Sociale 30 Korrik 2025, 15:11 Nga VNA

Shqipëria e fundit në garën për fondet e BE-së për shkencën dhe inovacionin

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria e fundit në garën për fondet e BE-së për

Shqipëria ka identifikuar prej vitesh fushat më me potencial për zhvillimin e vendit, siç janë Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) apo bujqësia, ku ka fituar njohje dhe mundësi bashkëpunimi në progarme si të Bashkimit Evropian, si “Horizon 2020” apo “Horizon Europe”, megjithatë në një vlerësim mbi përfitimet e saj ajo mbetet shumë mbrapa vendeve ballkanike.

Vendi ynë është njohur me programet e BE-së që ofrojnë mundësi për zhvillimin e profesionistëve të rinj dhe të sipërmarrjes, por ajo ende numëron një numër të ulët nismash të miratuara. 

“Përfitimi real nga programet si ‘Horizon 2020’ dhe ‘Horizon Europe’ mbetet i kufizuar. Shqipëria ka një numër shumë të ulët projektesh të fituara krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, konstatoi Dorina Gjipali, pedagoge dhe kërkuese shkencore.

Sipas ekspertes zhvillimet janë inkurajuese dhe megjithëse tregohet vullnet institucional për të ndërtuar ura bashkëpunimi me komunitetin shkencor evropian, përfitimet mbeten minimale. 

“Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa pozitivë drejt forcimit të përfshirjes në Hapësirën Evropiane të Kërkimit dhe Arsimit të Lartë, duke shënuar përfshirje në rrjete dhe aleanca universitare evropiane që synojnë ndërkombëtarizimin e arsimit, shkëmbimin akademik dhe bashkëpunimin në projekte kërkimore”, shpjegoi për Amforën Gjipali.

“Këto zhvillime janë inkurajuese dhe tregojnë vullnet institucional për të ndërtuar ura me komunitetin shkencor evropian”, komentoi më tej Gjipali, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe anëtare e Komitetit Drejtues të Aleancës Universitare Evropiane “STARS EU”.

Shqipëria dhe potencialet e pashfrytëzuara në programet e BE-së

Bashkimi Evropian ofron prej vitesh një sërë fondesh dhe programesh mbështetëse për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, të cilat janë pjesë e përpjekjeve për të afruar këto vende me BE-në dhe për të forcuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme, si shkenca, arsimi dhe teknologjia. 

Programi “Horizon Europe” ka nisur në vitin 2021 dhe parashikohet që të përfundojë në vitin 2027, mbetet programi kryesor i BE-së për kërkimin dhe inovacionin, me një buxhet mbi 95 miliardë euro.  

Shqipëria është pjesëmarrëse e njohur në këtë program që prej nisjes së zbatimit të tij në vitin 2021, por me një numër shumë të ulët projektesh të zbatuara krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 

Në vitin 2023 vendi ynë mori pjesë në 15 projekte me një financim rreth 2 milionë Euro. Ndërsa nga ana tjetër, Serbia vlerësohet si lideri rajonal për sa i përket këtij programi dhe numëron mbi 130 projekte, që kapin një financim mbi 35 milionë Euro.

Maqedonia e Veriut është përfituese e mbi 50 projekteve, me rreth 10 milionë Euro, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina kanë më pak projekte se Serbia, por më shumë se Shqipëria në vlerë financimi. Kosova mund të krahasohet me Shqipërinë për sa i përket numërit të projekteve, por me financim edhe më të ulët. 

Sipas ekspertëve kjo lidhet me faktin se Shqipëria vazhdon që të ketë mungesë kapacitetesh për tu përfshirë në programe të tilla ndërkombëtare, që lidhet me planifikimin, aplikimin dhe zbatimin e këtyre projekteve.

“Shpesh mungon kapaciteti për të marrë pjesë si koordinator ose partner të barabartë në konsorciume ndërkombëtare”, analizoi Gjipali. Sipas saj kjo mungesë kapacitetesh pasqyron mungesën e përvojës në hartimin dhe menaxhimin e projekteve, por dhe mungesën e infrastrukturës së qëndrueshme kërkimore.  

“Kjo pasqyron ende mungesën e përvojës në hartimin dhe menaxhimin e projekteve, por mbi të gjitha mungesën e kapacitetve dhe të një infrastrukture të qëndrueshme kërkimore të njësive mbështetëse brenda universiteteve, siç janë zyrat për transferimin e teknologjisë apo për menaxhimin e pronësisë intelektuale”, shtoi ajo. 

Ndërsa referuar shpenzimeve qeveritare për shkencën dhe kërkimin, Shqipëria renditet në vendin e parafundit në Evropë, duke lënë pas vetëm Rumaninë. Referuar të dhënave të Eurostat për vitin 2024, buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare për kërkim-zhvillimin ishte 0.19% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 40.9 milionë euro në vlerë absolute – Dhe nëse do i referohemi vetëm Serbisë në rajonin tonë, treguesi është 0.4% e PBB-së.

Sipas ekspertëve një tjetër sfidë e rëndësishme lidhet me faktin që rezultatet e kërkimit të studiuesve shqiptarë nuk përkthehen në produkte të aplikueshme sepse mungojnë strukturat që ndihmojnë këtë proces – si zyrat për inovacion, inkubatorët e teknologjisë apo platformat për komercializimin e ideve. 

“Kjo vjen për shkak të fragmentimit të kërkimit, mungesës së financimit të qëndrueshëm dhe boshllëqeve në politikat e inovacionit”, analizoi Gjipali.  

Filli i këputur me projektet e BE-së 

Alba Brojka, një tjetër hulumtuese që ka përgatitur një studim për “Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)”, shpjegoi se lidhjet e dobëta midis sektorit privat dhe insitucioneve kërkimore në Shqipëri bëjnë që vendi ynë të përfitojë më pak nga programet e Bashkimit Evropian.  

“Në nivel institucional, hulumtimi nxjerr në pah gjithashtu lidhjet e dobëta midis sektorit privat dhe institucioneve kërkimore siç është akademia”, konstatoi Brojka, analiste e politikave digjitale.  

Raporti – i përgatitur në kuadër të projektit “Përmirësimi i kërkimit dhe inovacionit të drejtuar nga lëvizshmëria në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe përshtatje me Bashkimin Evropian”, udhëhequr nga ekspertët dhe ekipi i organizatës zbatuese të projektit, “SCiDEV”, si pjesë e iniciativës “Ignita” – theksoi nevojën për reformë strukturore në arsimin e lartë, përmirësimin e infrastrukturës kërkimore, koordinimin më të mirë rajonal dhe ndërkombëtar, si edhe krijimin e programeve të lëvizshmërisë të përshtatura për kontekstin lokal. 

Gjithashtu më tej ai rekomandoi rritjen e angazhimit të institucioneve rajonale dhe mbështetjen e diasporës për të nxitur kthimin e njohurive dhe ekspertizës në Shqipëri. Ndërsa të tjera programe ku vendi ynë mund të ishte përfitues me më shumë projekte është Instrumenti për Asistencë të Para-Anëtarësimit (IPA III, 2021–2027).

Ndërsa “European Cooperation in Science and Technology”, i njohur si “COST”, është një program që ofron mbështetje për rrjete bashkëpunimi shkencor, përfshirë mobilitetin e studiuesve dhe organizimin e ngjarjeve shkencore.

Shqipëria është pjesë aktive e “COST” dhe programit të lëvizshmërisë së “POLICY ANSWERS”. Në vitin 2024 studentë shqiptarë dhe studiues postdoktoralë morën pjesë në skemat rajonale të shkëmbimit dy javë deri në dy muaj. Por megjithatë niveli i lëvizshmërisë mbetet i ulët krahasuar me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kanë qasje më të strukturuar dhe grante më të mëdha.

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, niveli i përfitimeve financiare, kapacitetet kombëtare dhe ndikimi i projekteve në Shqipëri mbeten më të ulëta. 

Ekspertët konfirmojmë se në krahasim me vendet si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria ndodhet në një pozicion më pak të favorshëm si përfituese e këtyre programeve. 

“Këto vende kanë ndërtuar qendra të ekselencës kërkimore, kanë përfituar më shumë projekte evropiane dhe kanë avancuar në krijimin e mekanizmave për transferimin e teknologjisë në ekonomi reale”, analizoi Gjipali për Amforën. 

“Universitetet shpesh nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të ndërtuar njësi të qëndrueshme kërkimore me fuqi konkurruese ndërkombëtare. Po ashtu, mungojnë strukturat që mund të lidhin kërkimin akademik me industrinë apo shërbimet publike”, shtoi ajo. 

Përftimi nga këto programe nga ana tjetër do të sillte bashkëpunim ndërinstitucional mes shumë akrorësh dhe politikash, me qëllimin mbajtjen e studiuesve të rinj në vendin tonë. 

“Për të kaluar nga një ‘treg i lirë pune’ në një treg që ofron mundësi kuptimplote për studiues/profesionistë të kualifikuar, ekspertët mbështesin bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe ndërsektorial midis politikave dhe aktorëve”, analizoi studiuesja Alba Brojka. 

Sipas ekspertëve investimet në ekosisteme kërkimi dhe inovacioni janë të domosdoshme për të ndërtuar një ekonomi të bazuar në dije dhe për të modernizuar sektorë kyç për zhvillimin e vendit, si energjia, shëndetësia, teknologjia digjitale apo drejtësia./Amfora.al

Video

Futbollisti palestinez Mohammed Saleh mbajti lart flamujt e Palestinës dhe Sirisë dhe përshëndeti tifozët pas ndeshjes së Kupës Arabe të FIFA-s, e cila siguroi kualifikimin e të dy ekipeve në fazën me eliminim direkt. Pamje nga TRT

Gazetari i njohur në Peru, Fernando Nunez, u qëllua për vdekje nga dy persona, ndërsa udhëtonte me motoçikletë së bashku me vëllain e tij. Nunez i cili trajtonte raste të korrupsionit në nivele të larta, është gazetari i tretë në Peru që besohet të jetë vrarë nga krimi i organizuar gjatë vitit 2025, pas vrasjeve të dy të tjerëve, Gaston Medina dhe Raul Celis. Autoritetet kanë bërë thirrje që hetuesit të shqyrtojnë punën gazetareske të Nunez si motiv kryesor të krimit.

Uellsi i Ri Jugor në Australi po përballet me një valë të re zjarresh shkatërruese që po përhapet me shpejtësi në bregdetin qendror, duke detyruar autoritetet të lëshojnë urdhra të menjëhershëm evakuimi për banorët e Figtree Bay dhe Woy Woy, një zonë 40 kilometra në veri të Sidneit me mbi 350,000 banorë. Dhjetëra mijëra hektarë tokë dhe disa banesa janë shndërruar në hi, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po e përkeqësojnë situatën nga ora në orë.

Në kraterin Halema‘uma‘u të vullkanit Kīlauea në Hawai ka nisur një shpërthim i ri më 7 dhjetor. Shatërvanët e lavës nga dy ventet e vullkanit kanë arritur mbi 300 metra lartësi. Tefra e nxehtë ka shkatërruar një kamerë monitorimi rreth 500 metra larg, ndërsa venti jugor vazhdon ende të shpërthejë. Vullkani po nxjerr mbi 50,000 tonë gaz dioksid squfuri në ditë dhe plumi i tymit është ngritur mbi 6,000 metra. Autoritetet kanë paralajmëruar se era mund të çojë hi dhe grimca të imta qelqi drejt zonave të banuara.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme