Kronika 15 Prill 2026, 18:33 Nga VNA

Aksioni i SPAK për Jetmir Pepaj, zbardhen episodet e trafikut të kokainës nga Peruja, Ekudori drejt Holandës, Hungarisë e Suedisë

Ndaje në Whatsapp
Aksioni i SPAK për Jetmir Pepaj, zbardhen episodet e trafikut të

SPAK njoftim zyrtar për goditjen e grupit kriminal të Jetmir Pepaj. Prokuroria e Posaçme thotë se janë zbardhur 8 episode të trafikut të kokainës nga Peruja apo Ekuadori drejt Holandës, Suedisë e Hungarisë. Në total grupi ka trafikuar 7.5 tonë. Në pranga përfunduan Lulzim Pepaj, vëllai i Jetmir Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola, ndërsa tetë të dyshuar të tjerë, përfshirë dhe kreun e grupit, u shpallën në kërkim. Ndërsa u sekuestruan pasuri në vlerën e 12 mln eurove. SPAK thotë se ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotikëve” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“.

 

8 episodet e trafikut të kokainës

 

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

 

Episodi 2 – 7-8 Prill 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

 

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

 

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

 

Episodi 5 – 30 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

 

Episodi 6 – 7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

 

Episodi 7 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

 

Episodi 8 – 1 – 2 Tetor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

 

Pasuritë e sekuestruara

 

Sikurse VNA raportoi më herët SPAK sekuestroi pasuritë e Pepajt dhe personave të bashkëlidhur me të në vlerë 12 mln euro. Janë sekuestruar kompanitë “Pepa Group”, “HEC ARSTI”, “B.I.V” shpk, “Shëngjini 2013” shpk, “Oxford Hotel”, “Maison Nuve Aesthetics”, “E.D.K.AL” shpk.

 

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

 

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

 

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

 

Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.

Video

E ke tepruar pak me këto vetëpërjashtime doktor…

Me ardhjen e PD-se ne pushtet ky pret leket e ish të persekutuarve

Rikthimi i diktorit e vetmja gjë që na mban gjallë

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme