Pas shpalljes kampion për të tretin vit radhazi, Egnatia po përgatitet për një tjetër aventurë në arenën europiane. Kampionët e Shqipërisë synojnë të shkruajnë histori duke siguruar për herë të parë një vend në fazën e grupeve të një kompeticioni europian.
Presidenti i klubit, Agim Demrozi, ka bërë të qartë se skuadra nuk do të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen, por do të luftojë për të arritur një sukses të madh në Europë. Rruga e Egnatias do të nisë nga turi i parë kualifikues i UEFA Champions League.
Për shkak të koeficientit të ulët të Shqipërisë, rrogozhinasit do të jenë në vazon e skuadrave jofavorite, duke rritur shkallën e vështirësisë që në shortin e parë. Ndërkohë, tashmë janë përcaktuar 14 rivalët e mundshëm që mund të dalin përballë kampionëve shqiptarë.
Vëmendjen më të madhe e tërheq mundësia e një përballjeje me Dritën e Gjilanit. Një short i tillë do të sillte një duel mbarëshqiptar me interes të jashtëzakonshëm, që pritet të zgjojë entuziazëm te tifozët në të dy anët.
Pas dominimit në futbollin shqiptar dhe investimeve të vazhdueshme në vitet e fundit, Egnatia synon të hedhë hapin e madh edhe në Europë. Misioni mbetet i vështirë, por skuadra nga Rrogozhina ka treguar se di të surprizojë dhe është gati për sfidat e mëdha që e presin.






















