Bota 1 February 2026, 14:26 Nga VNA

Zelensky: Bisedimet trepalëshe për luftën në Ukrainë janë shtyrë për të mërkurën

Ndaje në Whatsapp
Zelensky: Bisedimet trepalëshe për luftën në Ukrainë

Raundi i dytë i bisedimeve mes zyrtarëve rusë, ukrainas dhe amerikanë për një draft-plan të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë, do të nisë të mërkurën dhe jo këtë të diel, ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi për shtyrjen e ditës së takimit.

Ky njoftim është bërë i ditur një ditë pasi të dërguar të posaçëm të presidentit rus, Vladimir Putin kanë zhvilluar takime të paparalajmëruara me zyrtarë amerikanë në Florida, pa Ukrainën.

“Data për takimet trepalëshe të radhës janë caktuar – 4 dhe 5 shkurt në Abu Dabi”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në X – dikur Twitter.

As Shtetet e Bashkuara, dhe as Kremlini nuk i ka konfirmuar datat e reja.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë afër ndërmjetësimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit – më vdekjeprurësit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore – mirëpo as Moska, dhe as Kievi nuk kanë arritur të gjejnë kompromis në disa çështje të lidhura me territore.

Zyrtarë policorë inspektojnë një ndërtesë banimi të dëmtuar pas një sulmi rus ndaj Kievit më 9 janar.

Rusia, e cila ka pushtuar 20 për qind të territorit të Ukrainës, kërkon që kontrollimi i plotë i rajonit të Donjeckut të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje. Moska ka kërcënuar se do ta marrë me forcë atë rajon, nëse bisedimet dështojnë.

Ukraina, në anën tjetër, insiston se dorëzimi i territorit vetëm e forcon Moskën dhe nuk do të nënshkruajë një marrëveshje, nëse ajo nuk ia pamundëson Rusisë që të nisë pushtim tjetër në të ardhmen.

Shumë ukrainas nuk pajtohen me idenë e dorëzimit të territoreve, për të cilat kanë luftuar aq shumë ushtarë prej nisjes së luftës.

Raundi i parë i bisedimeve për planin amerikan, që është zhvilluar në Abu Dabi në fundjavën e kaluar, nuk ka prodhuar ndonjë rezultat.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL 

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme