Bota 27 October 2025, 21:19 Nga VNA

Trupat e pengjeve, kërkim i vështirë/ Një përfaqësues i Hamasit hyn nën mbikëqyrje izraelite

Ndaje në Whatsapp
Trupat e pengjeve, kërkim i vështirë/ Një

Qeveria izraelite ka lejuar një anëtar të Hamasit të hyjë në territorin e Gazës që kontrollohet nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), për të ndihmuar përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe ekipit egjiptian në kërkimin e trupave të 13 pengjeve izraelite të vrarë që ende nuk janë gjetur. Zëdhënësja e qeverisë, Shosh Bedrosian, deklaroi se:

“Kryqi i Kuq, ekipi teknik egjiptian dhe një përfaqësues i Hamasit janë lejuar të hyjnë përtej vijës së verdhë të IDF në Gaza, nën mbikëqyrje të plotë të ushtrisë izraelite.”

Ajo shtoi se pala egjiptiane do të sjellë pajisje shtesë, përfshirë “mjete të rënda pune dhe traktorë”, për të ndihmuar në gërmime. Izraeli akuzon Hamasin se ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit, e cila është në fuqi prej dy javësh, pasi ka dorëzuar vetëm 15 nga 28 trupat e pengjeve që mbante.

Nga ana tjetër, Hamasi thotë se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia, por se ka nevojë për ndihmë për të gjetur trupat e mbetura nën rrënojat e shkaktuara nga dy vjet luftë intensive.

Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor, Hamasi kishte liruar 20 pengje izraelitë të gjallë, në këmbim të 250 të burgosurve palestinezë dhe 1,718 të ndaluarve nga Gaza.

Izraeli, nga ana tjetër, ka dorëzuar 195 trupa palestinezësh në këmbim të 13 trupave të pengjeve izraelitë që Hamasi ka kthyer, si dhe trupat e dy pengjeve të huaj – një tajlandez dhe një nepalez. Nga 13 pengjet e vrarë që ende ndodhen në Gaza, 11 janë izraelitë, një është tanzanian, dhe një tajlandez.

“Hamas e di saktësisht ku ndodhen trupat dhe nuk ka asnjë opsion tjetër përveç se t’i kthejë në shtëpi,” – tha Bedrosian.

Ndërkohë, Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve i kërkoi qeverisë izraelite dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë që të mos kalojnë në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, derisa Hamasi të dorëzojë të gjitha trupat.

“Familjet kërkojnë që Izraeli, SHBA dhe ndërmjetësit të mos avancojnë në fazën tjetër të marrëveshjes pa përmbushjen e plotë të detyrimeve të Hamasit,” – thuhet në deklaratë.

Më herët, mediat izraelite raportuan se administrata amerikane po shtyn përpara fazën e dytë të planit edhe pse ende nuk janë gjetur të gjithë pengjet.

Kreu i negociatorëve të Hamasit, Khalil al-Hayya, tha të shtunën se grupi po përballet me “vështirësi” pasi forcat izraelite kanë ndryshuar terrenin në Gaza, duke e bërë të vështirë lokalizimin e varrezave të improvizuara.

“Disa nga ata që i kanë varrosur trupat janë vrarë, ose nuk kujtojnë më saktë vendet ku i kanë varrosur,” – shtoi ai.

Të gjithë, përveç njërit, nga pengjet e vrarë që ende ndodhen në Gaza ishin rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona në jug të Izraelit.

Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi fushatën ushtarake në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë më shumë se 68,500 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme