
Pak çaste para se krisma e një arme të ndryshonte gjithçka, mijëra studentë ishin mbledhur nën qiellin blu në një kolegj idilik në Utah për të dëgjuar një njeri që konsiderohej “yll rock-u” i politikës konservatore në kampuset universitare.
Teksa 31-vjeçari Charlie Kirk qëndronte nën një tendë, duke debatuar me kundërshtarë politikë që merrnin radhën në mikrofon, shumë nga të pranishmit e brohorisnin – e disa protestonin. Sekonda më pas, të gjithë vrapuan të tmerruar.
Aktivisti u qëllua në qafë me një plumb dhe u plagos për vdekje. Episodi u regjistrua nga kamerat, disa prej të cilave shfaqën vrasjen me detaje të përgjakshme. Pamjet do të jenë të vështira për t’u harruar – sidomos për shumë të rinj konservatorë, për të cilët Kirk kishte status idhulli. Pavarësisht motivit përfundimtar, lideri i lëvizjes së tyre tani do të shihet si martir i kauzës.
Kirk, më herët, kishte paralajmëruar për rrezikun e dhunës nga kritikët e tij – të cilët ishin të shumtë, për shkak të stilit të tij provokues të konservatorizmit. Megjithatë, ai ishte i gatshëm të udhëtonte në kampuse universitare, ku politika shpesh anon nga e majta, dhe të debatonte me këdo.
Ai ishte një mbrojtës i të drejtës për armë dhe i vlerave konservatore, një kritik i hapur i të drejtave transgjinore dhe një përkrahës i vendosur i Donald Trump. Organizata e tij “Turning Point US” luajti një rol kyç në mobilizimin e votuesve që solli rikthimin e presidentit në Shtëpinë e Bardhë këtë vit.
Tenda ku u qëllua mbante mbishkrimin “provo të më kundërshtosh”. Ai ishte një hero për studentët e rinj konservatorë, të cilët i ofronte një lëvizje të tyre.
Vrasja e Kirk është një episod tjetër i dhunës së tmerrshme me armë në SHBA – dhe pjesë e një zinxhiri gjithnjë e më të gjatë dhune politike.
Më herët këtë vit dy ligjvënës demokratë në Minnesota u qëlluan në shtëpitë e tyre – me njërën që vdiq nga plagët. Vitin e kaluar, Donald Trump ishte dy herë shënjestër e atentateve. Episodi kur ai shpëtoi për pak nga një plumb në një tubim në Butler, Pennsylvania, ngjan shumë me të shtënat e së mërkurës në Utah – të dyja para turmave të mbledhura në ambiente të hapura.
Dy vjet më parë, një agresor me çekiç hyri në shtëpinë e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, një demokrate e njohur. Në vitin 2017, një burrë hapi zjarr ndaj kongresmenëve republikanë gjatë një stërvitjeje bejsbolli në Virxhinia.
Është e vështirë të parashikohet se ku do të shkojë politika amerikane nga këtu, por trajektorja duket e zymtë.
Dhunës i përgjigjet dhuna. Retorika përçarëse, e nxitur nga eko-kamaret e rrjeteve sociale dhe qasja e lehtë tek armët, çon në tensione të brishta dhe potencial të shtuar për gjakderdhje.
Aktivistët konservatorë po rishqyrtojnë çfarë masash sigurie duhen marrë për paraqitjet publike, ashtu si shumë politikanë lokalë pas të shtënave në Minnesota. Por tentativa në Butler për jetën e Trump ishte pothuajse e suksesshme, pavarësisht pranisë së forcave të trajnuara lokale dhe federale.
Nëse krijohet ndjesia se askush nuk është i sigurt – se jeta publike është kthyer në një sport gjaku – kjo do të ketë efektin e vet korroziv mbi politikën amerikane.
Trump, në një video-mesazh nga Zyra Ovale i postuar në rrjetin e tij Truth Social të mërkurën mbrëma, e quajti vrasjen një “moment të errët për Amerikën”.
Por ai nuk humbi kohë për të fajësuar “të majtën radikale” për vrasjen e Kirk. Ai përmendi disa nga rastet e fundit të dhunës politike – ato që kishin në shënjestër konservatorët – dhe tha se administrata e tij do të gjente “secilin prej atyre që kontribuoi në këtë mizori dhe në aktet e tjera të dhunës politike”.
Këto komente pritet të mirëpriten nga e djathta, ku menjëherë pas të shtënave pati thirrje për goditje ndaj grupeve të majta.
“Është koha, brenda kufijve të ligjit, të infiltron, të shpërndash, të arrestosh dhe të burgosësh të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë kaos,” shkroi aktivisti konservator Christopher Rufo në X./BBC