Bota 27 February 2026, 20:44 Nga VNA

Zgjedhjet e parakohshme në horizont për Kosovën?

Ndaje në Whatsapp
Zgjedhjet e parakohshme në horizont për Kosovën?

Sikur të mos mjaftonin një palë zgjedhje të parakohshme dhjetorin e vitit të kaluar, dhe një vit i plotë i humbur legjislativ – siç ishte 2025 - partitë politike në Kosovë rrezikojnë të nisin fushatë zgjedhore përsëri brenda disa javësh, meqë nuk po gjejnë konsensus për një emër për president të vendit.

Kanë ngelur vetëm edhe pesë ditë deri në afatin e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të votojë për ta zgjedhur presidentin e ri, përndryshe, sipas Kushtetutës, ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin për mandatin e ri më së largu deri më 4 mars.

Presidentja e ka bërë të ditur synimin për një mandat shtesë, mirëpo votat e nevojshme duket se nuk i ka.

Ajo e fitoi mandatin e parë me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), mirëpo kjo parti tani nuk e përmend emrin e saj. Partitë opozitare e kanë kritikuar me raste se ka qenë e njëashme në të mirë të LVV-së dhe nuk duket se kanë disponim për ta votuar për një tjetër mandat.

Deri më tani dihet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lider i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është takuar ndaras me liderët e partive kryesore opozitare: Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Përparim pas takimeve nuk pati.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, i thotë Radios Evropa e Lirë (REL) se mungesa e transparencës e vë në dyshim seriozitetin e partive politike për ta zgjedhur presidentin e ri në kohë.

“Ndoshta ka një vullnet të fshehur mes partive politike, përfshirë edhe partinë më të madhe, Lëvizjen Vetëvendosje, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje”, thotë Paçarizi.

Asnjë parti nuk përmend emra, megjithëse PDK-ja tha ditë më parë se ka një, por nuk e identifikoi me emër.

Kurti pretendoi ditë më parë se po bën “çdo përpjekje” për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme, por nuk tregoi se kush do të ishte kandidati i tij e as nëse do të mbështeste presidenten Osmani.

Kush u përmend për këtë pozitë?

Me ditë u përfol mundësia që në krye të shtetit të jetë ndonjë pjesëtar i familjes së heroit Adem Jashari, përfshirë edhe nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Megjithatë, anëtarë të kësaj familjeje e kanë bërë të qartë për media se nuk kanë ambicie për këtë pozitë.

Për dallim prej tyre, ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për t'u bërë president.

Njëjtë, gatishmëri ka shprehur javë me parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.

Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh.

Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.

Sa janë gjasat për një marrëveshje?

Ka raportime se Kurti mund t’i takojë Hamzën dhe Abdixhikun përsëri të premten, në përpjekje për të arritur një marrëveshje.

Sipas Paçarizit, gjasat për një marrëveshje nuk duken edhe aq të mira.

“Ka gjasa të pajtohen, por përderisa nuk kemi pasur takime publike mes udhëheqësve të partive opozitare për t’u koordinuar apo pajtuar për një emër të cilin do t’ia vinin zotit Kurti në tavolinë.... nuk duket se sot mund të ketë marrëveshje”.

Foto e realizuar gjatë një takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani të zhvillur në korrik të vitit 2025. Osmani synon edhe një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit.  

Megjithatë, ai nuk e përjashton se takimi i mundshëm i së premtes mund të prodhojë “lëvizje përpara, pajtim për parimet në kohën kur Jasharët kanë refuzuar dhe në kohën kur nuk e dimë qasjen e Kurtit ndaj presidentes Osmani”.

Sipas tij, më shumë se çdo gjë, çështjen e ndërlikon mungesa e bashkërendimit mes partive opozitare për një emër, të cilin do të mund t’ia paraqisnin kryeministrit Kurti.

“Kam frikë se më i vështirë është koordinimi ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për kandidatin, sesa që Kurti do ta pranonte një kandidat konsensual për të cilin do të pajtoheshin partitë opozitare. Unë më shumë e shoh problemin te partitë opozitare, sesa te raporti me Kurtin në këtë kuptim”, shton ai.

Kështu, Kosova rrezikon të përballet me zgjedhje, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.

Kjo do të ishte një goditje tjetër për vendin, pasi këto do të ishin zgjedhjet e dyta të parakohshme brenda muajsh.

Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që një proces i tillë të shmanget, duke kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak./REL 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme