Sociale 30 Korrik 2025, 07:35 Nga JJ

Kalvari i financierëve për të dorëzuar online bilancet, në epokën e dixhitalizimit

Ndaje në Whatsapp
Kalvari i financierëve për të dorëzuar online bilancet,

Në epokën e “ChatGPT”, (ku kompjuteri mendon si njeri), teknologjisë së informacionit dhe investimeve pa fund të dixhitalizimit të gjithë sistemit të shërbimeve shtetërore, dorëzimi i një bilanci online duhet të ishte veprimi më i thjeshtë.

Por, një procedurë që teorikisht duhet të zgjaste vetëm 7 minuta, është kthyer në një kalvar të vërtetë për shumë financierë e kontabilistë që po e shpenzojnë jo vetëm ditën, por edhe natën për të ngarkuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), që menaxhohet përmes sistemit E-Albania, pasqyrat financiare të 2024-s.

Që në datën 24 korrik, një javë para afatit final që është 31 korriku, ekonomistët raportuan se nuk po arrinin të dorëzonin bilancet.

Sistemi u rregullua përkohësisht, ndonëse ishte i ngadaltë, teksa problemet nisën sërish në fillim të kësaj jave. Sa herë që “Monitor” kontaktoi me “Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, në varësi të së cilës është Qendra Kombëtare e Biznesit, përgjigjja ishte që puna vazhdon normalisht.

Ndërsa “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit” (AKSHI) që menaxhon sistemin e E-ALbania e pranuan që kishte probleme dhe po punonin.

Financierët dhe kontabilistët sollën për “Monitor” rastet se si po shpenzonin kohë dhe energji për të kryer procedurën. Në videon më poshtë duket qartë që aplikimi është i pamundur që të kryhet.

“Procesi i ngarkimit të bilanceve ditët e fundit ka hasur në vështirësi. Sistemi nuk ka punuar dhe nuk na ka lënë të bënim asnjë veprim për më shumë se 24 orë, ose punonte disa orë dhe pastaj shkëputej. Nuk mund të bëje asnjë aplikim për bilancin apo për të ngarkuar dokumentet. Ato mund të të dilnin me gabime validimi sepse dhe validimi do kohën e vet që zgjat.

Edhe nëse është validuar në rregull, e del dorëzuar, duhet të presësh nëse del aprovuar. Bilani është dorëzuar në rregull, kur del dhe në QKB apo del i refuzuar dhe në këtë rast të japin dhe arsyen. Si rrjedhojë e defekteve të sistemit ka pasur raste që bilanci të merrej në dorëzim me sukses por të nesërmen sistemi e nxjerr refuzuar duke dhënë si arsye që nuk është dërguar formulari i nënshkruar ndërkohë, që një ditë më parë e kishte nxjerrë në rregull.

Këto vonesa po penalizojnë të gjithë kontabilistët e ekonomistët, sepse gjoba nëse nuk dorëzohet brenda 31 korrikut është 60 mijë lekë. Përgatitja e dokumenteve nuk është se do shumë kohë sepse ne vetëm bëjmë ndarjen sipas formatit që kërkon QKB, teksa puna më e madhe është bërë deri në 31 mars kur dorëzohet bilanci tek tatimet.

Por, në këto formate mund të ketë dhe shifra që mund të validohen me gabime nga sistemi. Në këtë rast, sistemi jep opsionin shiko gabimet, të cilat duhen rregulluar e korrigjuar. Sikur një gabim të jetë, duhet ti ringarkojmë nga e para të gjitha dokumentet gjë që kërkon kohën e vet”, pohon I.Çarçani, kontabilist.

Kjo procedurë po u kalit durimin financierëve. “Është një procedurë për ta kthyer dhimbjen në forcë: që të jesh financier veç te tjerash duhet të kesh nerva, të jesh kameraman, informaticien që të kuptosh si e do sistemi, dhe mbi të gjitha asistent zyre për ndërlidhje”, konstaton me ironi Gladiola, kontabiliste.

