Bota 3 November 2025, 09:12 Nga VNA

Trump: “Nuk mendoj se SHBA do të shkojë në luftë me Venezuelën, por ditët e Maduros janë të numëruara”

Ndaje në Whatsapp
Trump: “Nuk mendoj se SHBA do të shkojë në luftë me

Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar mundësinë e një lufte të SHBA-së me Venezuelën, por ka lënë të kuptohet se ditët e Nicolás Maduros në pushtet janë të kufizuara.

Në një intervistë për programin 60 Minutes të CBS, Trump u pyet nëse SHBA po përgatitej për luftë kundër Venezuelës. “Nuk mendoj. Nuk besoj se do të ndodhë. Por ata na kanë trajtuar shumë keq,” tha ai.

Deklaratat vijnë ndërsa SHBA ka nisur goditje ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, të cilat, sipas administratës Trump, synojnë të ndalojnë fluksin e narkotikëve drejt territorit amerikan.

Trump mohoi pretendimet se operacionet kishin për qëllim rrëzimin e Maduros, duke thënë se “janë për shumë gjëra”. Sipas CBS News, të paktën 64 persona janë vrarë nga goditjet amerikane në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor Lindor që prej fillimit të shtatorit.

Duke folur nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Florida, Trump tha: “Çdo anije që shkatërrohet, ndalon 25 mijë vdekje nga droga dhe shpëton familje në të gjithë vendin.”

Kur u pyet nëse SHBA planifikon sulme tokësore, ai nuk e përjashtoi mundësinë: “Nuk do të thoja se do ta bëja… Nuk do t’ju tregoj çfarë do të bëj me Venezuelën – nëse do ta bëja apo jo.”

Nga ana tjetër, presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka akuzuar Uashingtonin se po “fabrikon një luftë të re”, ndërsa presidenti kolumbian Gustavo Petro e ka cilësuar fushatën amerikane si përpjekje “për të dominuar Amerikën Latine”.

Trump shtoi se qeveria amerikane “nuk do të lejojë” hyrjen e personave nga vende të ndryshme të botës: “Vijnë nga Kongo, nga kudo… Por veçanërisht nga Venezuela – ka banda. Tren de Aragua është më e egra në botë,” tha ai.

I pyetur për testet bërthamore, Trump konfirmoi se dëshiron që SHBA të rifillojë testet e armëve bërthamore për të “mbajtur hapin me Rusinë dhe Kinën”. “Po, do të testojmë armë bërthamore, siç bëjnë vendet e tjera,” deklaroi ai.

Megjithëse Rusia dhe Kina nuk kanë kryer teste që nga vitet 1990 dhe 1996, Trump pretendoi se ato “nuk i bëjnë publike”. “Nuk dua të jem i vetmi vend që nuk teston,” shtoi ai.

Ndërkohë, sekretari amerikan i energjisë, Chris Wright, mohoi mundësinë e një shpërthimi të plotë bërthamor, duke sqaruar se testet do të ishin “jo-kritike”, vetëm për të verifikuar funksionimin e komponentëve të armëve.

Në intervistë, Trump foli edhe për mbylljen e qeverisë amerikane, që ka lënë miliona qytetarë pa shërbime thelbësore. Ai fajësoi demokratët, duke i quajtur “të çmendur” dhe “të humbur”, por tha se beson që “do të dorëzohen dhe do të votojnë për t’i dhënë fund bllokimit”.

Ishte intervista e parë e Trump me CBS pas padisë ndaj kompanisë mëmë të rrjetit, Paramount, lidhur me një intervistë të vitit 2024 me Kamala Harris, që sipas tij ishte “e manipuluar në favor të demokratëve”.

Paramount pranoi të paguante 16 milionë dollarë si zgjidhje, por fondet do të shkojnë për bibliotekën presidenciale të Trump, jo drejtpërdrejt për të.

Trump kishte shfaqjen e fundit në 60 Minutes në vitin 2020, kur u largua nga intervista me gazetaren Lesley Stahl, duke akuzuar rrjetin për pyetje të njëanshme. Ai nuk pranoi të intervistohej gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme