezërit mohuan akuzat dhe u përfshinë në përplasje me trupin gjykues.

Rrëmbimi dhe ekzekutimi i Renis Dobrës

Sipas hetimeve paraprake, vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, së bashku me vëllain tjetër të tyre, Fatjon Bushgjoka, dhe 55-vjeçarin Petrit Çakrri (të dy të arrestuar më herët), dyshohet se kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe më pas vrasjen brutale të 23-vjeçarit Renis Dobra. Trupi i pajetë i të riut u gjet në liqenin e Ulzës, në zonën e Shkopetit, disa ditë pas zhdukjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vrasja është kryer me litar – një strangulim i planifikuar me kujdes dhe i realizuar pas disa ditësh ndjekjeje.

Detaje tronditëse nga hetimet: makinat me qira dhe fshehja e trupit

Hetimet kanë zbuluar një plan të mirëmenduar nga autorët, të cilët për disa ditë rresht përdorën makina të ndryshme me qira – të marrë në Rinas dhe Yzberisht – për të ndjekur lëvizjet e viktimës dhe për të shmangur gjurmët. Autorët tentuan të hiqnin GPS-at nga automjetet, por nuk ia dolën.

Përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe sinjaleve GPS, policia arriti të rindërtonte itinerarin e autorëve dhe të dokumentonte lëvizjet e tyre deri në momentin e vrasjes. Dyshohet se pas krimit, autorët futën trupin e pajetë të 23-vjeçarit në një automjet dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit për të fshehur ngjarjen. Trupi doli në sipërfaqe disa ditë më vonë, ndërsa mjeti përfundoi në ujë.

Aleksandër Bushgjoka, më i vogli nga tre vëllezërit, dyshohet gjithashtu se ndihmoi në përpjekjen për të larguar vëllain tjetër, Fatjonin, drejt Kosovës, pas ngjarjes.

Operacioni “Operacionalja 68” dhe arrestimi në Tiranë

Kapja e dy vëllezërve u bë gjatë një operacioni të mirëorganizuar nga strukturat speciale të Policisë. Ata u lokalizuan në një apartament në Tiranë dhe u ndaluan nga RENEA pa asnjë rezistencë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, të dy ishin shpallur në kërkim për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim. Pas ndalimit, ata janë transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër për veprime të mëtejshme procedurale.

Akuzat dhe vijimi i hetimeve

Prokuroria e Dibrës ka ngritur ndaj katër të arrestuarve akuzat për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Rrëmbim dhe mbajtje peng e personit”. Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes makabre, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë në këtë krim të rëndë që ka tronditur opinionin publik.

 

 

 

 

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme