Editorial 6 November 2025, 07:45 Nga VNA

Hëna e plotë që trazoi SPAK-un, policinë dhe politikën

Ndaje në Whatsapp
Hëna e plotë që trazoi SPAK-un, policinë dhe politikën

Hëna e plotë e së mërkurës duket se ka ndikuar më shumë në korridoret e pushtetit sesa në parashikimin e horoskopit të ditës. Nga ministritë, në PS, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit e deri tek prokurorët e SPAK-ut, nata nuk ka qenë e qetë. Në mes të gjithë zhurmës për dosjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kreu i SPAK, Altin Dumani, zgjodhi të shfaqet papritur në një intervistë televizive — një shfaqje e rrallë për të, por me gjasë aspak e rastësishme.

Në një studio ku dukej qartë se kishte mbërritur për të dhënë mesazhin e mirë­menduar dhe jo t’i përgjigjej pyetjeve, Dumani foli pak, por i kujdesshëm të vinte pikat mbi “i”: kujdesi i tij i parë ishte të qartësonte se nuk ka as ndikim e as kërcënim ndaj prokurorit Dritan Premçi, që po heton dosjen e Ballukut. Pak më tutje, ai lëshoi edhe një thumb ndaj Policisë së Shtetit dhe mënyrës së saj të ftohtë e të vonuar për t’iu referuar ngjarjeve. Si një prokuror me eksperiencë, Altin Dumani nuk e ka jashtë vëmendjes faktin që drejtori i përgjithshëm Ilir Proda e ka ende celularin në SPAK si pjesë e hetimit për një ngjarje të rëndë në Elbasan, ku Proda po hetohet ende nëse ka dekonspiruar aksionin për kapjen e një të shumëkërkuari. Sikundër vështirë se prokurorët e SPAK e kanë harruar protestën e “toleruar” nga drejtuesi i policisë që shkeli perimetrin e godinës, ndërsa jepej vendimi për Veliajn.

Në intervistën e tij në TVSH, Dumani foli për punën e përditshme të prokurorëve, për kërcënimet, por edhe për raportet me Kuvendin. Dhe pikërisht aty, një fjali e tij që ka kaluar pa shumë vëmendje duket se kreu i SPAK ka nënkuptuar edhe lëvizjet e reja të prokurorëve:

“Unë dëshmoj para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht cilësisë proceduriale që kanë, sepse edhe në momentin e raportimit aty kishte të pandehur që i ka marrë institucioni, apo me probabilitet që mund të merren nesër të pandehur.”

Gjuha e ngurtë e çdo prokurori është e vështirë për t’u deshifruar me saktësi. Ama lëvizjet e ditëve të fundit në paradën e hyrje-daljeve në SPAK të bëjnë të kuptosh se një çështje tjetër e nxehtë po merr drejtim. Por përtej kësaj, që mund të konsiderohet si punë e zakonshme e një prokurorie, mbetet për t’u parë si do reagojë politika ndaj një goditjeje të re që mund të vijë nga SPAK-u. A do këndojnë dhe kërcejnë drejtuesit e PD për ndonjë dosje të re në hetim? A do të duartrokitet si “transparencë”, apo do të anatemohet si “selektive”? Sepse në Shqipëri, çdo dosje varet nga emri që mban në kopertinë: nëse është e mazhorancës, është provë drejtësie; nëse është e opozitës, është sulm politik. Koherenca, si zakonisht, mungon.

Në fund të fundit, nuk ka më asnjë surprizë nga kampi politik, ku palët janë rreshtuar në pozicionet e përhershme nga ku nuk sjellin asnjë të re apo surprizë. Rama i lodhur nga skandalet, por ende me nerva për të mbajtur pushtetin; Sali Berisha i palodhur për të mbajtur peng opozitën përballë një qeverie në ditën e saj më të keqe. Dhe disa të tjerë, zgjatim i këtij të fundit, që me paaftësinë brilante dhe ambiciet e pajustifikuara presin dhe i kërkojnë llogari Altin Dumanit pse nuk i jep pushtetin. Ndoshta nuk e kanë dhe aq keq. Me hënën e plotë të një nate më parë, horoskopi mund t’u ketë dhënë një parashikim optimist. Vetëm se nuk mund të presin t’ua thotë Altin Dumani që në pushtet nuk të sjell asnjë lloj prokurorie. Thjesht duhet të ndajnë mendjen ç’qëndrim të mbajnë ndaj SPAK dhe të organizohen për një alternativë të re. Po për këtë të fundit s’ka prokurori dhe gjykatë që i ndihmon dot.

Video

Refit Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës, vrau ish-vjehrrin, plagosi rëndë ish-vjehrrën dhe mori peng 24-vjeçaren. Pas rreth 7 orësh negociata me forcat RENEA, ai liroi ish-partneren, por refuzoi të dorëzohej. 35-vjeçari i dha fund jetës duke qëlluar veten me armë gjahu, ndërsa ish-vjehrra ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve. Familjarët thonë se autori nuk pranonte ndarjen dhe e kishte kërcënuar vazhdimisht ish-partneren, ndërsa rrethanat e plota të tragjedisë po hetohen.

Erion Braçe sfidoi Edi Ramën në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke kundërshtuar votimin e anëtarëve të KPP-së pa diskutim paraprak. Debati u përshkallëzua, ndërsa Rama humbi durimin dhe iu drejtua Braçes me fjalë të ashpra. Pas përplasjes, kryeministri paralajmëroi deputetët socialistë se do të marrë masa ndaj zërave kritikë. Heshtja e Elisa Spiropalit dhe debati Rama–Braçe nxorën në pah tensionet brenda Partisë Socialiste.

Pesë efektivë të Policisë Metropolitane u plagosën pasi një varkë e Njësisë Detare u përplas me Urën Westminster në Londër. Disa prej tyre ranë në ujë, por u shpëtuan menjëherë nga kolegët dhe ekipet e emergjencës.

Erion Braçe sfidoi Edi Ramën në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke kundërshtuar votimin e anëtarëve të KPP-së pa diskutim paraprak. Debati u përshkallëzua, ndërsa Rama humbi durimin dhe iu drejtua Braçes me fjalë të ashpra. Pas përplasjes, kryeministri paralajmëroi deputetët socialistë se do të marrë masa ndaj zërave kritikë. Heshtja e Elisa Spiropalit dhe debati Rama–Braçe nxorën në pah tensionet brenda Partisë Socialiste.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme