Skena më e madhe e futbollit botëror mund të jetë pranë një transformimi të paprecedentë, pasi në tryezën e FIFA është rikthyer propozimi për zgjerimin e Kupës së Botës 2030.
Pavarësisht se Botërori 2026 tashmë është konfirmuar me 48 përfaqësuese, drejtuesit e futbollit botëror po diskutojnë një hap edhe më të madh: kalimin në një format me plot 66 skuadra.
Sipas raportimeve të “AS”, ideja e propozuar fillimisht nga CONMEBOL për të rritur përfaqësimin global ka marrë mbështetje të re gjatë javëve të fundit, duke u rikthyer seriozisht në diskutimet e strukturave drejtuese të FIFA-s.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka mbështetur më herët idenë e zgjerimit si një mënyrë për të rritur përfshirjen globale dhe për t’u dhënë më shumë vendeve mundësinë të marrin pjesë në turneun më prestigjioz të futbollit.
Me Botërorin 2026 që pritet të sjellë debutime historike nga kombëtare si Kepi i Gjelbër, Curaçao, Uzbekistani dhe Jordania, interesimi për zgjerim të mëtejshëm po rritet edhe brenda FIFA-s.
Edicioni i vitit 2030 është planifikuar të zhvillohet kryesisht në Spanja, Portugalia dhe Maroku, me ndeshje simbolike edhe në Argjentina, Uruguai dhe Paraguai.
Megjithatë, një zgjerim në këtë nivel do të sillte sfida serioze për infrastrukturën dhe organizimin e turneut. Aktualisht, plani zyrtar mbetet me 48 ekipe, ndërsa vendimi përfundimtar mbi formatin pritet të merret pas përfundimit të Botërorit 2026, më 19 korrik.






