Diella “ngre supet”

Në janar të këtij viti, u prezantua me bujë Diella asistentja e re virtuale me zë dhe figurë të e-Albania. “Mirëmëngjes dhe me Diellën, ndihmësen tuaj zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t dhe për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme, ju uroj të diel sa më të qetë”, shkruate në atë kohë në rrjetet sociale kreu i qeverisë.

Po, situata e krijuar duket pak e komplikuar për Diellën.

“Ju lutem si duhet të veproj pasi kam disa subjekte për dorëzim bilanci dhe pas aplikimit nuk vjen kodi i nënshkrimit. Nënshkrimi është aktiv ndërkohë. Pas kalimit me sukses, aplikimi refuzohet për arsye të firmës, ndërkohë është ”, është pyetja që bën Gladiola.

Përgjigjja që vjen nga sistemi është: “Bazuar në problemin e raportuar nga ju, ju lutemi verifikoni paraprakisht në Platformën e Nënshkrimit Elektronik, përkatësisht në lidhjen: https://esign.akshi.gov.al/Login nëse keni një certifikatë elektronike aktive apo jo.

Nëse në formularin e aplikimit, në shërbimin që po përdorni, zgjidhni opsionin “Aplikanti është i njëjtë me administratorin”, ju lutemi sigurohuni që NID që administratori ka regjistruar në QKB, të jetë i njëjtë me NID për të cilin është lëshuar nënshkrimi elektronik.

Nëse opsioni “Person i autorizuar” është zgjedhur në formularin e aplikimit, ky i fundit duhet patjetër të jetë i pajisur me një nënshkrim elektronik të vlefshëm. Në rast se aplikanti ka një nënshkrim elektronik të vlefshëm, për të provuar që nënshkrimi është aktiv, ju lutemi nënshkruani një dokument përmes platformës esign.

Nëse nënshkrimi është aktiv dhe vazhdoni të hasni probleme, konfirmojeni duke specifikuar NID-in e aplikantit. Përndryshe, nëse nënshkrimi juaj ka skaduar, ose gjatë procedurës së nënshkrimit elektronik të një dokumenti në Platformën e Nënshkrimit Elektronik, nuk ju dërgohet asnjë kod autorizimi, ju lutemi na kontaktoni në adresën e emailit: [email protected].”

Kjo përgjigje që është funksionale kur sistemi është në rregull, nuk e zgjidh problemin aktual të kontabilistëve.

“Nëse ti i çon email për problemet ka raste kthejnë përgjigje brenda ditës ka raste brenda 24 orëve, por gjithmonë me arsyetimin që sistemi u rregullua provojeni nëse ka sërish probleme na thoni. Por nëse sistemi nuk punon i bie të na penalizojë e të na lërë pa punë, sepse nuk arrijmë të ngarkojmë bilancet”, thotë I.Çarçani.

Gladiola tregon një rast kur ajo nuk arrin të filloë aplikimin, d.m.th që në hapin 1, ndërsa përgjigja që i vjen me mail është që ka gabuar në hapin 5!!!

E-Albania: Afati 31 korrik 2025 mos e lini ditën e fundit

Pas problemeve që kanë hasur subjektet ditët e fundit për dorëzimin online të pasqyrave financiare, Shoqata Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka kërkuar të merrej në konsideratë një shtyrje e afatit të dorëzimit, derisa platforma të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe me kapacitet të plotë.

Megjithatë, në rrjetet sociale të portalit qeveritar për shërbimet publike, E-Albania, është publikuar së fundmi njoftimi që u kujton subjekteve që të dorëzojnë pasqyrat financiare dhe raportin e auditimit në kohë.

Afati i fundit, është 21 korriku 2025. Në njoftim, subjekteve u tërhiqet vëmendje që të mos e lënë dorëzimin për ditën e fundit dhe të aplikojnë tani.

“Vetëm fakti që thonë mos e lër për datën 31 tregon që dhe ata janë të ndërgjegjshëm për këtë që po ndodh. Pasi nëse një aplikim zgjat maksimumi 10 minuta, kjo nënkupton që sado bilance të kemi të arrijmë ti dorëzojme brenda një dite. Dhe fakti që kemi filluar që në më 16 korrik ishte se kishte disa ditë që dilte error (gabim)”, thotë Gladiola./MONITOR

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme