Kronika 25 Gusht 2025, 19:37 Nga VNA

3069 farmaci në duart e 8 shpërndarësve, si funksionon oligopoli i ilaçeve

Ndaje në Whatsapp
3069 farmaci në duart e 8 shpërndarësve, si funksionon oligopoli

Në një proces mëse të mirëorganizuar, një prodhues vendas i madh, tetë subjekte import- shpërndarje me shumicë dhe dyshimi i arsyeshëm për përcaktim çmimesh dhe cilësie, kanë kthyer 3069 farmaci të licensuara në të gjithë vendin si shitore të produkteve të diktuara nga grosistët e barnave.

Krahas dominimit të tregut nga subjekte të mëdha prodhuese dhe tregtuese, ekspertët e fushës ngrenë shqetësimin e rënies së cilësisë së medikamenteve, jo vetëm atyre të rimbursueshme por edhe atyre që tregtohen në farmacitë e hapura.

“Tregu shqiptar i farmacive të rrjetit të hapur, por zhytet nën kthetrën e monopolizimit”, thotë për Faktoje.al, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma.

Edhe vetë institucionet shtetërore e konstatojnë monopolizimin e tregut në përcaktimin e çmimit dhe llojeve të medikamenteve, duke ua lënë në duar pak subjekteve një proces zinxhir prodhim dhe tregtim shumicë-pakicë.

“Çmimi i barnave në tregun farmaceutik nuk është element konkurrues pasi fiksimi i tij për të paktën një periudhe 6 mujore dhe përcaktimi i tij në pullën e kontrollit e bën atë të pandryshueshëm, duke sjellë kufizim të konkurrencës me çmimet e produkteve në tregun farmaceutik nga aktorët e këtij tregu”. Me këtë përfundin arrin Autoriteti i Konkurrencës pas një hetimi të gjatë, duke dalë me një raport përfundimtar (i fundit) në tetor të vitit 2022.

Kontrolli i plotë çmim-produkt!

“Në Shqipëri janë 3069 farmaci të licencuara; importues dhe shpërndarës në tregun farmaceutik (Tregtimi me shumicë i barnave) janë 233 licenca; Prodhuese në sektorin farmaceutik (Prodhimi i barnave) janë 10 licenca dhe farmaci spitalore (Shërbime spitalore), janë 27 licenca”, thotë QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), për Faktoje.al.

Edhe pse janë dhënë 233 licensa për subjekte të tregtim me shumicë të barnave, numri real i tyre është shumë më i vogël.

Nga një hetim i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se në vitin 2022 ishin 13 kompani të mëdha farmaceutike.

Ndërkohë nga verifikimet e Faktoje.al dhe pas përpunimit të të dhënave që vijnë edhe nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se aktualisht janë vetëm tetë subjekte të mëdha të cilët kontrollojnë tregun, por pasi hapin filiale me emra të tjerë tregtarë, “mbulojnë” aktivitetin e tyre, ç’ka japin ‘de jure” idenë se në vend ka shumë kompani tregtimi me shumicë.

“Në tregun farmaceutik kemi një shtresëzim të tillë; import-shpërndarje një kategori dhe prodhues një kategori tjetër, por produktet e të dy kategorive, shpërndarjen tek qytetari e realizojnë përmes farmacive të rrjetit të hapur. Fundi i hinkës është farmacia e rrjetit të hapur. Një pjesë nëpërmjet tenderave shkon në spitale, dhe një pjesë tjetër lëvrohet për qytetarët në farmaci”, thotë Toma.

Subjektet e mëdha prodhuese

Faktoje.al iu referua hetimit të Autoritetit të Konkurrencës i cili në një analizë të detajuar qartësisht dallon vetëm një kompani prodhuese barnash vendase, Profarma dhe tetë kompani të tjera tregtuese.

QKB ka të regjistruar 10 subjekte prodhuese, por Diana Toma saktëson se “vetëm një kompani është prodhuese barnash, (Profarma), ndërsa kompanitë e tjera prodhojnë produkte teknike mjekësore ose produkte parafarmeceutike”.

Autoriteti i Konkurrencës në të njëjtin raport (tetor 2022 i fundit) mori në shqyrtim tregun e ilaçeve dhe konstatoi se: “Mbështetur në analizën e të dhënave mbi vlerën e barnave të prodhuara në vend dhe të tregtuara nga ndërmarrjet e autorizuara për prodhim dhe tregtim, rezultoi se, ndërmarrja Profarma është prodhuesi më i madh farmaceutik në vend, i ndjekur nga Noval dhe Florfarma. Nga një kryqëzim i të dhënave të depozituar nga Profarma SHA dhe FSDKSH (lista e barnave te rimbursueshme), konstatohet se në listën e barnave të rimbursueshme, produktet e Profarma janë pothuajse në të gjitha rastet, alternativa më e lirë brenda barit xhenerik”, thotë AK, që gjithashtu nuk konstaton shkelje, pasi ndonëse sheh dominim tregu, e mbulon me çmimin e ulët të ilaceve, veçanërisht atyre të rimbursueshme.

Subjektet tregtuese

Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e saj thekson se institucionet shtetërore, veçanërisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) nuk i kishin vënë në dispozicion dokumentet përkatëse mbi kompanitë prodhuese dhe tregtuese, sa ilaçe kanë importuar dhe mbi cilësinë e tyre. Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës del në përfundimin se për vitin 2022 “ndërmarrjet më të mëdha të importit të barnave mjekësore janë (Rejsi Farma SHPK, Incomed SHPK, Evita SHPK, IMI Pharma SHPK, Trimed SHPK, Aldosch Farma SHPK, Fufarma SHA, Pegasus SHPK, CFO Pharma SHPK, Delta Pharma-AL SHPK, Megapharma SHPK dhe Intermed SHPK)”.

AK konstaton gjithashtu se një subjekt tregtar ka dominuar përgjatë vitit 2020 me “vaksinën anti grip”, duke e konsideruar këtë shkelje, pasi rreth 75 % e kësaj vaksine gjendej vetëm në farmacitë e hapura, rrjet i këtij subjekti importues.

“Në përfundim të procedurave hetimore, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se: ’fiksimi i çmimet të shitjes së barnave në çdo nivel tregtimi, të përcaktuara në VKM nr. 143, datë 18.2.2015 “Për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave”, pika 1,2 dhe 3 sjell kufizim të konkurrencës në tregtimin me shumicë dhe pakicë të barnave”. Gjithashtu po ky institucion konstaton se, “ekzistenca e integrimit vertikal të ndërmarrjeve importuese farmaceutike dhe farmacive të rrjetit të pakicës, mund të sjellë krijimin e pozitës dominuese në treg”.

Pavarësisht qëndrimit të Autoritetit të Konkurrencës, tregu farmaceutik në vend jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po thellon kontrollin nga një grup i vogël prodhuesish dhe tregtuesish me shumicë dhe pakicë të ilaçeve.

“…Tek farmacitë e hapura ka kompani të mëdha importuese të cilat duket se kanë bërë shtrirje nga tregtia me shumicë deri në pjesën fundore. Kanë hapur rrjetet e tyre farmaceutike”, thotë Toma, ndërsa shton se kjo ka sjellë “monopolizim të plotë nga prodhimi, depo të mëdha farmaceutike, shpërndarja dhe pastaj tregtia me pakicë nëpërmjet rrjeteve të tyre të farmacive të hapura”

Hap e farmaci…!

Tre ligje kontroverse të viteve 2009, 2014 dhe 2015, nën sloganin e hapjes së madhe për licensimin e shumë farmacive dhe uljes së çmimeve të ilaçeve, duket se tashmë kanë sjellë dominim të tregut farmaceutik nga një grup i vogël biznesmenësh një prodhues vendas të barnave dhe tetë subjekteve të mëdha importuese të cilët kanë edhe rrjetet farmacish të shitjes me pakicë për të mbyllur ciklin prodhim-tregtim-shitje.

Në vitin 2009, Parlamenti miratoi ligjin 10081, për licensat dhe lejet, të propozuar nga qeveria.

