Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se shpreson që faza e dytë e planit të paqes për Gazën të arrihet “shumë shpejt”, duke paralajmëruar se Hamasi do të përballet me “pasoja të rënda” nëse nuk çarmatoset në kohë.
Komentet Trump i bëri gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Florida, të hënën. Gjatë një konference për shtyp pas bisedimeve, Trump tha se Izraeli “e ka zbatuar planin 100%”, pavarësisht vazhdimit të sulmeve të ushtrisë izraelite në Gaza.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se SHBA-ja mund të mbështesë një tjetër goditje të madhe ndaj Iranit nëse Teherani rifillon rindërtimin e programeve të raketave balistike apo armëve bërthamore.
Në reagim ndaj kërcënimeve të Trump, këshilltari i lartë politik i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Shamkhani, shkroi në platformën X se çdo agresion ndaj Iranit do të përballej me një “përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër”.
I pyetur se sa shpejt duhet të kalojnë Hamasi dhe Izraeli në fazën e dytë të planit të paqes, Trump u përgjigj: “Sa më shpejt që të jetë e mundur. Por duhet të ketë çarmatim”. Duke folur për Hamasin, ai shtoi: “Nëse nuk çarmatosen, siç kanë rënë dakord – dhe kanë rënë dakord – atëherë do të ketë pasoja të rënda për ta. Ata duhet të çarmatosen brenda një periudhe relativisht të shkurtër”.
Trump tha gjithashtu se rindërtimi i Gazës mund të “fillojë shumë shpejt”.
Plani i paqes për Gazën hyri në fuqi në tetor. Sipas fazës së dytë, parashikohet krijimi i një qeverie teknokratike në territorin e shkatërruar, çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja e trupave izraelite. Më pas do të nisë rindërtimi i Gazës.
Megjithatë, kritikët kanë sugjeruar se Netanyahu mund të përpiqet të vonojë procesin, duke kërkuar fillimisht çarmatimin e Hamasit përpara tërheqjes së trupave izraelite. Kryeministri izraelit është akuzuar se nuk dëshiron të angazhohet seriozisht për një të ardhme politike për palestinezët. Zyrtarë të Hamasit kanë deklaruar se çarmatimi i plotë duhet të ecë paralelisht me përparimin drejt një shteti të pavarur palestinez.
I pyetur nëse ishte i shqetësuar se Izraeli nuk po lëviz mjaftueshëm shpejt drejt fazës së dytë të planit, Trump tha se Izraeli “e ka zbatuar planin”. “Nuk jam i shqetësuar për asgjë që po bën Izraeli; jam i shqetësuar për atë që po bëjnë ose nuk po bëjnë të tjerët”, shtoi ai.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të paktën 414 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Ushtria izraelite, e cila kontrollon më shumë se gjysmën e Gazës, ka deklaruar se ka hapur zjarr vetëm në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit dhe ka fajësuar Hamasin për vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në të njëjtën periudhë.
Gjatë konferencës, Trump paralajmëroi gjithashtu se SHBA-ja do të ndërmarrë sulme të tjera ndaj Iranit nëse konstatohet se po përdor lokacione të tjera për zhvillimin e armëve bërthamore. Në qershor, Trump kishte deklaruar se sulmet ajrore dhe raketore të SHBA-së “shkatërruan” objektet bërthamore të Iranit, një pretendim që Teherani e ka mohuar, duke këmbëngulur se nuk synon të zhvillojë armë bërthamore.
“Shpresoj që të mos po përpiqen të rindërtojnë, sepse nëse po, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse ta zhdukim atë rindërtim,” tha Trump, duke shtuar se kishte lexuar raporte sipas të cilave Irani mund të përdorte “lokacione të ndryshme” nga ato të goditura gjatë verës.
Irani, i cili zhvilloi një luftë 12-ditore me Izraelin në qershor, i quajti këto raportime një “operacion psikologjik” kundër Teheranit dhe paralajmëroi se çdo agresion i ri do të sillte “pasoja edhe më të rënda” për Izraelin.
Bisedimet mes Trump dhe Netanyahu përfshinë edhe pika të tjera tensioni në rajon, përfshirë Sirinë dhe grupin militant Hezbollah në Liban. Netanyahu tha se Izraeli është i interesuar për një kufi paqësor me Sirinë, ndërsa Trump shprehu shpresën se Izraeli do të bashkëpunojë me presidentin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, i cili erdhi në pushtet pas rrëzimit të Bashar al-Assad vitin e kaluar.
Izraeli ka shprehur dyshime për udhëheqësin e ri sirian, ish-anëtar i al-Kaedës, dhe ka bombarduar ndërtesa qeveritare në Damask në korrik. “Shpresoj që ai [Netanyahu] të shkojë mirë me Sirinë, sepse presidenti i ri po punon shumë për të bërë një punë të mirë,” tha Trump. “Ai është i fortë. Nuk do të gjesh një engjëll për të udhëhequr Sirinë.”
Trump nënshkroi në qershor një urdhër ekzekutiv për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë.






















