Mauro Icardi pritet të largohet nga Galatasaray në fund të sezonit dhe e ardhmja e sulmuesit argjentinas mund të jetë sërish në Itali. Sipas raportimeve të fundit, 33-vjeçari ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Serie A, ku shkëlqeu me fanellat e Sampdorias dhe Interit.
Burime pranë tregut të transferimeve bëjnë të ditur se Juventusi, Milani dhe Roma po ndjekin me interes situatën e ish-kapitenit zikaltër, i cili do të jetë i lirë pas përfundimit të kontratës me klubin turk më 30 qershor.
Gjatë katër sezoneve te Galatasaray, Icardi ka regjistruar statistika mbresëlënëse, duke shënuar 77 gola dhe duke dhuruar 25 asistime në 134 ndeshje, çka tregon se aftësia e tij para portës mbetet e paprekur.
Juventusi konsiderohet aktualisht destinacioni më i mundshëm, pasi bardhezinjtë po vlerësojnë opsionet në repartin ofensiv mes pasigurive që rrethojnë të ardhmen e Dusan Vlahoviç.
Edhe Milani e ka në radar sulmuesin argjentinas, megjithëse situata drejtuese në klub mund të ndikojë në lëvizjet e merkatos. Ndërkohë, te Roma, trajneri Gian Piero Gasperini raportohet se e vlerëson shumë profilin e Icardit dhe e sheh si një alternativë të vlefshme për sulmin.
Në garë për firmën e tij përmenden edhe Como, Lazio dhe Fiorentina, por këto pista konsiderohen më pak konkrete për momentin.
Fakti që Icardi mund të transferohet pa kosto karte e bën atë një mundësi tërheqëse për shumë klube, ndërsa paga e tij pritet të jetë elementi kyç në negociatat për destinacionin e ardhshëm.






















