Editorial 5 Tetor 2025, 18:39 Nga VNA

Kronika e një besnikërie të paralajmëruar. Nga Veliaj tek Manastirliu- kandidatët e devotshëm të Edi Ramës

Ndaje në Whatsapp
Kronika e një besnikërie të paralajmëruar. Nga Veliaj tek

Në Shqipëri, pak figura politike kanë arritur ta kthejnë nënshtrimin ndaj udhëheqësit në formë arti si Erion Veliaj dhe, së fundmi, Ogerta Manastirliu. Të dy, në mënyra të ndryshme, janë produkt i të njëjtit laborator politik që mban firmën e Edi Ramës — një laborator që nuk prodhon kandidatë me identitet, por zëdhënës të devotshëm të vijës së partisë dhe të kultit të liderit. Në podcastin e fundit të Ramës, Manastirliu nuk foli si kandidate e PS për kryeqytetin, por si pasardhëse e një modeli nisur nga Veliaj: modeli i “besimit”, i “thirrjes në detyrë” dhe i kandidatit që, përpara se t’i përgjigjet qytetarëve, falënderon udhëheqësin që e ka zgjedhur.


Një rrëfim që fillon në një furgon

“Edi Ramën e njihja si ministër kulture… më intrigonte sepse nuk ishte si të tjerët,” rrëfen Manastirliu në podcast, me tonin e dikujt që kujton një takim që ndryshoi gjithçka. “Hipa në furgon dhe aty filloi rrugëtimi im.”
Në politikë, rrallë ndodh që një kandidat të idealizojë udhëheqësin e vet me kaq devocion. Por në Shqipëri, kjo nuk është më përjashtim – është rit kalimi.
Në këtë “furgon simbolik”, Rama shfaqet si protagonisti që zbulon, formëson dhe frymëzon. Manastirliu është dëshmitarja që pranon “thirrjen në detyrë”.

Nga Veliaj te Manastirliu: të njëjtët tinguj, zë tjetër

Kush e ka dëgjuar Erion Veliajn në vitin 2015, e njeh mirë këtë partiturë. Edhe ai fliste për Ramën si për njeriun që “e frymëzoi”, që “i dha vizionin” dhe që “e ndihmoi të shohë më gjerë se vetja”. Në çdo inaugurim, në çdo fjalim, Veliaj falënderonte “shefin”, përmendte “ëndrrën e nisur prej tij”, dhe e paraqiste Bashkinë e Tiranës si një projekt në pronësi të përbashkët: të Ramës dhe të tij.

Manastirliu nuk ishte aq teatrale në podcast, por është më e thellë në gjuhën e devocionit. Ajo nuk e glorifikon Ramën si frymëzues artistik – por si figurë përfshirëse, pothuaj shpëtimtare. “Historia ime është një histori besimi nga ju,” i thotë në podcast, me një ton që nuk i përket një bashkëbisedimi politik, por një rrëfimi personal.

Teatri i një marrëdhënieje

Podcasti funksionoi si një skenë teatrale melodramatike, ku Rama luajti rolin e mentorit, ndërsa Manastirliu të dishepulles. Nuk kishte debat, nuk kishte pyetje sfiduese – kishte kujtime, emocione dhe një dialog që synonte të shndërronte politikën në ndjenjë.

Kur Rama e quan “vajza që më bëri krenar si ministre shëndetësie”, tingëllon si bekim publik. Kur Manastirliu përgjigjet “ju më besuat një detyrë të paimagjinueshme”, tingëllon si betim. Dhe kështu, rrëfimi personal i kandidates bëhet instrument i një narrative më të madhe: për të treguar se çdo emër që del nga partia nuk është produkt i zgjedhjes qytetare, por i meritës brenda një hierarkie.

Tirana si provë e besnikërisë

Në fund, ky podcast nuk i foli qytetarëve për Tiranën – por Ramës për vetveten. Ishte një akt vetëpohimi për strukturën e pushtetit që ai ka ndërtuar: një model ku figurat nuk konkurrojnë, por dëshmojnë.
Veliaj e bëri këtë me zë të lartë, me energji dhe spektakël. Fundin e dimë të gjithë. E ndoshta për këtë Manastirliu sot u shfaq me ton të butë, me përulje dhe mirënjohje. Edhe pse mesazhi mbetet i njëjtë: në këtë sistem, besnikëria është më e vlefshme se ideja; mirënjohja më e fortë se autonomia; dhe “thirrja në detyrë” më e rëndësishme se vota.

Në një vend ku politika bëhet përmes rrëfimeve të besnikërisë, Tirana mbetet një dekor – një skenë ku këmbehen lavdërime, jo ide. Dhe në atë furgon që nisi rrugëtimin, Rama nuk është më ministër kulture – por autor i çdo skenari ku protagonistët janë të vetëdijshëm: historia e tyre nis dhe mbaron me të.

Video

Zotërinj udhëheqësa a mund të rrini në rradhë? E keni problem të prisni si të gjithë? Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar ndaj eskortës së Presidentit Bajram Begaj në trafikun e Tiranës. Ai thotë se udhëheqësit duhet të presin në radhë njësoj si qytetarët dhe se thyerja e radhës në rrugë është e paligjshme dhe arrogante. Deputeti thekson se përfitimi kohor është vetëm 8–10 minuta. Ai sugjeron që zyrtarët të dalin më herët nga zyrat për të shmangur vonesat. Braçe kritikon Policinë e Shtetit që, sipas tij, garanton shkeljen e ligjit nga eskortat. "Ne ane tjeter, eshte irrituese qe kete e garanton POLICIA; U kenaqa pardje kur pashe qe policia me dron identifikonte shtetasit qe thyenin rradhen ne shkelje te ligjit ne Unazen e Madhe-i ndeshkoi atje. Po ketu? Policia ne shkelje te rradhes pa asnje arsye madhore; policia dhe udheheqesit po na mesojne as te gezohemi dhe as ti levdojme kur bejne mire!" shkruan Braçe

Ivanka Trump, ka postuar në rrjetet sociale disa pamje nga Zvërneci dhe bregdeti i Vlorës. Në fotot dhe videot shfaq peizazhe natyrore, si deti apo gjelbërimi i zonës, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”.

Emisari amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në Moskë, ku do të takohen me Vladimir Putin. Detajet e agjendës së takimit nuk janë bërë publike deri më tani, por pritet të përfshijnë çështje bilaterale dhe diskutime mbi zhvillimet rajonale.

Para darkës së parashikuar sot në mbrëmje, Ivanka Trump është ndalur në Kryeministri, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme