Editorial 11 Tetor 2025, 11:18 Nga VNA

Kushtetuta në agoni: Si po përdoret heshtja për të mbajtur nën kontroll Gjykatën Kushtetuese

Ndaje në Whatsapp
Kushtetuta në agoni: Si po përdoret heshtja për të mbajtur

Nga Desada Metaj


Një krizë e re në horizont?

Në dukje, gjithçka mund të tingëllojë si një vonesë administrative, por në fakt jemi përballë një skeme që rrezikon të fusë Gjykatën Kushtetuese në një krizë të re legjitimiteti. Presidenti i Republikës ende nuk ka realizuar betimin e anëtarit më të ri të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi, ndonëse asnjë pengesë zyrtare nuk është bërë publike. Ndërkohë, një prej kandidateve të mbetura jashtë, Naureda Llagami, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë për pezullimin e procesit të zgjedhjes, duke pretenduar parregullsi në votimin e zhvilluar në Gjykatën e Lartë.

Nëse kjo gjykatë do të vendosë pezullimin, betimi i Vokshit nuk do të mund të bëhet. Dhe kështu, procesi mund të mbetet i ngrirë për muaj, madje për vite, derisa të jepet një vendim themeli i formës së prerë. Efekti i parë dhe më i drejtpërdrejtë do të ishte asgjësimi i rregullit kushtetues të përtrirjes së tre anëtarëve çdo tre vjet — një nga garancitë themelore për funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese.

Koha që Presidenti duket se po i jep Llagamit dhe gjykatës administrative nuk mund të konsiderohet e pafajshme. Nëse procesi pezullohet, në detyrë do të vijonte të qëndronte Holta Zace — personazhi kyç i kaosit të mandateve në Gjykatën Kushtetuese — tashmë për një periudhë të pacaktuar. Për më tepër, një çështje që është qartësisht e natyrës kushtetuese po transferohet në një nivel të ulët gjyqësor, për shkak të mosveprimit të Presidencës. Një precedent i rrezikshëm që zhbën vetë logjikën e ndarjes së pushteteve.

Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Që prej janarit 2025, Presidenti ka zgjedhur të mos veprojë për të zhbllokuar ngërçin që lidhet me përfundimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejta — vendim që duhej shpallur nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zace, por që ajo refuzoi ta bëjë. Në vend që të zbatojë Kushtetutën dhe ta nxjerrë gjykatën nga paraliza, Presidenti e paraqiti çështjen si ankim gjyqësor, i cili — jo rastësisht — do të shqyrtohet më 16 tetor, pas një zvarritjeje rekord prej nëntë muajsh.

Në këtë proces, të paktën dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Zace dhe Ibrahimi, janë në konflikt interesi, pasi çështja lidhet drejtpërdrejt me mandatet e tyre. Kjo e shpjegon vonesën, por nuk e justifikon atë. Sepse ajo që po sakrifikohet, si gjithmonë, është Kushtetuta.

E në këtë panoramë kaotike, një detaj i vogël, por domethënës, ndodh në Kuvend. Deputetët e Partisë Demokratike, të shpartalluar nga humbjet elektorale dhe të ndarë mes vetes, gjejnë kohë t’i dërgojnë Kryetarit te Kuvendit, Niko Peleshi, një kërkesë për t’u përfshirë në gjykimin e 16 tetorit mbi mandatin e Bejtës duke dashur që përveç përfaqësuesit të Kuvendit të jetë edhe përfaqësuesi i PD (në Gjykatë Kushtetuese, është palë Kuvendi, e sipas rregullave përfaqësohet nga një i deleguar i Kryetarit te Kuvendit). Me këtë veprim, PD kërkon të “bashkëinvestohet” me PS, në një proces që, në thelb, nuk është i saji.

Ironikisht, kjo ndërhyrje e opozitës i ngjan një flirtimi të radhës me pushtetin. Socialistët mbrojnë Zacën, demokratët Ibrahimin — dy figura që përfaqësojnë dy krahë të së njëjtës krizë. Madje, sipas një shkrese zyrtare të Gazment Bardhit, Elisa Spiropali paska premtuar në korrik, që në seancën e Gjykatës Kushtetuese të marrë pjesë, për herë të parë në histori, edhe përfaqësuesi i grupit parlamentar të PD-së, përkrah atij të Kuvendit. Një aleancë e papritur, aq më tepër kur kujtojmë se i njëjti grup ka kërkuar mocion shkarkimi ndaj vetë Peleshit.

Kjo sjellje dashuri-urrejtje, që përzien interesat e pushtetit me ato të opozitës, shpalos fytyrën e vërtetë të asaj që po ndodh: një përpjekje e përbashkët për ta mbajtur Gjykatën Kushtetuese nën kontroll, përmes kaosit të përhershëm. Të gjitha institucionet që duhej ta mbronin Kushtetutën — Presidenca, Parlamenti, Gjykata Kushtetuese vetë — janë shndërruar në aktorë të një loje cinike, ku interesi politik prevalon mbi shtetin e së drejtës.

Ndaj, nëse Shqipëria nuk ka përjetuar ende “ekzekutimin” e Kushtetutës, ndoshta jemi në prag të tij. Jo me armë, as me dekret, por me një heshtje të qëllimshme, me vonesa të kalkuluara, me një mosveprim e bashkërendim të pacipë që vret në heshtje.

Spektakli i hidhur që po shfaqet para syve tanë është i radhës, por ndoshta më i rrezikshmi: ai i një Kushtetute që po vdes, jo nga shkelja, por nga braktisja.

Video

Rama është modest. Ai është “bujari” i vërtetë. Se i ka dhënë tokën e pronarëve Arbër Hajdarit për 1 euro

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prit me entuziazëm nga qytetarët kinezë. Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut ishte kur Macron vrapoi për t’i përshëndetur ata personalisht, duke treguar afërsinë dhe respektin ndaj njerëzve që e pritën. Ky episod simbolik thekson lidhjet gjithnjë e më të forta mes Francës dhe Kinës, si dhe përpjekjet e të dyja vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Ceremonia e shortit të Kampionatit Botëror përfundoi me një moment të pazakontë, ku presidenti amerikan Donald Trump u pa duke vallëzuar këngën ikonike YMCA, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe të pjesëmarrësve.

Një aligator gjigant, i gjatë rreth 4.3 metra (14-foot) dhe me peshë rreth 272 kg (600 paund), shkaktoi bllokim të trafikut në Florida, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve. Një kapës i specializuar për kafshë të egra, së bashku me tetë zyrtarë policorë, ndërhynë për të larguar aligatorin nga rruga dhe për të siguruar kalimin e automjeteve në mënyrë të sigurt.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme