Bota 22 December 2025, 21:34 Nga VNA

Trump “spastron” ambasadorët: Tërhiqen 30 diplomatë karriere, lëvizje edhe në dy vende të Ballkanit

Ndaje në Whatsapp
Trump “spastron” ambasadorët: Tërhiqen 30 diplomatë

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar tërheqjen nga detyra të 30 diplomatëve karriere që mbanin poste ambasadorësh ose funksione të tjera të larta në përfaqësitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

Sipas burimeve zyrtare, vendimi synon riformësimin e përfaqësimit diplomatik amerikan jashtë vendit, me fokus vendosjen e personelit që mbështet politikat dhe axhendën e presidentit Trump. Shefat e misioneve diplomatike në të paktën 29 vende janë informuar se mandatet e tyre do të përfundojnë në muajin janar. Të gjithë diplomatët e prekur ishin emëruar gjatë administratës Biden, por kishin mbetur në detyrë edhe pas ndryshimeve të para të ndërmarra në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump.

Në Ballkanin Perëndimor, ndryshimet prekin Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në Sllovaki, si dhe në disa vende të tjera në kontinente të ndryshme.

Afrika rezulton të jetë rajoni më i prekur nga ky riorganizim, me ambasadorë të larguar në 13 vende, e ndjekur nga Azia me gjashtë vende. Po ashtu, janë prekur edhe Armenia, Algjeria, Egjipti, Nepali, Sri Lanka, Guatemala dhe Surinami.

Autoritetet amerikane sqarojnë se diplomatët e tërhequr nuk humbasin statusin e tyre në shërbimin e jashtëm, por do të kthehen në Uashington për detyra të tjera, nëse zgjedhin t’i pranojnë ato.

Departamenti i Shtetit i ka mbrojtur këto ndryshime, duke i cilësuar si një proces standard që ndodh në çdo administratë të re. Sipas DASH, ambasadorët shërbejnë sipas dëshirës së presidentit dhe janë përfaqësues të drejtpërdrejtë të tij, ndaj kreu i Shtëpisë së Bardhë ka të drejtën të sigurojë që ata të çojnë përpara axhendën politike “Amerika e Para”.

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme