Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Gjirit të Lalëzit, ku janë përplasur dy automjete.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën një 57-vjeçar, i cili udhëtonte si pasagjer në njërin prej mjeteve të përfshira në aksident.
Nga përplasja kanë mbetur të plagosur edhe drejtuesit e të dy automjeteve, si dhe një pasagjer tjetër. Të lënduarit kanë marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Policia bëri me dije se ka arrestuar të dy drejtuesit e mjeteve, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi se ata drejtonin automjetet në gjendje të dehur. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.






















