Sociale 30 Korrik 2025, 07:42 Nga VNA

Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për komunikimin celular u rrit për të katërtin vit radhazi

Ndaje në Whatsapp
Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për komunikimin celular u rrit

Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht pothuajse 9200 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 16% krahasuar me një vit më parë.

Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë. Sipas këtij treguesi, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të katërtin vit radhazi.


Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar u rrit në 5.54 lekë për minutë, 16% më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.

Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka ndikuar në shtrenjtimin e paketave të komunikimit. Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit, si me parapagesë, ashtu edhe me kontratë, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, duke sjellë si rezultat një shtrenjtim edhe më të lartë të shprehur për njësi.

Ndërkohë, në fillim të vitit 2024, të dy operatorët celularë, kanë përcaktuar në kushtet e përgjithshme të kontratës të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor.

Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), dy operatorët celularë fituan afërsisht 1.68 miliardë lekë për 2024, ndërsa viti 2023 ishte mbyllur me një fitim neto në vlerën e 370 milionë lekëve.

Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, ndërkohë që një vit më parë kishte realizuar një fitim neto prej rreth 300 milionë lekësh.

Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto në vlerën e 476 milionë lekëve, nga 70 milionë lekë që kishte qenë rezultati i raportuar një vit më parë.

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 27.93 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2024 arriti në rreth 3.4 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.25 karta SIM pёr banorё.

Ndërsa, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.5 milionë, në rënie vjetore me 3.8%./MONITOR

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme