Interi ka identifikuar Curtis Jones si një nga objektivat kryesorë për forcimin e mesfushës gjatë merkatos së verës.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi zikaltër ka nisur kontaktet me Liverpoolin për transferimin e mesfushorit 24-vjeçar. Megjithatë, oferta e parë e Interit, e cila raportohet të jetë rreth 20 milionë euro, është refuzuar nga drejtuesit e klubit anglez, që e vlerësojnë lojtarin me një shumë më të lartë.
Aktualisht ekziston një diferencë e konsiderueshme mes kërkesës së Liverpoolit dhe asaj që Interi është i gatshëm të paguajë, çka e bën marrëveshjen ende të vështirë për t’u realizuar.
Nga ana tjetër, Jones shihet i hapur ndaj një aventure të re në Serie A. Mesfushori ka pasur më pak hapësira në skuadër që prej ardhjes së trajnerit Arne Slot dhe po shqyrton opsionet për të ardhmen e tij.
Pavarësisht interesimit të fortë të Interit, negociatat janë ende në fazat fillestare dhe nuk ka një marrëveshje të afërt mes palëve. Bisedimet pritet të vazhdojnë në javët në vijim, me klubin italian që kërkon të gjejë formulën e duhur për të bindur Liverpoolin të heqë dorë nga një prej lojtarëve të dalë nga akademia e tij.






