“Nëse deri në 2009 kishim dhënjen e lejes për hapjen e farmacive nga Ministria e Shëndetësisë mbi kritere profesionale, distance etj, pas miratimit të këtij ligji këto kritere rrëzoheshin dhe me dëshirën e çdo individi i cili gjente një ambient edhe ngjitur me një farmaci tjetër, vetëm nëpërmjet vetëdeklarimit që bëhej, QKB-së, gëzonte të drejtën e hapjes së farmacisë”, thotë për Faktoje.al, Diana Toma, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

“Në vitin 2009 kur ju dha e drejta gjithkujt për të hapur farmaci, ndodhi që u shkëput lidhja mes farmacistit dhe farmacisë në pronësi. Pesha e përgjegjësisë iu la drejtuesit teknik dhe në këtë formë, i krijuam një mburojë artificiale pronarit të farmacisë që të bënte shkelje pa kokëçarje, pasi ‘faturat’ do i paguante drejtuesi teknik i farmacisë që tashmë nuk ishte pronar i subjektit”, thotë Toma, ndërsa këmbëngul se kjo formë largoi profesionistin farmacist nga tregu dhe i dha rëndësi konceptit tregtar edhe në fushën shëndetësore.

Dy ligjet që larguan cilësinë dhe ‘kapën’ tregun…!

Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja për disa muaj premtoi ndryshime rrënjësore në sistemin shëndetësor në ligjin për barnat për shërbimin farmaceutik, duke premtuar ulje çmimesh dhe kontroll nga shteti. Gjithashtu edhe amendimet e këtij ligji një vit më vonë çimentuan industrinë farmaceutike në vend, duke paracaktuar çmimet, cilësinë dhe në mënyrë indirekte edhe kompanitë që do kishin më shumë akses në këtë treg të rëndësishëm. “Origjina e barnave që erdhën zëvendësuese, të barnave patentë, patjetër do i ketë çmimet më të lira, por kjo solli atmosferë mbytëse për kompanitë prestigjioze”, thotë Toma. “Kemi shumë farmaci që falimentojnë dhe që janë në pronësi të farmacistëve profesionistë dhe shtohet numri i këtyre farmacive që janë në pronësi të këtyre rrjeteve. Shohim që rrjetet farmaceutike shesin produkte më lirë sesa ne i blejmë në depo. Para cilit fenomen jemi? Para fenomenit që po investohet për të mbyllur farmacitë e tjera që është shkelje dhe mbyllje në mënyrë të pandershme apo para fenomenit që po pastrohen para”, thekson ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

Kush kontrollon?

Agjencia Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al tha se në vendin tonë janë të autorizuara për tregtim:

“Barnat e prodhuara në vendin tonë; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanada, Turqi, Zvicër, Izrael, Japoni, Australi, Norvegji, Islandë dhe Mbretëri e Bashkuar; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim lokal dhe që qarkullojnë në vend; barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në vendin e tyre dhe barnat e pajisura me autorizimin e tregtimit nga (EMA) ose (FDA)”.

Ndonëse janë pesë autorizime, dominuese të tregut për përdorim spitalor dhe në farmaci private janë barna të prodhuara në vendin tonë, Turqi, apo një nga vendet e Ballkanit, kryesisht Serbi.

“Kompanitë e huaja prestigjioze që ishin deri në atë kohë, (viti 2015), u larguan të detyruara nga ana ligjore, apo konstatuan se nga përcaktimi i qeverisë do uleshin çmimet, që do të thotë se nuk do të kishin treg”, thotë ekspertja e farmaceutikës Diana Toma.

Sipas saj, largimi i detyruar i kompanive të mëdha farmaceutike nuk ishte i paqëllimtë. “Zhvendosja e tregut në vlerësimin tim është bërë vetëm për interesa të pastra fitimi për një shtresë apo kategori të caktuar individësh, duke mos e patur fare parasysh rëndësinë e prezencës së përfaqësive farmaceutike në Shqipëri të cilat në vetëvete janë garantues të stabilitetit të tregut farmaceutik të një vendi”/ Faktoje.al

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme