Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Alain Prost, ka mbetur i lënduar pas një grabitjeje të dhunshme në banesën e tij në Zvicër.
Sipas mediave zvicerane, disa persona të maskuar kanë hyrë me forcë në shtëpinë e ish-pilotit francez në orët e para të mëngjesit të së martës, ndërsa familjarët ndodheshin brenda. Autorët kanë kërcënuar banorët dhe kanë marrë sende me vlerë nga kasaforta e banesës.
71-vjeçari raportohet se ka pësuar një dëmtim të lehtë në kokë gjatë incidentit, ndërsa Prokuroria e kantonit Vaud ka nisur hetimet për ngjarjen.
Në deklaratën zyrtare thuhet se grabitësit detyruan një anëtar të familjes të hapte kasafortën dhe më pas u larguan me plaçkën, ndërsa pavarësisht kontrolleve të shumta, autorët ende nuk janë identifikuar.
Policia bëri të ditur se lista e sendeve të vjedhura po verifikohet, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Sipas gazetës zvicerane Blick, Prost është larguar përkohësisht nga shtëpia e tij në Nyon, pranë Liqenit të Gjenevës, pasi ka mbetur i tronditur nga grabitja.






















